Akil Koci merr Çmimin për Vepër Jetësore ‘Niketë Dardani’

24 Tetor, 2018 - 11:57 am

Gili Hoxhaj

Sot ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, në një ceremoni solemne ka bërë ndarjen e Çmimit Kombëtar për Veprimtari Jetësore “Niketë Dardani” për vitin 2017 dhe çmimeve tjera vjetore për muzikë.

Çmimin për Vepër Jetësore ‘Niketë Dardani’ e mori kompozitori Akil Koci, shkruan KultPlus.

Ministri i Kulturës, Kujtim Gash tha se për të si ministër për Ministrinë e Kulturës dhe Qeverinë e Kosovës është nder i veçantë që ka krijues e talent të tillë në Kosovë të cilët me veprimtarinë e tyre e kanë mbajtur gjallë muzikën e kulturën shqiptare.

“Çmimet që i ndajmë sot janë mirënjohje për punën e juj. Ne ndihemi krenar për punën që e keni bërë në të gjitha etapat dhe është moment historik që kanë ardhur rrethanat ta mbështesim punën e juj jo vetëm financiarisht por edhe për vlerësimin, e di gjithnjë se veprimtaria artistike nuk paguhet me vlera monetare”, u shpreh Gashi

Çmimi për vepra vokale- instrumentale iu nda kompozitorit Kristë Lekaj , Çmimi për Vepër Orkestrale, simfonike dhe koncertale iu nda Mehdi Megjiqit, Çmimi për vepra kamertale iu nda Ardian Halimit kurse Cmimi për Vepër korale iu nda Kushtrim Alickaj, ndërsa Çmimi për vepra solistike dhe duo iu nda kompozitorit Blond Krasniqit.

Akil Koci falënderoi Ministrinë e Kulturës dhe jurinë ndërsa tha sa ka menduar që ka rënë në harresë, pasi që tash e sa vite jeton jashtë Kosovës prej nga nuk është ndarë krijimtarisë se tij.

“Kjo ditë për mua është ditë fantastike dhe e gëzimit pasi që kolegët e mij edhe unë nuk më kanë harruar dhe shpresoj qe ata do të vijnë shpejtë në këtë ditë. Faleminderit që nuk më keni harruar për kontributin tim modest”, u shpreh Koci në ceremoninë e mbajtur sot.

Çmimet ndahen në bazë të Rregullores për Dhënien e Çmimit Kombëtar për Veprimtari Jetësore “Niketë Dardani” dhe Çmimeve për Vepra Muzikore./ KultPlus.com

Të ngjajshme