Një fjalor, një thesar

13 Nëntor, 2019 - 8:20 pm

Nga Erion Meta

Fjalori Etimologjik i Gjuhës Shqipe është një nga botimet më të rëndësishme në linguistikën gjuhësore shqiptare. Duke qënë se është një produkt që kërkon angazhim, resurse dhe kohë të gjatë për realizimin e tij, nuk është një investim i lehtë, ndaj kjo e bën atë edhe një prodhim të çmuar. Me zhvillimin e panaireve të librit, botuesit turravrapi nxitojnë të reklamojnë librat e prodhuar prej tyre, por jo çdokush ka guximin dhe fatin të botojë fjalorë. Kryesisht fjalorët etimologjike janë produkt i hulumtimit në gjuhësi historike. Për një numër të madh fjalësh në çdo gjuhë, etimologjia do të jetë e pasigurt, e diskutueshme ose thjesht e panjohur. Në raste të tilla, në varësi të hapësirës në dispozicion, një fjalor etimologjik do të paraqesë sugjerime të ndryshme dhe ndoshta të japë një gjykim mbi gjasat e tyre dhe të japë referenca për një diskutim të plotë në literaturën e specializuar.

Në të vërtetë u deshën dekada të tëra që në shkencën e gjuhësisë shqipe të evidentohej një arritje tërësisht shqiptare. Kolec Topalli është studiuesi shqiptar i parë që arrin të hartojë një fjalor etimologjik, madje edhe më të plotësuar se pararendësit e tij të huaj. Ashtu në heshtje me një vullnet dhe me një zotësi të pashoq, për të përtërirë fjalorin e gjuhës shqipe ai ishte i vendosur të arrinte qëllimin e jetës se tij, pa u ndarë ende nga kjo bote. Akademiku Kolec Topalli ndër vite synonte te plotësonte një vakum te gjuhës shqipe. Atë të një studimi etimologjik të fjalëve të gjuhës tone. Puna e tij shkencore ka filluar që në vitet 70 të shekullit të kaluar. Asokohe kur nisën kërkimet dhe hulumtimet në fushë të historisë së gjuhës shqipe, mungesa e një fjalori të tillë qe një pengese serioze për të arritur rezultatet e dëshiruara. E ndërkohë që në bote këto vepra studimore janë të rralla edhe për shtete të mëdha e të zhvilluara si Angli, SHBA, Itali, France, etj. në Shqipëri ky fjalor erdhi më i plotë në vitin 2018 pas një pune 45 vjeçare të autorit që filloi me fonetiken e vijoi me gramatikën historike, duke hulumtuar shumë etimologji të pastudiuara më pare dhe të ndreqë mjaft prej tyre, të cilave iu ishin dhënë shpjegim tjetër..

Vetëm një vit pas daljes në jetë të Fjalorit Etimiologjik të Prof. Dr. Kolec Topallit, ky fjalor ka nxitur diskutime mbi etimiologjinë e fjalëve. Ishte pikërisht ky fjalor që i mungonte shqipes tonë, dhe e bën tanimë të pasur albanalogjinë shqiptare. Studies, intelektualë, akademikë të shumtë e kanë konsideruar Fjalorin Etimologjik të z. Kolec Topalli si kurora në krye të piramidës gjuhësore. Vepra me gati dy mijë faqe është punë shkencore e mirëfilltë. Është miratuar për botim nga Këshilli Shkencor i Institutit të Gjuhësisë e të Letërsisë të Qendrës së Studimeve Albanologjike. Është mbështetur me recensionet shkencore të profesorëve më të njohur të fushës.

Etimologjia, dhe në përgjithësi çështjet e historisë së gjuhës, janë hapësira të frikshme për dijetarin. Hulumtimi nëpër to lyp formim shkencor të thellë, të qëndrueshëm, në universitete të mëdha. Kërkon zotërim të shumë gjuhëve. Të reja e sidomos të vjetra. Botimet e tij flasin për një kërkues shumë të talentuar. Për intuitë e guxim shkencor jo të zakonshëm. Për vullnet profesional, që thyen shumëçka. Fjalorët etimologjikë, siç shkruan autori në parathënie, “janë pasqyrë e historisë së gjuhës”. Dhe, në një kuptim më të gjerë, “janë pasqyrë e historisë së vetë popullit që e flet atë… Nëpërmjet këtyrë fjalorëve dëshmohet karakteri i veçantë i shqipes si një gjuhë indoeuropiane… e cila ka ndjekur një rrugë vetiake zhvillimi”. Fjalori Etimologjik i Gjuhës Shqipe është një shtyllë mbajtëse për Atë që na mban. Për ngrehinën mijavjeçare të Gjuhës Shqipe. Dhe si i tillë është një thesar që dita ditës po ndërgjegjëson se është dhurata më e bukur që mund ti bëhet dikujt.

