займ на карту онлайн потребительский кредит

Aurela Krasniqi fiton çmimin kryesor në Festivalin e këngës popullore “Kosovarja Këndon”

27 Nëntor, 2020 - 10:40 pm

Medina Pasoma

Edicioni i 48-të i Festivalit të Këngës Popullore “Kosovarja Këndon” bashkoi zëra të vajzave të talentuara. Çmimin kryesor në këtë përvjetor kur ky organizim iu dedikua të mbijetuarëve të dhunës seksuale, e rrëmbeu Aurela Krasniqi, shkruan KultPlus.

Festivali i cili i kishte rezistuar vështirësive të luftës e të paqes, arriti të organizohej në Ferizaj sonte pavarësisht pandemisë. Kësaj here, përveç përballjes me virusin e padukshim njerëzor, ky festival përqoi edhe një mesazh tjetër.

Lulja anemonë kishte marrë vendin e saj në çdo pjesë të festivalit, në skenë, te konkurrentet, ansambli dhe moderatorja. Nga çdo anë, kombinimi i ngjyrave vjollcë-verdhë përçonin shpresë. Kjo lule e cila ishte simbol i fushatës “Bëhu Zëri im” nga QKRMT, shprehu përkrahje ndaj të mbijetuarëve të dhunës seksuale në këtë organizim.

Nga ana tjetër 13 zëra të talentuar me pjesëmarrje nga Prishtina, Gjilani, Fushëkosova, Obiliqi e Artana për shkak të pandemisë u detyruan të këndojnë pa duartrokitjet e publikut, ndërkaq vajzave të Preshevës e të Shqipërisë iu privua tërësisht pjesëmarrja për shkak të gjendjes së krijuar. Secila nga to garuan për tre çmimet e para, çmimin “Nexhmije Pagarusha” dhe çmimin “Skënder Idrizi”.

Përderisa ulëset ishin të zbrazëta, ato morrën vendet e tyre në skenë me radhë, duke sjellur nëpërmjet interpretimeve të tyre këngë popullore që kanë hyrë në historinë e kulturës dhe muzikës shqiptare.

Për t’i shoqëruar me tingujt e harmonikës, klarinetit, flautës, gitarës, violinës dhe instrumenteve të tjera prezente ishte Ansambli i Këngëve dhe Valleve “Kastriotët” me formacion të zgjeruar nën udhëheqjen e Fitim Bytyqit, të cilët ishin edhe organizatorët e këtij Festivali të muzikës popullore.

E para e cila performoi në skenë ishte fituesja e edicionit të kaluar, Alma Haxhiu me këngën “Kno bylbyl me ma t’madhin za”. Pas saj, nën moderimin e Vjosa Abazit këngëtaret konkurrente i falin publikut virtual emocione të paharrueshme, të buruara nga pjesë muzikore të cilat kulmojnë kulturën shqiptare.

Blerina Musa me këngën “Kur më shkon si zog n’hava”, Arjanita Zymberi nëpërmjet pjesës artistike “Doli goca në penxhere”, Shpresa Krasniqi me “Moj bardhoke”. Aurela Krasniqi duke performuar “Valsi i lumturisë”, Anesa Bunjaku me këngën “Kroi i fshtatit tonë”, Diana Mehmeti nëpërmjet “Kur bjen fylli e çiftelia”, Blerta Curri me performancën e “Të deshta me hakikat, Patrisa Piskala  me “Fërfëlloj thëllënza”,  Anduena Ramadani me këngën “Dua më shumë Shqipërinë” , Diellza Dedushi  nëpërmjet performancës me “Nënë moj”, Flandra Aliu me këngën “Rrallë kam pa këso bukurie”, Naile Halili nën interpretimin e “Një Lule” dhe Anisa Shabani me “Zambaku i Prizrenit” përmbyllën performancat garuese të këtij edicioni.

Pas këtyre interpretimeve, radha ishte që juria e përbërë prej solistes dhe veteranes së festivalit Shpresa Berishës, sopranos Arta Jashari soprano, profesoreshës dhe muzikologes Rreze Kryeziu, kritikut muzikor Sami Piraj dhe Murat Baliu të vendosnin për fitueset e çmimeve. Përgjatë kësaj kohe, skena nuk mbeti e zbrazët. Liridon Sadriu, Alma Haxhiu, Mentor Haziri dhe potpuria e udhëhequr nga Elife Podvorica i falin muzikë të mirë publikut, duke i bërë konkurrentet të jenë edhe më kureshtare për vendimet e jurisë.

 Çmimin e parë të këtij edicioni e morri Aurela Krasniqi me këngën “Vals i Lumturisë” të cilin ia dha Xhemile Murati Shabani. Çmimin e dytë do ta jepte Berisha Rexhepi për konkurrenten Naile Haliti. Çmimi i tretë shkoi në mes dy këngëtareve, për perfomancën e këngës “Zambaku i Prizrenit” nga Anisa Shabani dhe “Nënë moj” nga Diellza Dedushi, të cilave ia dorëzoi Murat Baliu. Në anën tjetër, çmimin “Nexhmije Pagarusha” nga kori i grave “Nexhmije Pagarusha” e dhuroi Nazlije Beadini për performuesen Diana Mehmeti. Anesa Binaku u bë fituese e çmimit “Skënder Idrizi” nga Klubi i gazetarëve “Haki Braha”.

Për fund, fituesja e çmimit të parë risjelli edhe një herë emocionet që i dha publikut nëpërmjet këngës “Vals i lumturisë”, duke e kënduar edhe një herë.

Ky organizim muzikor ishte përkrahur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit si dhe Drejtorisë për Kulturë në kuadër të Komunës së Ferizajit. / KultPlus.com

Të ngjajshme