AJO gërmon në rrënjët shqiptare, sjell albumin me temat më të thella të kombit

27 Qershor, 2019 - 1:46 pm

Jeta Zymberi

Dikur e njohur për muzikën dhe stilin e saj të veçantë, Vjollca Robelli- Mripa tani me emrin artistik AJO, është kthyer në skenë me shumë risi e muzikë të re, shkruan KultPlus.

Këngëtarja që të gjithë e kujtojnë më së shumti për hitin e saj “Ajo” të vitit 2002, ka kohë që është larguar nga Kosova dhe jeton në Londër por për KultPlus tregon se kjo pikërisht i ka ndihmuar të zbuloj e hulumtoj zhanre të reja të muzikës në këto vite sa nuk ka qenë aktive në skenë.

“Njerëzit më njohin si Vjollca Robelli- Mripa, por meqë ky projekt është menduar të publikohet në vende të ndryshme të botës dhe që kultura jonë të promovohet në nivel ndërkombëtar, atëherë emri ishte shumë i gjatë dhe bashkëshorti më propozoj që të marrë si emër artistik AJO meqë edhe të gjithë më njohin me këtë këngë”, tregon AJO për KultPlus.

Bashkë me emrin, AJO ka ndryshuar edhe stilin e muzikës. Nga stili alternativ i fillimit të karrierës së saj, AJO tani do të sjell për publikun një zhanër të veçantë të muzikës. Albumi i ri i saj, në të cilin është ende duke punuar është pjesë e muzikës world, e ka edhe elemente të jazz muzikës dhe asaj elektronike. I gjithë albumi i saj, EP, përmban 6 këngë në të cilat tregon se ka punuar shumë vite por puna më e madhe dhe intensive është bërë në dy vitet e fundit.

Kënga i parë nga ky album është “Besa”, e që bashkë me video vjen premierë këtë të premte.

Video e këngës “Besa” është drejtuar nga Astrid Steiner, ndërsa për veshjet e artistes është përkujdesur disenjatorja e njohur kosovare Besa Rugova, stylingu nga Arjeta Grapci, Laurent Azemi – fotograf, Farah Maakel – valltarët e videoklipit dhe producentë Urim Mripa e Vjollca Robelli Mripa.

Artistja tregon se kënga dhe sidomos mesazhi janë të veçanta për të dhe e sheh si porosi për gjithë shqiptarët në këtë kohë. 

“Besa është zakon veç tek shqiptarët dhe është virtyt që na ka karakterizuar ndër vite si popull. Por, besa është duke u harruar dhe unë dua të promovoj anët pozitive të besës, atë se si ne si popull kemi qenë të fjalës dhe kjo është për tu vlerësuar”, thotë AJO.

Por, jo vetëm kjo. Artistja tregon se inspirimi kryesor i albumit, është prejardhja e saj dhe në përgjithësi kultura dhe traditat shqiptare që thotë se dëshiron të ia tregoj botës.

“Është edhe mikpritja jonë me të cilën duhet të krenohemi e që përmendet gjithashtu në këngën “Besa”. E çmoj këtë virtyt që e kemi, i ofrojmë njerëzit, i ftojmë në shtëpi, iu ofrojmë bukë e zemër, i respektojmë njerëzit kur i kemi në shtëpi dhe këtë në formën siç është tek shqiptarët, nuk e gjen askund në botë”, shprehet artistja, e që përmes muzikës së saj dëshiron të promovojë këto vlera në skenën ndërkombëtare por edhe shton se janë këngë që secili kur i dëgjon të ndjehet krenarë për shumë virtyte që kanë shqiptarët, e që kanë filluar të harrohen ndër vite.

Kënga “Besa” vjen si mesazh për popullin kosovar që të bashkohen e të lënë anash inatet e ndarjet mes vete.  

Atë por edhe dy këngë tjera, ‘Nana’ dhe ‘Burrneshat’, AJO i ka shkruar dhe komponuar vetë, e që janë pjesë e albumit.

AJO tregon se kënga ‘Nana’ është e veçantë dhe personale për të e përmes saj tregon se ka dashur të tregoj madhështinë e gruas.

