займ на карту онлайн потребительский кредит

Për Gjergj Fishtën dhe Ndre Mjedën

31 Mars, 2020 - 9:40 am

Nga Bedri Islami

Fishta, ndoshta më shumë se të tjerët, kishte lindur për të qenë shqiptar.

Gjergj Fishta është njëri ndër poetët e ndaluar të kohës së rinisë sime.

Çuditërisht, edhe pse nuk kishte qenë ministër në një qeveri fashiste, si do të ndodhte me bashkëvendasin e tij, Koliqin, ai ishte më i ndaluar se ky, edhe pse kishte vdekur në një ditë të acartë të 30 dhjetorit të vitit 1940.

Në ditëvarrimin e tij do të mbanin fjalët e rastit edhe prelatë të lartë katolikë, që u takonte, edhe klerikë të lartë muslimanë, që e kishin pjesë.

Do të mbylleshin të gjitha dyqanet, muezinët do të heshtnin në shenjë nderimi dhe do të dëgjoheshin vetëm kambanat e kishave si një lajm shpirtëror dhe përhapës i kujës.

Duke ikur viti 1940, largohej figura mistike e një njeriu të çuditshëm, me tunikën e tij si të prerë nga mjegullat e lashta dhe që kishte qenë një Zot i pashpallur.

Kishte qenë një mundim i kotë ndalesa e tij e përkohëshme publikisht, por e hapur në shtëpitë e vjetra të qytetit.

Është ndër poetët që duhej njëlloj e njihej njëlloj, si në lagjet e krishtera, të mbledhura rreth disa kishave të njohura, në njërin skaj të qytetit, ashtu edhe në lagjet e besimit islam, të mbledhura në skajin tjetër, në një hapësirë gjithnjë e më shumë drejt ujrave, ndërsa të parat, të krishterat, kishin synuar përherë drejt maleve.

Të ndalosh Fishtën do të thotë të mundohesh të gardhosh një perandori letrare, publicistike, një jetë të përkryer, aspak mistike, të përshfaqur denjësisht dhe kryeulur, të denjë për të qenë një shenjt e në të njëjtën kohë njeriu më i zakonshëm, dhe ky është një mundim i kotë. Mund të gardhosh një arë, një kopësht, një rrafshirë, mund të djegësh libra apo t’i kyçësh ato nëpër do rafte të hekurt, por është punë e pamenduar dhe absolutisht e pamundur të gardhosh , aq më tepër në genin e tij, një perandori të letrave.

“Të gjitha gjërat duan të qëndrojnë në të qenurit e tyre”, ka shkruar Baruh Spinoza, e, edhe Fishta, ashtu si është, më tepër një patriark se sa një françeskan, sado që librat e tij u damkosën me hekur të nxehtë, ai do të kishte patjetër ringritjen e tij. “Të qenurit e tij” – ishte gjëja më normale në botë, e kundërta ishte e pabesueshme dhe e pakohëshme.

Është ndër rastet e pakta kur poezia e tij më shumë shijohet në të dëgjuar, se sa në të lexuar; si duket, për të ndjerë magjinë e poezisë së tij duhet përherë më shumë se një njeri, ose, më saktë, duhen një shumësi njerëzore.

Ndoshta nga që poezia e tij nuk ka qenë kurrë e salloneve, e mjediseve të mbyllura nëpër arkapijat e vjetra apo pas mureve me sharmashekë.

Ka patur shpesh herë dilema të ndalimit të tij, ashtu si edhe është synuar , në mos përmendorizimi i figurës së poetit, të paktën ringritja e avashtë. Por asnjëherë nuk ishte deri në fund e qartë pse po ndalohej.

Regjimi i ri ishte antizogist, sa që ia kishte ndaluar hyrjen edhe vetë familjes së mbretit të ikur; Fishta kishte qenë fanolist në një periudhë të jetës së tij dhe, në fakt, kurrë nuk u bë zëdhënës i një mbretërie; qeveria që kishte ardhur në pushtet ngrinte ndër monumentet e para edhe atë të Avni Rustemit dhe, në varrimin e Avniut, në Vlorë, njëri ndër fjalimet më të fuqishme kishte qenë pikërisht ai i Fishtës; pas vitit 1948 regjimi kishte shpallur armiqësinë e tij me shtetin fqinj jugosllav dhe me këtë term nënkuptonte shtetin serb, dhe poema madhore e Fishtës, “Lahuta e Malcis” do të kishte qenë konfirmim i asaj që kishte ndodhur; megjithëse pas prillit të vitit 1939 Fishta ishte bërë akademik i Italisë, kjo nuk ishte shoqëruar asnjëherë me zellin e tij ndaj pushtimit, koha kishte qenë e pamjaftueshme për të dhe si duket, pikërisht kjo pamjaftueshmëri kishte lënë hapur shumë shtigje që synonin të mbylleshin, sëbashku me jetën , pra edhe artin e tij.

