Përmes aktit trepalësh nga ministritë e Kosovës, shënohet 77 vjetori i Ditës së Bibliotekës Kombëtare

25 Nëntor, 2021 - 4:53 pm

Uranik Emini

Institucioni themelor i ruajtjes së trashëgimisë së shkruar dhe të shtypur në Republikën e Kosovës, kremtoi 77 vjetorin e Ditës së Bibliotekës Kombëtare, me ç‘rast edhe u nënshkrua një marrëveshje gjithëpërfshirëse mes tri ministrive të Kosovës, për krijimin e një rrjeti bibliotekar të Kosovës, shkruan KultPlus.

Në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, e gjithashtu edhe Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal, u nënshkrua marrëveshja për krijimin e një rrjeti bibliotekar të Kosovës.

Zëvendësministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Daulina Osmani, pati një fjalim përshëndetës me rast të nënshkrimit të marrëveshjes dhe ditës ndërkombëtare të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës.

May be an image of 10 people, people standing, suit and indoor

Fjalimi i saj filloi me përshëndetje të të gjithë pranishmëve dhe shprehi kënaqësinë e saj me rast të kremtimit të 77 vjetorit të BKK-së.

“Misioni i Bibliotekës si mision është sigurimi i qasjes së lirë dhe të hapur në burime të shkruara dhe të shtypura për njerëzit të të gjitha moshave dhe të gjitha përkatësive. Bibliotekë është një pjesë e pandashme e zhvillimit të të rinjve. Përmes shërbimeve specifike dhe ofrimit të qasjes në koleksione të larmishme deri më sot, jetësohet përmbushja e nevojave specifike të komunitetit, të cilat lidhen ngushtë me edukimin, rritjes së lejueshmërisë dhe rolit të librit në përgjithësi”, tha Osmani.

Ajo tutje gjithashtu deklaroi se ndjehet shumë e kënaqur për një bashkëpunim të madh mes ministrive.

“Synimi i kësaj marrëveshje është të siguroj futjen e bibliotekave të Kosovës në një formë të përbashkët të shërbimeve bibliotekare, me ç ‘rast bibliotekat kryesore të vendit të kenë mundësi të shfrytëzojnë materialet që biblioteka ofron. Po ashtu ndjehemi shumë të lumtur që BKK po e vazhdon traditën e saj, ku edhe sivjet me rastin e shënimit të kësaj dite do të bëjë ndarjen e çmimit “Pjetër Bodgani”.

Në fund zëvendës ministria tha se MKRS-ja shpreh përkushtim dhe gatishmëri të plotë për rritje të gatishmërisë dhe koordinimit ndër institucional si në nivel qendror dhe në nivel lokal, që të sigurohet zbatimi i këtij projekti”, përfundoi Osmani.

Zëvendës Ministrja Daulina Osmani

Në anën tjetër, edhe Ministrja Arsimit, Arbërie Nagavci, pohoi se një marrëveshje e tillë ka qenë e nevojshme dhe se do të punojnë pa ndalë që të arrihet zbatimi i aktit të nënshkruar.

“Shpresoj që të punojmë bashkë që çdo ditë të jetë ditë e librit. Në kuadër të misionit tonë e së bashku me pasionin e përfshirë, do të punojmë që të zbatojmë në përpikëri marrëveshjen. Do të sigurohemi të aplikojmë çdo gjë që është nënshkruar në këtë memorandum”.

Nagavci gjithashtu zbuloi se janë duke punuar vazhdimisht që të krijojnë edhe biblioteka të reja, por jo vetëm për nxënësit.

“Jemi duke punuar që të krijojmë në biblioteka të veçantë për mësimdhënës, që t’ia mundësojmë këtyre të fundit mësim nxënien më të suksesshme. Do të jemi një partner i përkushtuar që bibliotekat të jenë vende të dashura dhe në vëmendje të të rinjve”, tha ajo në fund.

Ministrja Arbërie Nagavci

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, në fjalimin e tij të rastit uroi të gjithë për ditën e bibliotekës.

“Jam shumë i lumtur që jam pjesë e kësaj marrëveshje. Jam i obliguar që të angazhohem që të mirat dhe këto mundësi të shpërndahen gjithandej në Komunat e Kosovës”, deklaroi ai.

Krasniqi tutje theksoi se Kosova ka bashkëpunime të mëdha me shumë shtete të ndryshme nëpër botë dhe tash janë në momentin të gjejnë arsye dhe aktivitetet konkrete me të cilat mund të bashkëpunojnë.

“Në një udhëtim jashtë shtetit, e patëm edhe temë diskutimi pjesën e krijimit të bibliotekave lokale. Një hapësirë kur të gjithë janë të mirëseardhur, një hapësirë ku në hyrje nuk thuhet qetësi, por mund të vazhdosh përpara dhe të shijosh muzikën në një hapësirë të veçantë. Ky memorandum është diçka shumë e mirë”, përfundoi ministri.

Ministri Elbert Krasniqi

Kjo ishte hera e parë që BKK po mbështetet një projekt, i cili do të mundësojë krijimin e rrjetit bibliotekar në Kosovë. Këtë gjë e pohoi edhe drejtori i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, Fazli Gajraku, i cili falënderoi ministrat Çeku, Nagavci e Krasniqi për mbështetjen e veçantë.

Marrëveshja e memorandumit që u nënshkrua sot ka qëllimin e vetëm përfshirjen e bibliotekave të Kosovës në një Platformë të Shërbimeve Bibliotekare që do të mundësojë krijimin e një rrjeti funksional të bibliotekave të vendit tonë. Avancimi i të rinjve duke punuar për të siguruar shërbime më të mira në platformat e reja, formate të reja dhe praktika të domosdoshme, janë pikërisht fokus kryesor i aktit trepalësh.

Ndërkaq,  Këshilli drejtues i bibliotekës kombëtare të Kosovës ka ndarë çmimin “Pjetër Bodgani” për profesorin nga Kalifornia e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Robert Montoya.

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, me nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje merr përsipër mbështetjen financiare të projektit me 77 mijë e 632 euro dhe rrjeti i bibliotekave që do të krijohet do të përbëhet nga Biblioteka Kombëtare si udhëheqës e rrjetit, 38 biblioteka publike, 7 biblioteka akademike dhe 2 biblioteka speciale

Dita e themelimit të Bibliotekës është në nëntor të viti 1944 në Prizren, me një koleksion të vogël të librave. Ndërkaq, sot Biblioteka ka një fond bibliotekar me mbi 2 milionë ekzemplarë të materialit të ndryshëm bibliotekar. /KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme