“Epikë”, albumi i katërt i Naser Berishës do të promovohet në KultPlus Caffe Gallery

7 Shkurt, 2022 - 2:45 pm

Këngëtari i njohur Naser Berisha do të promovojë albumin e katërt “Epikë”, album që vjen pas 16 vjetëve pas publikimit të albumit të tretë. Promovimi i albumit do të bëhet më 10 shkurt, prej orës 19:00 në KultPlus Caffe Gallery, shkruan KultPlus.

Përgjatë kësaj mbrëmje keni rastin të dëgjoni këngë që Naser Berisha ka punuar që nga janari i vitit të kaluar, dhe përgjatë kësaj periudhe ka realizuar gjithsejtë tetë këngë.

Në këtë album “Epikë”, katër këngë janë në autorësi të Naser Berishës, katër tekste, katër orkestrime, si dhe bashkautorë në dy këngë, në muzikë dhe tekst.

Si producent muzikor dhe audio inxhinier në Mix dhe Master i këtij albumi, Naser Berisha përpos tetë këngëve të reja, ka përfshirë edhe si bonus track dy hitet e pa vdekshme „Do te doja“ dhe „A me kujton“, këngë të riregjistruara përgjatë vitit 2021, në versionin akustik.

Këngët e këtij albumi sjellin si tematikë dashurinë, sikurse që ka të përfshirë edhe një këngë-dedikim për nënën e tij, me rastin e 30-të vjetorit të vdekjes së saj, pastaj një këngë për jetën e pa brenga të fëmijërisë.

Albumi “Epikë” ka marr titullin nga kënga e katërt e këtij albumi, ku muzikën e ka realizuar Naser Berisha, orkestrimin Florent Boshnjaku, Valon Gashi në kitarë, kurse kjo këngë është realizuar me tekst të Rexhep Selimit, njërit prej themeluesve të UÇK-së, i cili këtë tekst e ka shkruar gjatë kohës së luftës, dedikim për dashurinë e tij, që e takoi në ditët e vështira të asaj kohë.

Përgjatë mbrëmjes do të ketë bashkëbisedim, muzikë dhe nënshkrim të autografeve në albumet që Naser Berisha do ti dhurojë për të gjithë të pranishmit.

Përpos të ftuarve, në këtë mbrëmje mund të futen edhe dhjetë persona që arrijnë të vijnë të parët. Ky vendim ka ardhë si rezultat i masave kufizuese Covid 19./ KultPlus.com  

Të ngjajshme