‘Brit Awards’, dëshmi se muzika pop mund të ketë sukses, cilësi e laramani

13 Maj, 2021 - 6:28 pm

Industria përnjohu mega-yjet, por nuk shpërbleu vetëm suksesin komercial, dhe më në fund po ushqen më shumë sesa një grusht të vogël artistësh

Ju mund t’i shihni, nëse keni këtë prirje, fituesit e sivjetmë të “Brit” si kundërpërgjigje ndaj atyre të vjetshmëve. Pabarazia gjinore në nominimet e 2020-s – në kategoritë me gjini të përzier, një artiste britanike mori një përzgjedhje – pati lënë në hije vetë ngjarjen: “në frymën e qëndrueshmërisë, ‘Brits’ po riciklojnë çdo lloj arsyetimi për atë pse ishin kaq pak femra të nominuara”, kishte thënë komediani Jack Whitehall, jo në një show televiziv, por në mes të ndarjes së çmimeve.

Por këtë vit, në një ceremoni që ashiqare përpiqej t’ia dilte mbanë me kufizimet e COVIDIT – një audiencë me punëtorë kyç, të shënjuar me ulëse të zbrazëta, që dukej të ishte me milje larg nga veprimi; shikimi i çuditshëm i njerëzve që morën çmime e që qëndronin dy metra larg shoqi-shoit, a thua se kishin përplasje të furishme pak para ardhjes në skenë – gjashtë nga shtatë fituesit në kategoritë me gjini të përziera ishin femra: vetëm çmimi i vetëm për Harry Stylesin e këngën e tij “Watermelon Sugar” e theu trendin. Me siguri që dikush është duke e bërë një tweet gjithë inat për plotësimin e formularëve, por edhe nëse është kështu, ata nuk duket t’u kenë kushtuar vëmendjeve tabelave gjatë vitit të kaluar. “Brits” ekzistojnë për të vlerësuar suksesin – ju mund të nominoheni për shumicën e çmimeve vetëm nëse keni një album në krye të tabelave apo edhe një single – dhe kështu kjo ndreqje është më shumë një reflektim mbi cilësinë e artisteve që ia dolën mbanë vitin e kaluar.

Ju mund të keni parashikuar që Dua Lipa do të përfundonte me albumin britanik dhe çmimet si solo artiste para se ajo të dilte në skenë me një kostum me flamur të Unionit që dukej t’i afrohej stilit të “Spice Girls” gjatë performancës në “Brit Awards” më 1997: albumi i saj “Future Nostalgia” që u shit në përmasa transatlantike që u ngjit në vendin e parë në 15 shtete dhe që hëpërhë po e shijon javën e vet të 58-të në tabelat e albumeve në Britani, dhe kjo ndjesi e suksesit ndërbreznor të popit me siguri do t’i ketë sjellë asaj vota. Por fitorja e saj u vulos nga cilësia e materialit: një përzierje e zgjuar e discos dhe popit që mban ndikimin e Princeit.

Edhe artistja fituese Arlo Parks tregoi që kur vjen puna te fitorja, ju duhet të keni më shumë sesa veç shitje – ajo mposhti plot të tjerë më të suksesshëm komercialisht falë albumit të saj debutues “Collapsed in Sunbeams”, që bashkoi kritikët dhe adhuruesit e pasionuar me tonin lirik të panxituar e bisedimor dhe rigdhendjen e shpirtit klasik. Nga rapperët e nominuar britanikë, AJ Tracey dhe Headie One kanë pasur singleat më të mëdhenj, por J. Hus fitoi me albumin e tij të dytë “Big Conspiracy”: edhe më i theksueshëm e më introspektiv sesa debutimi i tij “Common Sense”.

Taylor Swift fitoi namin e një ikone që nuk pushon së marri çmime globale, dhe këtë më meritë e jo vetëm pse incizoi dy albume fort të suksesshme derisa ishte në izolim. Përgjigjja e saj bullizuese ndaj një fesati sa i përket pronësisë së mjeshtërve të gjashtë albumeve të saj të para ishte një fitore e madhe mediatike që luante mbi simpatinë e kahershme publike për artistë që manipuloheshin prej një industrie moskokëçarëse muzikore: një lëvizje fort mbresëlënëse shahu që, me albumin e saj të riincizuar, “Fearless”, fitoi një tjetër vend të parë.

Edhe megayjet mbresuan për të mirë në kategoritë ndërkombëtare si Weeknd e Billie Eilish. Por sërish, voltazhi prej yjesh nuk ishte i vetmi faktor: mes tyre ata realizuan muzikë që ngriti rekorde të larta për introversionin dhe ekstroversionin në pop.

Siç mund të prisni për një ceremoni çmimesh të paktën pjesërisht të parashikuar, është një reflektim krejt i qashtër mbi atë se ku po qëndron hëpërhë industria e popit. Ndryshimi në pabarazinë gjinore thotë që industria më në fund mund të bëjë përpjekje për të ushqyer artiste të reja./koha/ KultPlus.com

Të ngjajshme