Vlora Ademi, Mario Paloka dhe Marsela Neni, fitues të edicionit të dymbëdhjetë në “Ora e Muzës”

22 Tetor, 2023 - 9:50 pm

Sot në Lezhë, në kuadër të ditëve të Fishtës, Klubi Letrar “Ndoc Gjetja” organizoi edicionin e dymbëdhjetë të manifestimit letrar Ora e Muzës, me ç’rast poetë nga mbarë trojet shqiptare janë prezantuar me poezitë e tyre.

Në mesin e 64 krijimeve, sot u lexuan vetëm 30 dhe u zgjodhën tre fituesit e këtij edicioni. Juria e përbërë nga prof. Suela Bala, prof. Primo Shllaku dhe prof. Salvator Gjeçi fitues të këtij edicioni shpallën Vlora Ademin nga Prishtina me poezinë e saj “Tradhëtom me tana gratë e botës!”, Mario Paloka nga Lezha me poezinë “Kaqurreli i saj i kaftë” dhe Marsela Neni nga Elbasani me poezinë “M’duhet nji paskajore për me kndu”.

Anëtarja e jurisë së këtij edicioni, prof. Suela Bala, thotë se prurjet ishin të shumta dhe me një perfaqësim dinjitoz edhe këtë edicion të Orës së Muzës dhe të gjitha krijimet kanë ardhur jashtë klisheve e jashtë folklorizmave ndaj edhe aktiviteti shënon një gurthemel të vazhdimsisë së kësaj tradite.

Ndërsa kryetari i Klubit Ndoc Gjetja, Lan Koka tha se takimi ka për qëllim të mbledhë poezinë e mirë dhe pjesmarrja tregon për rëndesinë që ka marrë Ora e Muzës në Lezhë. / KultPlus.com

Të ngjajshme