Qe herën e pare qe u publikua ky fjalor ne panairin e Librit për fat jo te mire te paket ishin ata intelektuale apo akademike qe i kushtuan rëndësinë e duhur këtij fjalori. Munguan fushata sensibilizuese nga Akademia e Shkencave apo Qendra e Studimeve Albanologjike te cilat me qëndrimet e tyre burokrate nuk mbështetën financiarisht realizimin e këtij fjalori, madje duke e lënë botimin e tij për në kalendat greke. Qe një arritje të tille të lakmuar nga shumëkush që studion në fushën e albanologjisë apo shkencave gjuhësore, mori vëmendjen vetëm të dashamirëseve të gjuhës shqipe dhe shume pak të atyre që kanë nevojë realisht për këtë fjalor si opinioniste, gazetare, etj. Dhe në të vërtetë jo çdo kush e di vlerën e një thesari.

Po përse është i rëndësishëm ky fjalor dhe kujt i vjen në ndihmë?

Një fjalor etimologjik diskuton etimologjinë e fjalëve. Zakonisht ne fjalor te mëdhenj si Oxford apo Webster, fjalori përmban edhe informacione etimologjike, pa u inspiruar ne fokusimin e etimologjisë. Një fjalor etimologjik është produkt i kërkimeve ne linguistiken historike.  Për një numër te madh fjalësh ne çfarëdolloj gjuhe, etimologjia mbetet e pasigurt, apo thjesht e panjohur. Ne raste te tilla ne varësi te hapësirës se disponuar, një fjalor etimologjik do te paraqesë sugjerime dhe ndoshta te beje një gjykim për gjasat dhe te siguroje reference për një diskutim te plote e te specializuar te literaturës. Duke qene se etimologjia është studimi i historisë se fjalëve, origjinës se tyre dhe se si format dhe kuptimet e tyre ndryshojnë përgjatë kohës, etimiologjistet aplikojnë metodat e linguistikes krahasuese për te ri konstruktuar informacionin për gjuhet qe janë shume te vjetra dhe i analizojnë gjuhet qe lidhen me një teknike te quajtur metoda krahasuese. Duke qene se ky fjalor nxjerr ne pah edhe fjalët e asimiluara, dëshmon se përgatitja e një studiuesi etimologjik duhet te je ne shkalle sipërore përtej mesatares se larte te çdo gjuhëtari.

Këto kërkime, të kryera në kushte të vështira të jetesës së tij në ato vite, ishin fryt i pasionit dhe përkushtimit të Topallit ndaj studimit të historisë së gjuhës shqipe, pasi nuk ishte e lehtë t’i hyje një fushe studimore ku ishin përpjekur kolosët e albanologjisë botërore e shqiptare prej më se një shekulli e në disa breza studiuesish. Vullneti, këmbëngulja dhe dashuria për gjuhën shqipe e studimin shkencor të saj e shtynë të mësojë gjuhët e huaja të domosdoshme, klasike e të reja, për t’u marrë me këtë fushë studimesh, për të siguruar literaturën shkencore në fushën e gjuhësisë historike indoevropianë e shqipe dhe për të përvetësuar arritjet më të konsoliduar të shkencës albanologjike në këtë fushë para se të marrë guximin të hedhë hapa të reja të mëtejshme