“Nana” është këngë që e kam shkruar kur kam qenë shtatzënë me djalin e vogël. Atëherë isha duke u bërë nënë për herë të katërt dhe gjithë ato ndjenjat si nënë i kam shpreh përmes këngës. Atë kohë isha shumë e lodhur por e lumtur pafund që po vjen një fëmijë tjetër në jetë, por frika se a do të ia dal, lodhja, ndryshimet në trup të cilat i përjetojnë gratë gjatë kësaj periudhe, mundimet, pagjumësia e të gjitha këto gjëra do të vijnë përmes kësaj kënge. Është një këngë shumë prekëse sepse në përgjithësi çmohet e tregohet roli i nanës”, është shprehur AJO për KultPlus teksa pohon se kjo këngë pritet të publikohet para muajit shtator.

Pjesë tjetër e albumit janë edhe tri këngë të cilat janë ripërpunime të këngëve të vjetra shqiptare. “Baresha” është njëra prej tyre. Ndonëse kjo këngë është ripërpunuar edhe më herët nga artistë të ndryshëm, AJO premton se ky ripërpunim është krejt ndryshe dhe tejet i veçantë.

“Kur kam filluar ta punoj këtë këngë inspirimi më ka ardhur prej handpan, instrument që ka filluar të përdoret fillimisht në Zvicër dhe kur e kam dëgjuar një bend duke luajtur, aty më ka ardhur inspirimi për ta punuar ‘Bareshën’. Mandej kam kontaktuar muzicientë që luajnë handpan dhe kemi punuar bashkë për të risjellë këtë këngë në një mënyrë krejt ndryshe. Mënyra qysh tash është përpunu është shumë më e rrjedhshme dhe e lehtë për ta dëgjuar. Kënga tjetër është “Zare” dhe e fundit është “Zogo”, këngë me të cilat unë jam rrit”, tregoi tutje AJO.

Muzikantët që kanë punuar në këtë album janë të vendeve të ndryshme, nga Italia, Portugalia, Austria e Anglia dhe secili prej tyre ka sjell gjëra të veçanta në komponimet e artistes kosovare. Miksi i këtyre këngëve është bërë nga kompozitori dhe producenti shumë i njohur Andrew Phillips i cili është nominuar për Emmy dhe Oscar.

“Ai kur e ka dëgjuar albumin i ka pëlqyer shumë, sidomos zëri për të cilin ka thënë se është shumë unik dhe mënyra e këndimit është shumë e veçantë. Temat që i kam trajtu në këtë projekt, ritmi i muzikës, mënyra qysh është komponu, për atë ka qenë diçka shumë e re dhe është fascinuar. Jam shumë e lumtur që ai ka bërë këtë miksim. Ka qenë nder i madh për mua që ai e ka vlerësuar në këtë mënyrë albumin tim”, tregon artistja për përvojën me producentin e njohur.

Megjithëse AJO muzikën e saj do ta prezantojë kryesisht në botë, të gjitha këngët e albumit janë në gjuhën shqipe.

Por, AJO planifikon që projekti i saj megjithatë të dëgjohet fillimisht në trojet shqiptare, duke nisur me një koncert në Prishtinë dhe pastaj edhe në qytete e vende tjera të rajonit.

Pas publikimit të këngës së parë, ‘Besa’, këtë të premte, AJO pritet që të gjithë albumin ta sjell në një koncert në kryeqytet në muajin shtator. Bashkë me të pritet të vijnë edhe muzikantë të njohur botëror që tanimë janë pjesë e projektit.

Pas kësaj, AJO pritet të mbaj një koncert në Londër, ku edhe jeton e pastaj ka plane ta prezantojë muzikën e saj në vende të ndryshme të botës.

AJO për këtë projekt ka bashkëpunuar me artistë ndërkombëtarë e vendës: Aram Zarikian – bateri, Danny Rico – piano, William Collier – bass kitarë, Alessio Marzo – handpan, Xhemil Gjini – perkusione, Andreë Phillips – miksimin e albumit – EP, Max Gilkes – master – 1sonicproduction.

Për më të rejat nga artistja AJO do të mund të informoheni në rrjetet e saj sociale si: https://www.facebook.com/vjollca.mripa
https://www.instagram.com/vjollcarobelli/?hl=en / KultPlus.com

Fotografitë nga Laurent Azemi

Të ngjajshme