Festivali Folklorik Kombëtar i Gjirokastrës, falas për të gjithë

14 Qershor, 2023 - 4:24 pm

Në prag të Festivalit Folklorik Kombëtar 2023, ministrja e Kulturës, Elva Margariti, kujton se ky event i rëndësishëm që do të zhvillohet në kalanë e qytetit të Gjirokastrës, në një skenë të hapur për të gjithë, do të jetë falas.

Për më shumë se një javë, Gjirokastra do të jetë qyteti më turistik dhe kulturor, i hapur për të gjithë grupmoshat për të mirëpritur çdo artdashës, vizitor në kalanë historike dhe përgjatë gjithë qytetit përmes aktiviteteve të shumta dhe muzikës së Festivalit Folklorik Kombëtar.

“Ju presim në Gjirokastrën e bukur dhe turistike ku artistë nga i gjithë vendi, diaspora e më gjerë do të performojnë përgjatë 8 netëve në këtë qytet”, shkruan Margariti, në rrjetet sociale. Më herët, gjatë një interviste televizive, ministrja e Kulturës është shprehur se risia e këtij festivali do të jetë numri i madh i të rinjve që do të interpretojnë.

“Të rinjtë do të emocionojnë me performancat e tyre në Festivalin Folklorik Kombëtar në Gjirokastër duke dëshmuar se sa brezat e rinj e duan dhe e përqafojnë muzikën folklorike”, është shprehur Margariti./atsh/KultPlus.com

Të ngjajshme