Vlerësimet

Të shumtë janë ata që kanë vlerësuar figurën poliedrike të Kolec Topallit. Studiues vendas e të huaj, intelektuale, bashkëkohës e bashkevuajtës të tij, kush më shumë e kush më pak kanë sjellë vetitë dhe tiparet kryesore të Kolecit te përmbledhura ne fisnikëri, mençuri, dhe njeri i drejtë. Një analize e Agjencisë se Lajmeve te Vatikanit ne lidhje me veprën e Topallit dëshmon për vlerësimin e akademikut dhe veprës se jetës se tij përtej vendit te tij. Ne një analize te sintetizuar te jetës dhe veprës se Kolec Topallit, analistet e Vatikanit shprehen se “se kjo vepër nuk ka lindur rastësisht dhe as në një terren të zbrazët. Përkundrazi, ajo është mbrujtur e piketuar që në hapat e parë të studimit të historisë së  shqipes nga ana e autorit dhe ka ardhur duke u pasuruar sa më shumë kalonin vitet dhe sa më tepër rritej puna e tij. Ndryshe, nuk mund të shpjegohet hartimi i kësaj vepre me afro 2000 faqe nga një njeri i vetëm. Brenda harkut  kohor të  gjashtë  viteve,   ku gjithçka është mbledhur, studiuar, argumentuar, shkruar e korrigjuar   prej mendjes dhe dorës së dijetarit i cili, duke ndërruar jetë, la pas këtë monument gjuhësie, që do të vijojë të na flasë”

Nuk mund të mos e kujtojmë këtë periudhe kohore prej gati një gjysmë shekulli, gjatë së cilës Kolec Topalli   është   marrë   me   fusha   të   ndryshme   të   historisë   së   gjuhës,   si   fonetika, morfologjia, sintaksa, dialektologjia e onomastika, duke qenë e pranishme në të gjitha këto, edhe etimologjia, jo vetëm si disiplinë ndihmëse për të zbërthyer fushat e tjera, por edhe si fushë e veçantë me studime të mirëfillta e të drejtpërdrejta. Nëse rrokim me një vështrim të vetëm botimet e tij 45- vjeçare prej 12.000 faqesh, ku përfshihen 15 monografi dhe 250 artikuj e kumtesa shkencore (f. 1983 e Fjalorit), bie në sy përqendrimi në mënyrë shteruese në një fushë studimi, në etapa të caktuara kohore.

Nga kjo anë mund të dallohen lehtë katër periudha studimore dhe botuese, prej të cilave e fundit është etimologjia, që përfaqëson edhe shkallën më të lartë të pjekurisë së tij shkencore.

Periudha e parë përfshin studimet më të  hershme të  viteve 1972-1982, ku autori merret kryesisht me probleme të shqipes së sotme, me   inkursione të herëpashershme në historinë e gjuhës, në veçanti në fushën e etimologjisë.

Periudha e dytë, më e gjata në aspektin kohor, përfshin vitet 1993-2007, ku vendin kryesor e zënë studimet për fonetikën historike, që përfshijnë 9 monografi e disa dhjetëra artikuj. Me këtë  punë Topalli i ka prirë me  guxim  “Fjalorit”  të  ardhshëm etimologjik të gjuhës shqipe.

Periudha e tretë e punës shkencore të Topallit, që përfshin vitet 2008-2011, i kushtohet kryesisht gramatikës historike, morfologjisë dhe sintaksës, ku përsëri nuk mungojnë inkursionet etimologjike, madje në disa   raste,  ato   zënë vendin  kryesor.

Periudha e katërt, që përfshin vitet 2012-2017, I kushtohet   kryesisht   etimologjisë.

Trashëgimia

Përvoja e fituar në studimet e thelluara për fonetikën historike shërbeu si bazë për hulumtime të mëtejshme në morfologjinë historike të shqipes, të cilat u realizuan në katër monografi të tjera për pjesët themelore të sistemit gramatikor të gjuhës shqipe dhe më pas në veprën tjetër përgjithësuese Gramatika historike e gjuhës shqipe me mbi 1700 faqe. Vetë autori evokon ndihmën që i kanë dhënë gjuhëtarët ndër të cilët janë Çabej, Cama, Ashta, Demiraj, Shkurtaj, Omari e dhjetra të tjerë shqiptarë, arbëresh e të huaj. Madje të shumtë janë dashamirësit e autorit te cilët kanë analizuar dhe kanë promovuar në mënyrë cilësore veprën e fundit të tij.

Vështirësia me të cilën përballet studiuesi për rindërtimin e formës dhe të kuptimit të fjalëve është e madhe në rastin e shqipes, e cila ka një dokumentim shkrimor relativisht të vonë, në shekullin XVI, dhe jo të vëllimshëm, me një numër të kufizuar tekstesh. Ndryshe qëndron puna me gjuhë si greqishtja, latinishtja apo indishtja e vjetër që kanë një histori shumë të gjatë shkrimi të dokumentuar me tekste të shumta që dëshmojnë se si kanë qenë përdorur fjalët në periudha të hershme të historisë së tyre dhe kur kanë hyrë në këto gjuhë. Veç kësaj shqipja është një gjuhë që ka pësuar shndërrime të shumta gjatë shekujve dhe forma e fjalëve ka ndryshuar mjaft nën veprimin e theksit dinamik duke ndikuar në tkurrjen e rregjimin e tingujve, çka e vështirëson identifikimin e formës së hershme të fjalës.