Njohja e tij me sunduesin e ri kishte qenë e shkurtër, në një ballkon a terracë të vogël, disa vite më parë, kur njëri, ende i ri, kishte mbajtur një fjalë të thukët në nderimin e Çerçiz Topullit, ky i fundit kishte qenë në fakt miku i poetit, dhe, ndërkohë, poeti, që e kishte falenderuar djalin e ri për fjalët, as që i kishte shkuar ndër mend se pak vite më vonë , pikërisht nga ai ose njerëzit rreth tij, do të ndalohej. Nëse do i kishte shkuar ndër mend , me siguri do të thonte diçka më tepër se sa frazën e famshme biblike , “Fali, oh Zot, se nuk e dijnë çka bajnë”!

Ndoshta ishte i vetmi poet i madh që ndalohej për dy arsye të gjendura njëkohësisht, por që asnjëra nuk ishte e saktë: dënohej si poeti i madh i Veriut, pro austriak i njohur dhe antisllav edhe më i njohur, dënohej si njeri politik, kur asgjë politike antikombëtare nuk kishte patur në qëndrimin e tij? Absurdi nuk ka arsye!

Ndalimi i Fishtës ishte parathënia e parathënieve të largimit, ndalimit dhe pastaj linçimit të një plejade të shkëlqyer të prelatëve të kishës katolike, meshtarë të zakonshëm apo të ngjitur në shkallaret e religjionit të tyre, të cilët, ashtu të ditur si ishin, të panjollë, të mishëruar në besimin e tyre dhe në përkushtshmërinë ndaj vendit, ishin në të njëjtën kohë në elitat më të shkëlqyera të vendit. Mendimi filozofik shqiptar, entografia, publicistika shqiptare, kultura dhe artet në përgjithësi, arsimi dhe drejtimi i mendimit politik drejt perëndimit, të gjitha këto nuk mund të kuptohen pa këtë plejadë të shkëlqyer, që në thelbin e tyre ishin dishepujt e padër Gjergjit.

Si thashë, Fishta ishte poeti i ndaluar dhe kur e lexova për herë të parë, në trapazanin e shtëpisë së madhe të Gjylbegajve, ku ndodhej biblioteka e pazakontë, isha po ashtu në një çast të ndaluar.

Por që shijonte më shumë. Gjithçka bëhej më misterioze, enigmë e pashpallur dhe në portretin e tij dukej si një perandor i harruar, mistik dhe i legjendshëm, jetësor dhe kumbues, njohës i shpirtit dhe brymosës i tij, gjëmues dhe cinik, i dashur dhe i larguar, aspak ledhatues , por edhe kurrë përjashtues, i guximshmi që të ngjallte besim, ishte Fishtiani që kishte lindur për të qenë një shqiptar i madh, kleriku që njihte mbi vete fe e Atdhe, i mohuari që e donin me zjarr, duke pritur ditën e riardhjes së tij.

Ai ishte i nëmuri që duhej; i përjashtuari që afrohej; i leçituri që lexohej; i ndaluari që i hapeshin dyert, i mallkuari që nuk mallkonte; i huaji që ishte më shumë se i shtëpisë; në fund ai ishte Homeri i Iliadës shqiptare, por që në ncdryshim me bardin plak, nuk ishte as i verbër dhe përsonazhet e tij nuk ishin as zotër e as perëndi që ziheshin me njëri tjetrin, por vendas, njerëz të njohur dhe të zakonshëm, bajraktarë dhe djem të rinj, heronj që linin pas një emër të pëjetëshëm, si Oso Kuka, ishin prijës dhe burra me mend, agallarë si të kishin dalur nga cikli i Muji e Halilit; kokëshkretë që e kishin më lehtë të vdisnin se të jepnin mikun, pavarësisht se me atë mik kishin qenë hasëm; burra që e dinin se emëri i tyre nuk duhej të shuhej; pinjollë të shtëpive të mëdha që i dinin themelet e tyre, toskë që kishin vendin e duhur të nderit; më pas mbretër dhe kancelarë, sulltanë e pashallarë e mbi të gjitha gjithëfarë knjazësh , qofshin në një cep të humbur që quhej Cetinë a në një qytet të njohur që quhej Beograd.

