“Sa herë Spinoza përdor fjalën “Zot”, shumica e dijetarëve e kuptojnë se ai nënkupton ligjet e rregullta të natyrës”

8 Shtator, 2019 - 6:31 pm

“Rrugëtim drejt vetvetes” (Kujtimet e një psikiatri) nga Irvin D. Yalom është një nga librat më të lexuar, ku shtjellohet për mrekulli filozofia e Niçes dhe e Frojdit. Këtu kemi një pjesë të shkëputur nga ky libër ku shtjellohet pyetja mbi Zotin si dhe përgjigja e Spinozës mbi këtë pyetje, KultPlus.com

“Isha adoleshent kur dëgjova për herë të parë përgjigjen e Ajnshtajnit për teorinë e kuanteve: “Zoti nuk luan zare me universin”. Si shumica e djelmoshave adoleshentë me prirje nga shkencat ekzakte, unë e nderoja Ajnshtajnin dhe u habita kur mora vesh që ai besonte në Zot. Ky fakt vuri në pikëpyetje skepticizmin tim fetar, ndaj kërkova shpjegim nga mësuesi im i lëndëve shkencore në shkollën e mesme.

Përgjigja e tij: “Zoti i Ajnshtajnit është Zoti i Spinozës”. “Ç’kuptim ka kjo? – pyeta. – Kush të jetë Spinoza vallë?” Mësova se Spinoza ishte një filozof i shekullit të shtatëmbëdhjetë dhe pionier i revolucionit shkencor. Edhe pse shpesh ai i referohej Zotit nëpër shkrimet e tij, komuniteti hebre e kishe përjashtuar për herezi në moshën njëzetekatërvjeçare dhe shumë dijetarë, për të mos thënë shumica e tyre, e shikonin si një ateist të fshehtë.

“Do të ishte e rrezikshme, -më tregoi mësuesi, – që Spinoza të shprehte skepticizmin e tij për ekzistencën e Zotit në shekullin e shtatëmbëdhjetë, ndaj ai e mbronte veten duke futur shpesh fjalën Zot.” Megjithatë, sa herë Spinoza përdor fjalën “Zot”, shumica e dijetarëve e kuptojnë se ai nënkupton ligjet e rregullta të natyrës”

Të ngjajshme