“Shitësi”: Odisejadë moderne e njohjes dhe rikthimit te vetja midis vorbullës temporale dje/sot

17 Prill, 2024 - 10:31 am

Recension mbi romanin “Shitësi” të Andrin Aliut, nga studiuesja letrare, Rrezartë Morina.

Ngjizja e letërsisë mbi substratin multidimensional të përftuar nga realiteti dhe procesi kompleks i të jetuarit është një dukuri e pashmangshme e artit dhe procesit krijues. Që nga pikëpamja aristoteliane mbi imitimin e realitetit si instinkt natyror të njeriut, edhe letërsia sipas po kësaj pikëpamjeje lind e frymëzuar prej proceseve jetësore, prej vetë kompleksitetit të qenies dhe interaktivitetit, jo rrallë konfliktuoz, me ambientin, shoqërinë, jetën.

Mbi një logjikë të tillë, duke marrë krahë nga një kontekst i përcaktuar i një rreziku identitar, social, politik, kulturor të popullit shqiptar të Kosovës në njërën anë dhe vetë kompleksitetit të qenies në anën tjetër, autori i ri në botën e letrave shqipe, Andrin Aliu, gdhend po këtë realitet, duke sjellë një roman në të cilin pasqyrohet konflikti, kriza identitare e qenies njerëzore përplasur në vorbullat e një të kaluare të trishtë plot humbje, zhgënjim (referuar luftës në Kosovë) dhe përpjekjes për ndërtimin e një identiteti të ri.

Me personazhe që luftojnë midis binomit kontrastiv e kaluar/e tashme, “Shitësi” artikulohet si një roman brenda të cilit manifestohet odisejada e përhumbjes, kërkimit dhe përpjekjes për rikthim te vetja brenda kornizës së një shoqërie dhe një Kosove reflektuar brenda një diversiteti prizmash kohorë e kulturorë, manifestuar si preokupim i personazheve të romanit për anomalitë shoqërore, politike, kulturore, religjioze, psikologjike të popullit shqiptar ndër periudha historike. Ndaj, ndanë konfliktit internal të qenies për ta rikthyer identitetin, romani shpërfaq një portret të përgjithshëm të shqiptarit, vë në pah frymën e trashëguar, si vazhdim i një shoqërie tradicionale dhe identitetin e kësaj shoqërie në kohët moderne.

Me një titull minimal e nominativ, ky roman e nis rrugëtimin si mishërim i përçapjeve të rëndomta ekonomike e sociale të një familjeje prej dy anëtarësh, për t’u shndërruar në mishërim të përsiatjeve filozofike, psikologjike e identitare të një grupi personazhesh (në mënyrë simbolike një nocioni të tërë). Kështu, romani që hapet me familjen e vogël të Zgjimit, nxënës gjimnazi që për ta mbështetur financiarisht të ëmën u përvishet gjetjes së disa punëve, gradualisht nis e përthith personazhe të reja, që përmes një lidhjeje simbiotike e plotësojnë njëri – tjetrin. I vetëdijshëm dhe i ndërgjegjshëm për të qenë i dobishëm, Zgjimi pranon të angazhohet si shitës dyqani në fillim, mirëpo gjithçka ndryshon me angazhimin e tij si mirëmbajtës pallati dhe shitës akulloresh duke katalizuar dromcat e para të dinamikës së ngjarjeve në roman. Puna e shitësit dhe mirëmbajtësit që në fillimet e romanit manifestohet si burim financiar për familjen e Zgjimit, gradualisht merr një funksion kompleks, konotativ, duke u transformuar në burimin shpirtëror që në qendër ka të kaluarën e Zgjimit – përkujtimin dhe depërtimin për ta njohur më thellë figurën krenare të të atit dëshmor pikërisht përmes njerëzve të lidhur me profesionet që ushtron. Takimi me xha Murselin (Refikun), Fazilen (Florën) e Mustafain, dy të parët të implikuar me profesionin që ushtron Zgjimi, kthehet në katalizatorin e shpërfaqjes së të kaluarës. Duke qenë të tre miq të ngushtë të të atit dëshmor të Zgjimit, bashkë me ta zgjohet e kaluara dhe po këtu nis krisja, dyshimet e kriza identitare e këtyre tri personazheve mes dy kohëve: e kaluar/e tashme. Brenda krizës për mbijetesë të Zgjimit, vihet përballë kriza për jetesë, rikthimi në jetë i tri personazheve miq të babait të Zgjimit, duke provuar rëndësinë ekzistenciale. Të dalë nga një luftë mizore (lufta e fundit në Kosovë), me përjetime makabre, gati apokaliptike, identiteti i këtyre tri personazheve del i gjymtuar, duke krijuar një situatë kontrastive me të kaluarën e lavdishme. Përballë së kaluarës së lavdishme, simbol i një miqësie plot sinqeritet, idealeve filozofike e vendosmërie atdhetare të patundur të personazheve, ribashkimi i tyre në një të tashme, brenda konturave të lirisë, sjell si produkt një grup të çalë, përfaqësues të dyshimit (Murseli), zhgënjimit (Fazilja) e pendesës (Mustafai). Midis një transformimi fatal identitar, i vetmi element neutral kthehet reflektimi i Gëzimit (babai i Zgjimit), që vjen përmes të birit si element balancimi, vetë përzgjedhja e emrit të të cilit është indicie, e zgjimit të së kaluarës, kërkesës e thirrjes për reflektim, për rigjetje të vetes midis përhumbjes dhe frikës për të gjurmuar në të kaluarën.