Ai priste i qetë të kthehej një ditë, ai nuk ishte shtergu që largohej nga vendlindja dhe që e përjetonte ringjalljen jo si një martir, por si një i legjendshëm, duke e ditur se , mes të tjerave, ai kishte vendin e tij edhe në cepin tjetër të atdheut, aty ku fillonin ujrat e Drinit, buzë një liqeni dhe që përfundonin në qytetin e tij, po ashtu në një liqen. Lazgush Poradeci do të jetë sozia e tij, por në një trajtë tjetër.

Në orët e gjata të leximit, kur axha i nënës sime, Mësuesi i Popullit, Rakip Gjylbegaj, më lejonte të ngjitesha në bibliotekën e stërmadhe të tij, ku ishin të gjitha botimet e viteve, të lidhura mrekullisht, revista dhe gazeta, libra, shumë prej tyre të ndaluara dhe epistolari i familjes zëmadhe, vëreja se nuk isha i vetmi që tërhiqesa prej tyre dhe se shpesh herë, në raftet e mëdha krijoheshin zbratësi të ndjeshme. Në bibliotekë nuk mund të ngjitej kushdo. Rakip begu më thonte se një pasdite ishte ngjitur edhe babai im dhe , pasi kishte qëndruar gjithë natën, e kishte qenë një natë me shira të gjatë dhe rrëmujën e vetëtimave, në mëngjes ishte ulur i tronditur dhe nuk e kishin ditur se si kishte dodhur: nga lodhja apo nga tronditja e atyre që kishte lexuar.

Një natë, kur po rrija në çardakun e madh, në oborrin e trëndafiltë ,ku ishin edhe dy blire të mëdhenj, po rrinte njëri nga djemtë e Hamdi Bushatit, profesorit të nderuar, autorit të Veprës Monumentale, “Shkodra dhe Motet”. Një çarçaf i bardhë, i madh, kishte mbuluar diçka të rëndë, që ai mezi e mbante në duar. Hamdi Bushati ishte nip i familjes Gjylbegaj, nëna e tij kishte qenë motra e Muharrem beg Gjylbegut, kryetarit të parë të Bashkisë së Shkodrës, që edhe e kishte ndërtuar atë shtëpi.

Të nesërmen, kur u ngjita në bibliotekë revistat dhe librat e Fishtës, të mungonin një natë më parë, kishin ardhur në vendet e tyre.

Fishta ishte në orët e qarkullimit të tij.

Në moshën time më shumë më tërhiqte “Mrrizi i Zanave” , se sa “Lahuta e Malcis”. Nuk e di pse, megjithëse të parën e dija në shumë pjesë përmendësh. Si duket, gjithçka ka kohën e saj, edhe “Lahuta” kërkonte një kohë tjetër dhe jo kohën e rinisë së parë, kur të duket se hëna krahëthyer fshihet në çerdhen e ujrave dhe përditë nxiton drejt diçkaje që mbush një jetë.

“Gomari i Babatasit”, një mrekulli satirike dhe e zhdërvjelltë më ishte më e këndshme, së bashku me “Anzat e Parnasit”.
Duhet një kohë e caktuar për të ndjerë në vete eposin e Fishtës në 15 mijë e 613 vargjet e saj , të ndarë në 30 këngë. “Lahuta” kishte qenë vepra e fundit e Fishtës, botuar për herë të parë e plotë në vitin 1937, por që kishte zanafillën më të herëshme.

Është ndoshta poema epike e parë në botë, pas atyre të bardëve të lashtë, që më parë këndohej, deklamohej, bëhej e njohur, ishte pjesë e ndërgjegjes së kombit e më pas botohet.
Pas saj nuk besoj se do të ketë më një rast të dytë.
Eposi i Herojve të Fishtës është vepra e tij monumentale dhe më rrënqethëse. Është e pazakonshmja e popullit e sjellë përmes një njeriu.

