Festivali i parë i Këngës në Kosovë, këto janë 18 këngët garuese (VIDEO)

27 Tetor, 2023 - 11:24 am

Një natë e pazakontë e që barte shumë emocione. Kosova mbrëmë u zhyt në botën e muzikës dhe artit me Festivalin e parë të Këngës në Radio-Televizionin e Kosovës (RTK), shkruan KultPlus.

Në natën e parë të këtij festivali të madh dhe të shumëpritur, 18 këngëtarë dhe krijues performuan këngët e tyre në një atmosferë mbushur me pasion dhe pritje nga një publik mjaft kureshtar që ishin të pranishëm në sallën e madhe të Pallatit të Rinisë dhe Sportit në kryeqytet. Por edhe atyre që e ndoqën nga ekrani.

Drejtori i Festivalit të Këngës në RTK, Adi Krasta dhe prezantuesi Besim Dina ishin fytyrat kryesore të kësaj ngjarje të rëndësishme të cilët me një ndërthurje të mahnitshme, moderuan gjithë festivalin.

Duke pas parasysh që kjo është hera e parë që një festival i tillë organizohet në Kosovë, fjalë shumë të mira u dëgjuan nga kritikët dhe publiku për gjithë organizimin e kësaj feste muzikore.

Por duhet theksuar se ky festival nuk ishte thjesht një konkurs, por një platformë ku artistë të rinj dhe të konsoliduar mundën të ndanin pasionin e tyre për muzikën dhe krijimin me një publik të gjërë.

Një ndërthurje e mrekullueshme e zhanreve muzikore u shfaq në skenë me këngë të ndryshme nga balada, pop, rock, dhe folk.

Festivali i Këngës në RTK është një hap i rëndësishëm drejt promovimit të muzikës dhe kulturës së Kosovës në nivel ndërkombëtar. Ky ngjarje demonstron potencialin e muzikës dhe talentin e artistëve në Kosovë, dhe ndihmon në të kuptuar më mirë çdo aspekt të kulturës së tyre.

Juria që do të vlerësojë këngëtarët dhe prurjet e tyre artistike në këtë garë përbëhet nga kryetarja Alma Bektashi, anëtarja që vjen nga Suedia dhe ka përfaqësuar shtetin e saj në “Eurovision”, Ulja Sjostrom si dhe anëtarët e tjerë si kompozitori nga Tirana, Adi Hila, këngëtari Alban Nimani dhe artistja e arteve pamore, Zake Prelvukaj. 

Të rikujtojmë se dy netët e tjera në vazhdim të festivalit do të mbahen në datat 27 dhe 28 tetor dhe do të transmetohen në Radiotelevizionin e Kosovës, Radiotelevizionin e Shqipërisë dhe Radiotelevizionin e Maqedonisë së Veriut.

Për të gjitha këngët e paraqitura në këtë festival të madh, ju mund të gjeni videot më poshtë. Videot e Festivalit të Këngës janë ekskluzivitet i RTK-së dhe mund të gjenden në kanalin e RTK në YouTube dhe rrjete sociale. / KultPlus.com

Të ngjajshme