Por, midis kësaj përplasjeje kohore e kaluar/e tashme, zgjidhja e vetme mbetet rigjetja paradoksale përmes heshtjes, harrimit e kamuflazhit identitar:

      Do të jemi sërish bashkë,
kur të bëhemi dikush tjetër

Ky mendim i shprehur që në parahyrje të romanit manifestohet si paralajmërim i gjithë odisejadës dhe e paraqet të kaluarën në dy fytyra inverse:

a) e kaluara bashkon përmes evokimit të kujtimeve plot ëndje

b) e kaluara ndan përmes evokimit të fatkeqësive

Midis këtij kontrasti të së kaluarës, e vetmja zgjidhje mbetet heshtja, fshehja brenda një identiteti të ri. Ndaj, Mustafai që ende ruan emrin e së kaluarës mund ta shijojë ribashkimin me shoqërinë e vjetër vetëm në suaza të kamuflazhit identitar të Refikut e Florës, tashmë të identifikuar si Mursel e Fazile, në të kundërtën çdo kthim në të kaluarën është evokim i fatkeqësisë dhe si rrjedhojë edhe krisje e grupit.

Përtej krizës identitare dhe qetësisë që siguron kamuflazhi, heshtja dhe e vërteta iluzive e krijuar dhe pranuar nga të dy palët e grupit, romani bëhet një muze brenda të cilit ruhen tablo të shoqërisë dhe vetë Kosovës në dy pamje: Kosova e luftës dhe Kosova e paqes.

Me penelatë të trashë, autori Aliu, me rrëfimet e vendosura në gojën e personazheve ilustron finesa të një të vërtete historike të Kosovës, duke ekspozuar mizanskena të dëbimit, mizorisë serbe e sidomos me theks në masakrën e burgut të Dubravës, masakër kjo që tjetërson personazhet e veprës, qoftë si humbje fizike (vrasja e Gëzimit, babait të Zgjimit) a qoftë përhumbje shpirtërore, identitare e individuale (krizat post-traumatike që vazhdojnë t’i shfaqen Murselit/Refikut si dëshmitar i kësaj ngjarjeje). Këto mizanskena, të përshkruara herë – herë me imtësi, bëhen reflektim i atdhedashurisë dhe altruizmit për atdhe. Ngjizur tragjicitetit të vrasjeve, brenda këtij portreti të Kosovës së luftës shkëlqen heroizmi dhe trimëria e popullit shqiptar, megjithatë për t’u davaritur në tabllot e Kosovës së paqes.

Bashkëdyzimi tragjizëm e heroizëm i kohës së luftës lë pas vetëm tragjizmin dhe kritikat për një shoqëri të kohës së pavarësisë. Rrëmimi nëpër të gjitha poret e jetës së shoqërisë sonë përfton një portret të Kosovës së paqes që konstruktohet mbi një varg kritikash karshi gjendjes politike, religjioze, shoqërore e ekonomike të vendit. Duke vënë theksin në varfërinë shoqërore, lakminë, egoizmin, hipokrizinë e harbutllëkun e përfaqësuesve të politikës e punëdhënësve, romani përpiqet të japë një pamje besnike të realitetit të vendit, pa lënë anash këtu shqetësimet e natyrës globale (ndryshimet klimatike, katastrofat arkitekturore si degradim i natyrës e ambientit). Brenda imazhit të Kosovës moderne, romani nuk ngurron shqyrtimin e temave tabu – bisedat e Zgjimit me Gresën mbi homoseksualitetin, incestin (që tejkalon diskutimin duke u kthyer në vepër të realizuar); revolta e heshtur që shfaq gjyshi i Zgjimit me rrëfimin e tij mbi pamundësinë për t’u shkolluar janë momentume të cilat, pavarësisht gjykimit me një ton kritik të Zgjimit, pasqyrojnë nevojën e lirisë individuale si vlerë.

E nëpër kornizat e një morie tabllosh të peizazheve urbanistike e rurale të Kosovës ndryhen emocionet e konceptet filozofike, të katalizuara prej personazheve kryesore të veprës, duke përftuar universalitet në roman. Ndjenja e dashurisë përjetuar si glorifikim, koncepti i vdekjes e kalueshmërisë së kohës përjetuar si frikë e dyshim, koncepti i miqësisë manifestuar si vlerë janë motivet që ravijëzohen nëpër disa prej momentumeve kruciale të romanit.

