Anulohet festivali për shënimin e 50 vjetorit të themelimit të Woodstockut

1 Gusht, 2019 - 9:00 am

Woodstock 50, përvjetori i 50-të i festivalit ikonik të vitit 1969, i cili u përball me disa pengesa muajve të fundit, është anuluar zyrtarisht.

Në një komunikatë për media, përfaqësues të Woodstock 50, shkruajnë: “Jemi të pikëlluar që për shkak të një sërë pengesash të paparashikuara, është bërë e pamundur të mbahet festivali që e imagjinuam me një listë të mrekullueshme pjesëmarrësish që i kishim rezervuar dhe angazhimin shoqëror që ne parashikonim”, raporton “Pitchfork”.

Njoftimi vjen pasi artisë si Miley Cyrus, JAY-Z dhe “Raconteurs” u tërhoqën nga performanca e tyre. Ishte planifikuar të mbahej në Merriweather Post Pavilion në Columbia, Maryland, nga 16-18 gusht, gratis për publikun, transmeton Koha.net.

Problemet rreth festivalit u shfaqën menjëherë pas publikimit të listës së pjesëmarrësve. Shitjet e biletave të festivalit u vonuan pasi që u raportua se festivali nuk ka leje.

Lista e artistëve pjesëmarrës përfshinte disa prej artistëve që performuan në festivalin Woodstock më 1969: John Fogerty (nga Creedence Clearwater Revival), Carlos Santana (si Santana), David Crosby (nga Crosby, Stills & Nash), Melanie, John Sebastian, Country Joe McDonald, Canned Heat dhe Hot Tuna.

Në muajin prill, mbështetësi financiar i Woodstock 50, “Dentsu Aegis Network”, u tërhoq nga festivali dhe tha se ai ishte anuluar. Pasi organizatorët e Woodstock njoftuan se festivali do të mbahet, nisi një betejë gjyqësore. Në seancat dëgjimore, ekipi i Dentsu-t thotë se kanë ndaluar së punuari me Woodstock-un sepse nuk kishin leje për tubime masive, plan të finalizuar të trafikut, rregullimet e nevojshme rrugore, një plan për reagim emergjent apo siguri të mjaftueshme.

Organizatorët e Woodstock 50 hodhën poshtë pretendimet e Dentsu-t, dhe gjykata u dha leje që të vazhdonin me festivalin sipas planifikimeve, dhe më pas, një investitor i ri, “Oppenheimer & Co.”, u paraqit për të mbështetur festivalin.

Festivali fillimisht ishte planifikuar të mbahej në shtegun e garave të New Yorkut, “Watkins Glen International”. Por në qershor, Woodstock 50 e humbi atë vend. Edhe producenti i festivalit, kompania “CID Entertainment”, u tërhoq më pas nga Woodstock 50. Kërkesa për leje iu refuzua për herë të dytë, kësaj radhe në një shteg më të vogël garash në Vernon Downs në Vernon, New York.

“Nëse këtë vit nuk funksionoi, nuk do të funksionojë as vitin tjetër”, ka thënë themeluesi i Woodstock-ut, Michael Lang, në një intervistë para se zyrtarët e Vernonit të refuzonin lejen e festivalit. “Provuam gjithçka. Bëmë gjithçka që mundëm”. /KultPlus.com

Të ngjajshme