Fjalori etimologjik i Topallit shërben për të dalluar shtresat e ndryshme të huazimeve historike si dhe të ndiqen shtegtimet e fjalëve. Ky fjalor më mirë se çdo studim tjetër është në gjendje të analizojnë edhe raportin e leksikut vetjak  të trashëguar nga periudhat më të lashta dhe dëshmon për rezistencën se shqipes ndaj elementeve të huaja. Ky fjalor nxjerr në dritë se shqipja si degë e vecantë e familjes gjuhësore indoevropiane ka ruajtur një bërthamë  të qëndrueshme fjalësh te trashëguara, te cilën e ka zhvilluar më tej me kuptime të reja dhe me krijime rrjedhojash duke u bërë pjesa më e rëndësishme e gjuhës edhe pse numerikisht nuk është pjesa më e madhe. Kësaj bërthame të trashëguar i shtohet një shtresë tjetër, huazimet e periudhës historike të cilët edhe pse të shumtë, i gjen përshtatur sistemit gramatikor, sa nganjëherë është e vështire të dallohen. E ndërsa Kolec Topalli pohon në fjalorin e tij se ai është referuar në studimet e Cabejt, ai vë ne dukje vështirësitë objektive dhe specifike që ka gjuha shqipe për zbërthimin etimologjik të fjalëve të saj, të trashëguara, për shkak të tkurrjes së vazhdueshme të fjalëve prej theksit të fuqishëm dinamik, prej dokumentimit të vonë të shqipes, si dhe prej mungesës së një fjalori të madh te tipit thesaurus ku të përfshihet gjithë pasuria leksikore dhe dialektika.

Fjalori etimologjik i Kolec Topallit mbështetet mbi këto arritje të gjuhësisë historike paraardhëse dhe mbi një literaturë të gjerë të botuar ndërkohë në këtë fushë nga studiues shqiptarë e joshqiptarë. Hulumtimi i teksteve të vjetra, që ai i ka siguruar prej kohësh në formë të dixhitalizuar, ka qenë një burim i pazëvendësueshëm dhe mbështetje solide për rindërtimin e fazave më të vjetra, të padokumentuara, të shqipes. Falë përvojës së fituar nga arritjet vetjake e të paraardhësve, falë shfrytëzimit të të dhënave të reja burimore dhe punës intensive e sistematike disavjeçare, ai arriti të përfundojë një fjalor etimologjik të gjuhës shqipe me numrin më të madh të njësive leksikore të dhëna deri më sot nga një fjalor i kësaj natyre për shqipen, gjithsej 42.846 njësi leksikore duke përfshirë edhe derivatet, dhe 2331 njësi onomastike.

Ky fjalor është nje domosdoshmëri për çdo klasicist ne tryezën e tij. Duke qene se nuk është nje gjuhe shume e analizuar ne krahasim me degët me te rëndësishme te gjuhëve indoevropiane dhe ky fjalor plotësues vjen vetëm pas shume e shume dekadash duke sjelle këndvështrime te reja ne historinë dhe formimin e gjuhës shqipe. Ky fjalor është një thesar i vërtetë pasi i nevojitet jo vetëm albanologeve, por edhe studiuesve te gjuhëve te tjera si slaviste, helenistëve, romanistëve, turkologeve, u nevojitet historianeve, gjeografëve, botanistëve, zoologëve, tyre te përditshëm duke zgjeruar njohuritë me fjalët me te moçme te shqipes. Si çdo hulumtim i ri edhe kjo vepër e Topallit do të sjellë këndvështrime të reja mbi trajtimin e fjalës shqipe. Madje ajo përbën nje piketë të re për studime të reja të kësaj fushe, për shkak se studimi i shqipes nuk mund të konsiderohet asnjëherë e përfunduar, aq më pak e përkryer. Ndaj dhurata më e mirë dhe më e goditur që mund ti bësh dikujt është një fjalor etimologjik. /KultPlus.com

Të ngjajshme