E kam shijuar mrekullisht në kohën e luftës së Kosovës. E mbaja me vete, sëbashku me tragjeditë e Shekspirit. Kshte shumë gjëra shekspiriane në atë epos, megjithëse mrekullia e artit e anglezit mistik nuk ishte aty.

Në Zvicër, kur shkoja tek miku im Mehmet Bislimi, poet, publicist e prozator i shkëlqyer, në dhomën e vogël ku flija, përmbi shtratin e zakonshëm, gjeja gjithmonë “Lahutën e Malcis”. Atëherë e ndjenim më fort.

Riardhja e Fishtës ishte e natyrshme, e domosdoshme dhe e pritur. Thuaj pesë dekada, jo rastësisht, nuk ia zbehën lavdinë. Ai ishte i panjohuri i njohur. Më shumë, mijra herë më shumë i njohur, se sa i panjohur.

Dhe si me të drejtë thotë Vatican News: “Për Fishtën nuk duhet shkruar. At Gjergj Fishta duhet lexuar! Sepse vetëm duke e lexuar, mund ta njohësh Fratin e veshur me zhgun, të ngjeshur me konop nëpërmjet e me këmbë të zbathura verë e dimër… Mund të njohësh humanistin, atdhetarin, burrin e madh, pa varr, por jo pa lavdi. Poetin, veprat e të cilit u flakën njëmijë herë në baltë nga kundërshtarët, e u ngritën njëmijë herë në qiell nga dashamirët. E sidomos, Lahutën! E ndaluar, e pështyrë, e djegur, e fshehur në skutat më të errëta të shtëpive të moçme e në kujtesat e njerëzve, ajo doli e del përsëri në dritë, për t’i folur Shqipërisë e edhe botës…”

Ndryshe nga shkencat e ekzakte, arti nuk  i nënshtrohet vlerësimeve të padiskutueshme. Për gjithësecilin njeriu mund të ketë mendimin e tij. Kjo nuk ulë vlerën e tyre të përgjithshme dhe as i zbeh ato. Përkundrazi i nxjerr n shumë dritëzime dhe më njerëzorë.Fishta nuk ka bërë përjashtim. Për të është shkruar shumë e do të vazhdojë të shkruhet, ka pasur të kundërta dhe kundërshti, arti i Fishtës ka qenë ndjellës, por, në të njëjtën kohë, edhe përcëllues. Koha ka bërë rrjedhën e saj në përcaktimin e poetit . Në etapa të ndryshme edhe mendimi i secilit, si qasje vetjake, ka qenë i ndryshëm. Poezi të Fishtës, të cilat dikur na linin pa gjumë, sot i kalojmë pa i vënë re; ndërsa publicistika e tij, që dikur na dukej e largët, sot hapet në një dritë të re. Dikur isha i marrosur pas hymneve të tij poetikë, ndjenjës së shquar kumbuese atdhetare, edhe tani i ndjej ato; kjo është e natyrshme për çdo moshë, por tani, tërheqja është më e fuqishme drejt satirave të tij apo tragjedisë „Juda Makabe“. „Është shumë e vështirë, në mos e pamundur që, në fillimin e mbrëmjes së jetës të kujtosh dhe të kuptosh mëngjesin e saj“ – shkruan Erenburg;përceptimi është ndryshe, bëhet më i vështirë rendja pas disa gjërave dhe qëndron më shumë ngulmimi në të tërën,  ndryshon ndriçimi, pasqyrimi i asaj që sheh, loja e dritë-hijeve; ata që na kanë pëlqyer dikur na lënë tani indiferentë. Leon Tolstoi, për shembull, nuk e duronte dot Shekspirin. Stendali thonte shumë vite më parë se ” Meriton të hidhet në letër vetëm ajo që mbetet interesante dhe pasi historia e ka thënë fjalën e saj”. Mjeshtrat e vërtetë nuk kanë nevojë për mëshirë dhe gjithëherë gabohen kur nguten të çkurorëzohen idhujt e djeshëm. Nga ana tjetër, idhujt që synohen të shemben, bëhen përsëri perëndi..çka ndodhi edhe me Fishtën. Në botën e artit ka pasur gjithnjë raste të tilla, por mjeshtrat e vërtetë e gjejnë gjithnjë kohën e tyre, pengesat i rritin, sepse përballimi i të papërballueshmes i rrit ato. Bota e artit është e ylbertë dhe ka vend për të gjithë, për mendimet, keqkuptimet, mëritë,grindjet, ndasitë, kohrat..

