‘Netët e Letërsisë Austriake’ vazhdojnë sonte e nesër

24 Maj, 2018 - 3:54 pm

Në kuadër të vitit kulturor Austri Shqipëri, IDMC – Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë, në bashkëpunim me Ambasadën Austriake sjellin për publikun “mik” të librit, “Netët e Letërsisë Austriake”, tre nete leximesh nga autorë të njohur austriak.

Në datat 23-25 Maj, 2018, në sallën Gëte, tek Teatri Eksperimental, nga ora 18:00 deri në 20:00, do të zhvillohen biseda dhe lexime me autorët e njohur austriake Andrea Grill, Klemens Renoldner dhe Christina Maria Landerl. Në të tre netët, autorët do të diskutojnë rreth qyteteve, kulturave nga vijnë, dilemave ekzistenciale dhe tematikave të ndryshme të përditshmërisë, që janë aktuale edhe sot në shoqërinë tonë.

Ky aktivitet synon shkëmbimin e kulturave mes dy vendeve Austri-Shqipëri. E veçanta e tij, ndër të tjera lidhet me faktin që autorët pjesëmarrës kanë përzgjedhur materiale të cilat do ti ndajnëme publikun në gjuhën e tyre origjinale. Vlen të theksohet këtu që Andrea Grill, një prej autorëve pjesmarrëse në këtë aktivitet, kupton, dhe flet mirë gjuhën tonë shqipe.

Krah tyre nuk do të mungojnë as autorët e njohur shqiptarë si Agron Tufa, Jonila Godole, Lazër Stani, Agim Baçi.

Gjatë tre netëve, nën “magjinë” e librave, autorët do të lexojnë fragmente nga veprat e tyre, por dhe vepra të përzgjedhura të autorëve të njohur austriake, përmendim këtu autorin “mit” , Stefan Zweig. Pjesë nga veprat e tij do të ndahen me publikun pjesmarrës nga Klemens Renoldner, që është njëkohësisht edhe drejtor i Qendrës Stefan Zweig, në Universitetin e Salzburgut.

Në këtë aktivitet publiku nuk do të jetë thjesht prezent, pasi risia këtë vit është “Klubi i Leximit”, ku pjesëmarrësit sëbashku me autorët do të mund të diskutojnë rreth veprave të njohur të letërsisë klasike dhe bashkëkohore, të cilat prekin tematike aktuale të ditëve të sotme. Moderimi do të bëhet nga emra jo pak të njohur në fushën e letërsisë dhe publicistikës shqiptare, si Marsela Likaj, Lili Sula, dhe Alda Bardhyli.

Theksojme se Netët e Letërsisë Austriake 2018“ organizohen nga IDMC-Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë në kuadër të nismës disa vjeçare #TiranaLexon, në mbështetje të Raiffeisen Bank dhe Ambasadës Austriake.

Të fundit

Të ngjajshme