Elsa Rraqi publikon këngën “Mu”: Ndryshe ish me dashtë, e shumë ndryshe me dashuru

1 Tetor, 2020 - 1:28 pm

Medina Pasoma
Fotografitë nga Elmedina Arapi

Vargjet autoriale për dashurinë, Elsa Rraqi ka vendosur qysh moti t’i bashkoj me butësinë dhe veçantinë e zërit të saj. Së fundmi, nën kombinim fjalë-zë, ajo ka publikuar këngën e saj “Mu”, shkruan KultPlus.

Këngëtarja e re kosovare, Rraqi duke sjellur këngën “Mu” ka përmbushur pritjet shumë vjeçare të audiencës, ku disa nga ta e dëgjuan këtë këngë në një natë të muzikës.

“Mu” vjen nën një melodi të lehtë dhe nën melankolinë e zërit të Elsës, ku interpretohet teksti i shkruar nga vet ajo, vargjet e secilës përbëjnë një tekst muzikor me gjuhë të hollë e shije artistike. Rraqi për KultPlus shprehet se kjo është kënga e zemrës për të, të cilën e pati shkruar në moshën 19 vjeçare, duke e përshkruar dashurinë nga syri i një observueseje.

“Dashuria është spektër. Ne kemi dëshirë të themi se ajo është romantikja, platonikja, shoqërorja, familjarja por unë mendoj që ka shumë lloje të saj”, thotë Elsa.

Përgjatë këngës “Mu” pjesa kulminante që fal emocion me ngritjet e zërit janë vargjet “ndryshe ish me dashtë, e shumë ndryshe ish me dashunu”. Përderisa “të duash” për Elsën mbetet edhe dashuria familjare, që ajo e merr shembull motrën e saj, ndërsa “të dashurosh”, për të shkon përtej saj.

“Të dashurosh është ta takosh një person që ndoshta as s’e njeh më parë, por të krijosh një lidhje në formën më të pastër të mundshme, e cila dallohet qysh në fillim nga gjuha e trupit, mënyra si shikohen personat, ndjesia në ajër”, shpjegon zëri i ri muzikor që premton shumë.

Arsyeja e emërtimit të kësaj kënge me emrin “Mu” qëndron te fakti që ajo përgjatë kësaj kënge tregon për mënyrën që kërkon të trajtohet dhe të duhet ajo. Ndërkaq, video-spoti i këngës mbetet nën kombinimin e ngjyrave dhe shfaqjen e një lule zambaku, për të cilën ajo thotë se shpreh pafajësi, njëjtë si mënyra se si ajo e ka parë dhe shprehur dashurinë në këtë këngë.

Mirëpo, kënga “Mu” ka një arsye pse ka qenë e pritur dhe e dashur për veshët e audiencës. Studentja e Fakultetit të Arteve Muzikore në Universitetin e Prishtinës, pati performuar para 4 vitesh në një nga lokalet e Prishtinës bashkë me Shpat Dedën dhe Fatjon Miftarin me këngët e saja autoriale, një ndër të cilat ka qenë edhe kjo që tanimë ka dalur në dritë. Nga interpretimet e saja audienca pati mbetur e fascinuar, madje disa edhe u patën përlotur. Mirëpo ani pse në këtë performancë ajo ka krijuar një lidhje emocionale të menjëhershme me publikun, ajo pati ndjerë një hezitim për skenën.

“Gjithmonë kam menduar që arti është shumë i sinqertë, në të jemi të zhveshur, jemi tërësisht vetja dhe kam pyetur veten se a do të doja të më njohin njerëzit kësi soji?”, shprehet Elsa Rraqi.

Muzika për Elsën ka filluar qysh në moshën 2 vjeçare, atëherë kur tok me të folurit kishte nisur edhe këndimin. Gishtërinjtë e saj kanë pasur takimin e parë me pianon sa ishte 8 vjeçe, në të cilën ajo ende vazhdon të luaj.

Pos pianos, ajo është e zonja edhe në shkrimin e teksteve ku thekson se përherë ndjehet e frymëzuar, duke u thelluar në realen dhe përditshmërinë që e rrethon. Ajo ka ndarë me lexuesit edhe një moment krejtësisht të rastësishëm të frymëzimit.

“Ka ardhur një fqinje te ne dhe duke folur me të ëmën tha: “mërzia e thanë edhe lisin, leje më njeriun”. Nga kjo frazë jam frymëzuar dhe menjëherë e kam shkruar një tekst, veçse kam inkorporuar diçka, “mërzia e than edhe lisin, njeriu s’ka gjithë rrënjë”, tregon kështu tekstshkruesja e këngëve.

Përderisa ajo këndimin dhe krijimin e sheh si çlirim shpirtëror, këtë rrugëtim nuk do ta ndal. Përveç 60 këngëve të saja, të cilat pret t’ia sjell publikut, ajo është e interesuar edhe në krijimin e versioneve moderne të këngëve të vjetra. Këtë veçse e ka nisur. Këngën “Njeri ku je” nga vëllezërit Gërvalla, “Mos ma pi rakinë konjak” të Haki Misnit, këngët e Osman Takës e disa të tjera, Elsa është duke i gatuar tashmë.

Rraqi përveç që do të mbetet një zë i ri dhe i veçantë në skenën muzikore të Kosovës, ajo do t’i shtoj vlerë kësaj fushe të artit edhe me tekstet e saja magjike. / KultPlus.com

Të ngjajshme