23 Qershor, 2025 - 8:50 pm
Në një mbrëmje magjike nën tingujt e kitarës, qyteti bregdetar i Himarës u mbush me muzikë, energji dhe emocion, duke i dhënë një mbyllje madhështore edicionit të nëntë të ‘Albania Guitar Festival’.
Agron Peni dhe trioja e tij dhuruan një performancë të jashtëzakonshme, me disa nga kompozimet më të njohura, duke sjellë në skenë virtuozitetin dhe shpirtin ballkanik të kitarës.
Trupa e baletit profesionist ndezi atmosferën me ritmet pasionante të rumbas dhe flamencos, duke krijuar një sinergji të jashtëzakonshme mes muzikës dhe vallëzimit.
Mbrëmja u përmbyll me plot energji nga këngëtari brazilian Eclesio Ramos de Souza, i cili interpretoi hitet më të njohura të muzikës latine dhe i dha skenës një atmosferë plot gëzim dhe pozitivitet.
Ritmet tropikale, bashkë me interaksionin e ngrohtë me publikun, e bënë këtë natë të bukur për të pranishmit.
Ky edicion solli në Shqipëri 16 artistë ndërkombëtarë dhe njëjtë si tetë edicionet e shkuara nën drejtimin e drejtuesit artistik Denis Bizhga, synon promovimin e muzikës së mirë dhe kulturës shqiptare.
Ky koncert u realizua nën kujdesin e veçantë të kryetarit të Bashkisë Himarë, Vangjel Tavo, dhe shënoi jo vetëm përfundimin e festivalit, por edhe një promovim të jashtëzakonshëm të kulturës, traditës dhe potencialit turistik të Himarës./atsh/KultPlus.com