Dy vepra të vështira dhe një frymë e re muzikore erdhën mbrëmë në Kosova Kamerfest

19 Tetor, 2017 - 12:20 pm

Sihana Badivuku, drejtoreshë e festivalit, tregon se me këtë edicion të 18-të fokusi po kthehet kah rinia dhe instrumentistët e rinj, pasi po mbushen gati dy dekada të festivalit dhe tanimë tek publiku është krijuar një edukatë për muzikën klasike.

Arbër Selmani

Vetëm dy dekada jetë, Andi Duraku secilës garë i vërsulet për fitore. Pianisti nga Gjakova, i lindur në vitin 1997, e ka tanimë një mini-biografi në të cilën figurojnë disa çmime të para, pjesëmarrje në Berlin e në Francë e në Itali, masterklase me emra të njohur të muzikës e instrumenteve klasike.

Andi Duraku mbrëmë për disa minuta qëndroi në piano i përcjellë nga instrumentistët tjerë në koncertin që sjellë frymën e re të instrumentistëve kosovarë, në kuadër të Festivalit të Muzikës Kamertale Kosova KamerFest.

Duraku e nisi këtë koncert të mbrëmshëm shoqëruar nga Sihana Badivuku, Mrika Hocha, Festim Haxhikadria, Dijana Osaj, Pleurat Doli, Festim Fanaj, Rron Bakalli, Vlora Citaku, Fortesa Fejza, Blerim Grubi, Driton Gaxha, Brikena Berisha, Antonio Gashi, Fraim Gashi dhe Miltiades Cassaras. Koncerti i Bahut erdhi në formën e tij më të mirë në pjesën e parë të koncertit, të mbajtur në sallën e re muzikore të Bibliotekës Universitare në kryeqytet, shkruan KultPlus.

Duraku, fitues i “Pianisti i Ri” dhe “ArsKosova 2017” tregon se ndihet i privilegjuar dhe i kënaqur që pati mundësinë të performojë me një formacion të tillë, para një numri njerëzish të cilët mbushën sallën dhe madje pritën në këmbë për të ndjekur koncertin gati dy orësh.

“Unë e interpretova koncertin numër 1 të Bahut, dhe është e vështirë pasi është ndër ato koncerte të rralla ku nuk ka pushime dhe vepra vetëm ecën e ecën si motor. Unë e kam nisur punën për këtë koncert para dy muajsh por gjithçka ishte e lehtë pasi interpretova krahas emrave që janë niveli më i lartë i instrumentistëve që ka vendi ynë” tregon Duraku pas koncertit dhe duartrokitjeve që morri nga publiku.

Profesoresha Besa Luzha, një prej organizatoreve të Kamerfestit në edicionin e tij të parë para 18-të vitesh, tregon se koncerti erdhi i fuqishëm.

“Festivalet e tilla kamertale e kanë këtë qëllim, të tregojnë muzikimin e përbashkët pasi këta artistë takohen për një kohë të shkurtër para koncertit dhe e sfidojnë veten më pas për tu bashkuar në instrumente. Të dy veprat janë të vështira, sikur koncerti në d-mol i Bahut por edhe vepra e Tchaikovskyt, por mendoj se erdhën fuqishëm, si një përzierje e atmsoferës së shkollës ruse por edhe pak emocion italian shkaku i veprës së dytë” tregon Luzha.

Pjesa e dytë e koncertit solli të përthekuar në katër kohë Tchaivkosvkyn, kësaj radhe për sekstet dhe me gjashtë instrumentistë që përcollën mrekullueshëm emocionin duke mos lënë njëri tjetrin prapa në bashkimin e tyre muzikor. Sihana Badivuku e Festim Fanaj në violinë, Blerim Grubi e Driton Gaxha në violë dhe Antonio Gashi e Miltiades Cassaras në violoncello nuk e patën të lehtë të zënë ritmin e shpejtësisë që kërkon një produkt i shkollës ruse, sikur “Souvenir de Florence” nga Tchaikovsky.

Sihana Badivuku, drejtoreshë e festivalit, tregon se me këtë edicion të 18-të fokusi po kthehet kah rinia dhe instrumentistët e rinj, pasi po mbushen gati dy dekada të festivalit dhe tanimë tek publiku është krijuar një edukatë për muzikën klasike.

“Në fakt ne po i përgatisim gjeneratat e reja, sepse janë pjekur kushtet dhe kanë ardhur kuadrot e reja muzikore, njëjtë sikur Andi Duraku i cili sonte ishte i magjishëm por edhe na përfaqësoi denjësisht në Filarmoninë e Berlinit” tregon Sihana për KultPlus.

“Është megjithatë mëkat që festivalet e tilla po përkrahen në mënyrë modeste edhe sot, sepse unë ende i qëndroj parimit të edicionit të parë, se Kosovës duhet t`i vie era Evropë, dhe po punojmë në atë aspekt me të gjithë ekipin por edhe artistët e ftuar në festival” tregon Badivuku.

Festivali Kamerfest do të vazhdojë sonte, me 19 tetor, në ora 20:00 në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare me lojën e Frano Lufit dhe Klevis Gjergjit nga Shqipëria, për të sjellë veprat e Verdit, Schubertit, Mozartit por edhe këngët e ndryshme popullore shqiptare. / KultPlus.com

Të ngjajshme