Mehmet Kraja në ditën e librit: Shkruani bukur dhe bëjeni botën një vend më të mirë

23 Prill, 2023 - 1:31 pm

Në Ditën Botërore të Librit, Kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, akademik Mehmet Kraja , ka uruar komunitetin e shkrimtarëve me mesazhin për të shkruar bukur dhe për ta bërë botën një vend më të mirë, shkruan KultPlus.com.

Akademik Kraja, ka thënë se gjuha dhe shkrimi janë mrekulli të universit, dhe se shkrimtarët janë të vetmit të cilët mund të depërtojnë brenda vetes dhe njeriut duke parë pjesën emocionale dhe duke gërmuar edhe më tej pjesë të pa zbuluara.

KultPlus ju sjellë postimin e plotë të akademik Mehmet Krajës në facebook:

Shkrimtarë, autorë!

Sot është dita juaj. Shkruani bukur dhe bëjeni botën më të mirë. Ju e dini se librat janë për ëndërrimtarët, por ju e dini po ashtu se libri është një oqean fjalësh, se gjuha dhe shkrimi janë mrekulli të universit. Ju e dini gjithashtu se afër jush rrinë shumë fjalë të gënjeshtërta dhe dinake!

Ju jeni të vetmit që e dini se fjalët kanë ngjyra; ju jeni të vetmit që mund të dëgjoni si klith heshtja; ju jeni të vetmit që e shihni dritën që vjen nga zemra e errësirës. Ju mund t’i shihni njerëzit në sy, derisa të pikasni dhembjen dhe trishtimin në thellësi të tyre. Sepse ju e dini se depërtimin e mendjes në gjëra të panjohura, e zbulon vetëm dhembja!

Vetëm ju mund ta shihni shiun që vrapon pas një reje!

Ju e dini se nganjëherë humbja është më dinjitoze se ngadhënjimi, sepse çdo fund i lumtur është një histori që nuk ka përfunduar ende!/ KultPlus.com

Të ngjajshme