Fishta, ndoshta më shumë se të tjerët, kishte lindur për të qenë shqiptar.

Të jem i sinqertë, megjithë hyjnizimin e Eposit të Fishtës, lirikat e tij më kanë tërhequr më fort, i kam më për zemër dhe i ndjej si një kujtesë të vazhdueshme dhe të domosdoshme.

Nuk mund të thuhet më bukur se kjo që po sjell në mbylljen e kësaj ese-je të shkurtër për njeriun që vuri dorë mbi kohrat dhe i bëri të kenë edhe emërin e tij.

“Pra, mallkue njai bir Shqyptari/ qi këtë gjuhë të Perëndis’/ trashigim, që na la i pari/ trashigim s’ia len ai fmis/ edhe atij iu thaftë, po, goja/ që përbuzë këtë gjuhë hyjnore/ qi n’gjuhë t’huej, kur s’asht nevoja/ flet e t’veten e lén mbas dore.

Për Ndre Mjedën

Për të gjithë ata që janë përpjekur të bëhen pjesë e botës së artit, qoftë edhe pjesë e përkohëshme, Ndre Mjeda, poeti i shquar, ka qenë edhe parajsë , edhe shkollë.

Ditët kur lexoja në dhomën time deri pas mesnate Mjedën ishin ndër më të lumturit e jetës sime. Nga ajo botë që më shpalosej para meje, tingëlluese si një gjë magjike, bindesha se arti nuk bëhet me të tekur, nuk është një çast e as nuk është zbukurim, ai është i pamtshëm nga ditët e kalenderuara; përpiqesha të kuptoj pse kur lexoja vargjet e Mjedës më lindte dëshira të këndoj, pse me të mund të bashkëjetoja si një gjë krejt e natyrshme.

Më ndodhte si me dashurinë, me çastin kur pandeh se ke zbuluar një botë të panjohur deri asaj dite, por përdëllitëse, lumturuese, e pashmangshme në përtëritjen e parreshtur dhe ngazëlluese.

Mjeda të bën të ndjehesh poet edhe nëse nuk ke shkruar asnjë varg; të bën të këndosh me vete si në një çast të lumtur, adhurimi për të nuk është si për një të huaj, por të pranishëm, të qenësishëm; para poezisë së tij mund të falesh, mund ta ndjesh, ato janë si një breg i palëvizshëm; ai të sjell në mendje tabllot e Botiçelit, në harmoninë e tyre të përkryer, por edhe përshfaqja demoniake e Mikelanxhelos; e gjithë vepra e tij letrare është pasqyrimi i jetës së tij martire, bashkërendim i ngazëllimit jetësor me pikëllimin,” Vaji i bylbylit”, lirizmi i një jete pranë njerëzve dhe besimi se Liria është më së pari ndër zemrat….

Mjeda, i cili botën e ka parë në dy pamjet e saj, përmes syrit të poetit lirik, dhe, më pas, përmes konceptit tragjik, ka arritur të shprehë atë si një përmasë të re, të panjohur më parë dhe askush nuk mund të zhbëjë rikrijimin besnik të jetës, të idesë, të mendimit, të vuajtjes, të shpresës, të dëshirës, të ekzistencës, të pritshmërisë, të realizmit. Në veprën e tij është ajo që quhet dukuria e jetës, harmonia e kohës, në çdo drejtim e qartë dhe e dashur, dhe, në kalimin e viteve, e kupton se është mahnitëse.

E pyes shpesh herë veten pse Mjeda na bën kaq shumë përshytpje, përse e kemi të pamundur të harrojmë vargjet e tij, përse ai është më i thjeshtë, më i drejtpërdrejtë dhe më harmonik se bashkëkohasit e tij; si është e mundur që kjo ndjenjë e përkryer në një harmoni aspak të ndërlikuar mund të kapet vetëm nga një artist i madh, i cili, në të njëjtën kohë , ka meshuar, ka rendur pas plugut, ka mbledhur dije të shumta, është përplasur në parlamentin e kohës si deputet, është ngritur në majën e mendimit të kohës dhe nuk ka rënë kurrë nga andej, pavarësisht kohrave që kanë ardhur?

