Ed Sheeran befasoi fansat me një performancë në një pub irlandez gjatë festivalit Fleadh Cheoil në Wexford

7 Gusht, 2025 - 10:50 am

Këngëtari dhe kantautori i njohur Ed Sheeran ka befasuar fansat të martën në mbrëmje duke interpretuar këngë të tij origjinale dhe melodi tradicionale irlandeze në pubin “The Sky and The Ground” në qytetin Wexford, si pjesë e festivalit të muzikës dhe arteve, Fleadh Cheoil na hÉireann.

Sheeran performoi përkrah grupeve irlandeze Amble, BIIRD, Beoga dhe Aaron Rowe, në një atmosferë intime por energjike, duke sjellë tingujt e muzikës tradicionale për një publik të zjarrtë. Për ata që nuk arritën të futen në pub, Sheeran u siguroi një performancë të jashtëzakonshme akustike jashtë lokalit me hitin e tij “Perfect”.

I rritur në Suffolk, Angli, babai i Sheeran është nga Belfasti. Në qershor, ai deklaroi publikisht se identifikohet kulturalisht si irlandez. Sipas Eamon Murray, anëtar i grupit Beoga, Sheeran “e do shumë atë ndjesinë e improvizuar të një sesioni tradicional” dhe ka një lidhje të thellë me trashëgiminë e tij irlandeze:

“Të dyja palët e gjyshërve të tij janë irlandezë, kështu që sa herë që bëjmë diçka me të, ai dëshiron që gjithçka të ketë një theks të fortë irlandez.”

Beoga, që vjen kryesisht nga County Antrim, kanë bashkëpunuar shpesh me Sheeran, përfshirë këtu edhe në suksesin ndërkombëtar “Galway Girl” më 2017. Murray kujton përvojën në Wexford si një nga më emocionueset:

“Kemi qenë në Coachella me Ed dhe në vende të tjera, por nata e djeshme ishte më e rrëmujshme sepse ishte në një bar publik… por janë gjithmonë të këndshme.”

Mbrëmja përfshiu gjithashtu bashkëpunime me grupin BIIRD, ku ata interpretuan së bashku këngën tradicionale “Wild Mountain Thyme”. Publiku këndoi me entuziazëm, ndërsa Sheeran luante kitarën, i shoqëruar nga violinë dhe bodhrán, një daulle tradicionale irlandeze.

Në vazhdim, Aaron Rowe, Amble, BIIRD dhe Sheeran kënduan “Raglan Road”, një poezi nga Patrick Kavanagh, e bërë e njohur nga The Dubliners. Muzika tradicionale vazhdoi me një interpretim emocionues të këngës “The Parting Glass”, një këngë me origjinë skoceze e njohur në Irlandë që nga botimi në librin Irish Street Ballads në vitin 1939.

Fleadh Cheoil është festivali më i madh në botë i muzikës tradicionale irlandeze, i cili mbahet çdo gusht dhe tërheq qindra mijëra vizitorë. Është organizuar për herë të parë në vitin 1951 nga Comhaltas Ceoltóirí Éireann, shoqata e muzikantëve tradicionalë irlandezë.

Në vitin 2026, Fleadh-i do të mbahet në Belfast, një ngjarje e rëndësishme për qytetin dhe për historinë muzikore të Irlandës.

“Fakti që po vjen në Belfast është i pabesueshëm,” tha Murray. “Është një moment i rëndësishëm për historinë e ishullit dhe për historinë e muzikës irlandeze. Ka lidhje të shkëlqyera me artin dhe kulturën. Mendoj se do të lulëzojë atje.”/BBC/KultPlus.com

Të ngjajshme