“Baresha”, kryevepra e Nexhmije Pagarushës (VIDEO)

30 Dhjetor, 2020 - 10:16 am

Viti që po lëmë pas mori disa nga figurat më të shquara të artit shqiptarë. Në kujtim të tyre, KultPlus sot do t’i kujtojë përmes veprës që lanë pas.

Data 7 shkurt e vitit 2020 mori “Bilbilin” e muzikës shqipe, Nexhmije Pagarushën.  

Vdekja e Pagarushës, ishte një ndër humbjet më të mëdha që ka përjetuar arti shqiptarë, por pasurinë artistike që ajo la pas do të jetojnë e ta mbajnë gjallë përgjithmonë.

Veprimtaria e saj muzikore 40-vjeçare është aq e gjerë, sa që është vështirë të thuhet se cilit zhanër i takon. Është e njohur për interpretimet e saj të shkëlqyera në muzikën popullore dhe opera.

Nexhmije Pagarusha ishte edhe aktore e suksesshme, si në film ashtu edhe në teatër.

Në Beograd vijoi shkollën e muzikës për solo kanto, të cilën ajo e la në vitin e tretë dhe nuk e vazhdoi më. Po ashtu atje kishte paraqitjen e parë muzikore në skenë. Në vitin 1948 kur është pranuar soliste në Radio Prishtinë.

Bashkëpunoi edhe me këngëtarët nga Shqipëria dhe u paraqit edhe në Shqipëri me ansamblin “Shota” me rastin e një turneu.

”Baresha” është një ndër kryeveprat e interpretimit të saj. Kjo këngë u kompozua nga bashkëshorti i saj Rexhep Mulliqi me tekstin e poetit Rifat Kukaj.

Nexhmije Pagarusha interpretoi në një koncert të muzikës klasike veprat e përkthyera shqip të Betovenit, Puçinit, Verdit, etj. Ky koncert ka qenë i pari i këtij lloji. Fatkeqësisht, asnjërit nga organizatorët teknikë nuk iu kishte kujtuar që të regjistronte këtë koncert! Për fat të keq, nuk janë evidentuar as të gjitha koncertet dhe repertori i këngëve të kënduara nga ajo, ngaqë, siç ka thënë ajo një herë, për të vetëm muzika ishte me rëndësi; ajo dhe muzika ishin një. Mendohet se ajo ka interpretuar mbi 150 këngë.

Nexhmije Pagarusha ikona e muzikës shqipe, ishte e njohur si një grua e cila gjatë gjithë karrierës së saj i ka shërbyer me nder dhe dashuri atdheut të saj përmes artit. 

Disa nga këngët që Nexhmija ju dha jetë përmes zërit të saj e shpirtit artistik janë: “Baresha”, ”Ani mori nuse”, ”Mora testin”, “Kur më shkon si zog n’hava”, “Kur më del në derë”, ”Ke selvitë”, “Ç’u ngrit lulja në mëngjes”, “Çil njat zemër plot kujtime”, “Dallëndyshe”, “Një lule”, “Zambaku i Prizrenit” e shumë të tjera.

Më 2018 Pagarusha u vlerësua me “Medaljen e Mirënjohjes” nga presidenti amerikan, Donald Trump.

KultPlus, kujton sot mbretëreshën e muzikës shqiptare, përmes këngës “Baresha”, një këngë e pavdekshme që qëndron stoike përkundër prurjeve të reja. / KultPlus.com

Të ngjajshme