Mjeda është poet i papërsëritshëm nga askush tjetër. Nuk është më i madhi poet i letrave shqipe, por më i papërsëritshmi, më harmoniozi, dhe, gjithçka që më ka mahnitur e më mahnit në poezinë e tij është afërsia e tij me njerëzit, mundësia ekzistenciale për të kapur shekujt.

Ai është realist i ashpër – jo denoncues si Migjeni; ai ka njëkohësisht zotësinë e paepur të shprehë zemërimin e papërmbajtur dhe shprehjen mahnitëse të vuajtjes njerëzore, është realist, por i përkorë; poeti është futur nën petkun e prelatit, dhe ishte nga një familje e prelatëve të lartë katolikë, që bartën , sëbashku me rrason edhe kujtesën kombëtare, ndaj rrjedh ndjenja e së mirës, e në të njëjtën kohë, në shpirtin e poetit është i pranishëm, ndonëse jo i dukshëm, njeriu që jetën ia përkushtuar Zotit, por duke kaluar përmes përdëllimit njerëzor.

Thashë se poezitë e tij ke dëshirë t’i këndosh. Por kjo ndodh edhe me përkthimet e pakta të tij. Nganjëherë ai i ngjet një titani tjetër të letrave shqipe, Nolit, që përkthimet e tij janë aq të fuqishme, në mos më të fuqishme, në tingëllimin e tyre shqip, se sa në origjinalin e vjetër.

Mjeda ka një përkthim të poezisë së poetit më të shquar gjerman, Gëte. Nuk është përkthyesi i vetëm i kësaj poezie të njohur, “Mbreti i Tulës”; ajo ka joshur poetë dhe përkthyes të njohur, të cilët e kanë sjellë në variante të ndryshme. Mes tyre , më të arriturat janë të Mjedës dhe të Jorgo Bllacit.

Nuk di t’i ndaj nga njëra tjetra, si duket shpirti poetik i Mjedës dhe i Jorgos, si askund më parë, janë shkrirë tek njëri tjetri.

E kam lexuar disa herë këtë poezi në origjinalin e saj dhe është e përkryer, por dëshirën për ta kënduar atë, harmoninë e pashoqe, muzikalitetin mrekullibërës, asgjë nuk ta jep si këto vargje :

MBRETI I TULËS

Deri n’dekë besnik ke s’thohet
Ishte n’Tule ‘j padisha,
Diq e dashtuna mbas do kohet
E ‘j got’ arit shej i la.

Mund të provosh të mos e këndosh, por e ke të pamundur…

Ose në krijimin famoz „ Gjuha shqype“, njëra nga perlat e mëdha të poezisë shqipe, gjithçka është e madhërishme, përjetësuese, e dhimbshme, imazhet e shfaqura në vargje janë të shenjta, kujtesa universale ka zbritur përmes fjalëve dhe është, po ashtu e pamundur, që, krahas zemrës poetike të mos ndjesh ritmin frymëzues, njëjtë si ndodh tek „ Kori i të Burgosurve „ të Nabukos të Verdit…është i njëjti frymëzim, e njëjta ndjenjë marramendëse që e sjell një poet i madh, njeri i të gjithë shekujve, i përkushtuar i pashoq dhe atdhedashës sublim:

Po sjell vetëm disa strofa:

Gjuha Shqype

Përmbi za që lshon bylbyli,
gjuha shqipe m’shungullon;
përmbi er’ që jep zymbyli,
pa da zemren ma ngushllon.

Ndër komb’ tjera, ndër dhena tjera,
ku e shkoj jetën tash sa mot,
veç për ty m’rreh zemra e mjera
e prej mallit derdhi lot.

Nji kto gjuhë që jam tue ndie,
jan’ të bukra me themel
por prap’ kjo, si diell pa hije,
për mue t’tanave iu del.
…………………………..
Geg’ e tosk’, malsi, jallia
jan’ nji komb, m’u da, s’duron;
fund e maj’ nji a Shqipnia
e nji gjuh’ t’gjith’ na bashkon.

Qoftë mallkue kush qet ngatrrime
ndër kto vllazën shoq me shoq,
kush e dan me flak’ e shkrime
çka natyra vet’ përpoq.

Të pamata janë fushat ku ishte vemendja e Ndre Mjedës. Më mirë nga të gjithë ato i ka studjuar Mentor Quku, dishepulli i madh i Mjedës.

Poezia e Mjedës është në ato rastet madhore që thyen muzgun e kohës dhe bëhet dritë. /KultPlus.com

Të ngjajshme