Shpalosja e gjithë multiversit tematik të këtij romani realizohet nëpërmjet një galerie personazhesh, në të cilën gërshetohen një diversitet moshash, gjinish, bindjesh morale, shoqërore e politike duke derivuar në kolorizëm, që nga personazhet që meditojnë mbi kuptimin e fshehtësitë e jetës duke i dhënë jehonë natyrës iluministe (Zgjimi, i ati i Zgjimit, xha Murseli, Fazilja), e gjer në personazhet pragmatike, ekzistenca e të cilave vibron vetëm brenda përditshmërisë (xha Faruku, teto Fatimja), duke ndërtuar kështu tipat e personazheve triviale, por të domosdoshme për ilustrimin e realitetit praktik. Mes gjithë këtij diversiteti piketohet odisejada në të cilën brumoset karakteri i protagonistit – Zgjimit. Portretizuar nëpër të gjitha fazat e rritjes, që nga foshnjëria e gjer në adoleshencë, brenda Zgjimit ndryhet qetësia, maturia, mendja kritike e me finesa filozofike, trashëguar prej të atit. Pjekuria që rrezaton përgjatë të gjitha fazave e që jo rrallë ngjallë habi te lexuesi bëhet vula mbi të cilën Zgjimi, jo vetëm se trason të njëjtën rrugë të të atit, por përmbush kushtet për të qenë strumbullari i gjithë odisejadës që ndjekin personazhet e vëna në kërkim të vetes.

Me po aq kolorizëm paraqitet edhe rrafshi temporal i aspektit narrativ të romanit. Duke mbuluar një hapësirë të gjerë kohore e vendore, autori Aliu tregon shkathtësi duke manovruar me kohën në roman, e cila rrëshqet vazhdimisht midis së kaluarës e së tashmes.

Në një multivers ngjarjesh që strukturalisht i ngjan një mozaiku, përmbushur nëpërmjet kujtimeve të së kaluarës dhe ndodhive aktuale të kohës reale të personazheve, aplikimi i analepsave bëhet domosdoshmëri. Përmbushjen identitare personazhet s’kanë se si ta gjejnë pa u kthyer prapa në kohë, ndaj evokimet e vazhdueshme, që shpesh amplifikohen si evokim i shumëfishtë (evokim brenda evokimi) përftojnë pikërisht analepsat zhenetiane të rrëfimit. Këto evokime, derivuar herë si elemente kruciale të funksionalizimit të temës kryesore e herë si digresione – informacione të jashtme plotësuese për personazhet kanë thyejnë identitetin e një romani linear duke i dhënë si rezultat një strukturë komplekse. Për më tepër, loja temporale nuk realizohet vetëm si kthim prapa, mirëpo edhe përmes lëvizjeve proleptike, që manifestohen në roman si paralajmërime për fatin e disa prej personazheve, një lloj profecie që arrin përmbushjen gjer në fund. Në anën tjetër, natyra e romanit që ngrihet mbi një rrugëtim në kërkim të diçkaje ka shtuar momente të suspansës – fati ende i pazgjidhur i grupit, identiteti ende i vagullt i personazheve (Murselit e Faziles) katalizojnë kërshërinë e habinë te lexuesi.

Në një ndërthurje mes analepsash e prolepsash shkrihet edhe një spektër tonesh që varion nëpër të gjitha nuancat që nga toni emotiv (gjer në krajatat emocionale të Zgjimit si rezultat i humbjes së papritur të së ëmës), për të ravijëzuar në tonin serioz (burim i gjykimit të ftohtë dhe racional të personazheve), satirik e kritik (teksa vë në shpoti anomalitë e secilës hallkë jetësore në Kosovë) e gjer në atë humoristik (përmes nuancave të humorit, si ilustrim i çiltërsisë familjare).

Përgjithësisht, me një spektrum divers tonesh e stilesh që përshkruajnë në imtësi pamje e ndjesi; me një strukturë komplekse që end rrëfimin nëpër dimensione diverse kohore gjer në përftimin e produktit final, ky roman bëhet portret i përpjekjes së individit për t’u mbijetuar plagëve të së kaluarës. Derisa penelatat e holla, ngjyer brenda koncepteve psikologjike frojdiste e filozofike, i bëjnë jehonë individit që kërkon të jetojë, qoftë edhe duke harruar e duke qenë i harruar, penelatat e trasha deskriptive të vendit tonë japin përfundimisht imazhet besnike ku përplasen glorifikimi për shoqërinë fisnike të së djeshmes me mllefin për shoqërinë hipokrite të së tashmes. / KultPlus.com

Të ngjajshme