Flaka Goranci: ‘Na e zbardhe ftyrën’ është thënia që më ka shoqëruar gjithmonë

9 Tetor, 2018 - 6:35 pm

Alberina Haxhijaj dhe Arbër Selmani

KultPlus mbrëmë shënoi 5-vjetorin e themelimit me edicionin e dytë të ciklit të rrëfimeve “Ta zbardhi ftyrën” me mezzo-sopranon e njohur shqiptare Flaka Goranci.

Arbër Selmani kryeredaktor i gazetës KultPlus tregoi se kjo mbrëmje ka bërë se bashku të gjithë ata që e duan kulturën nën ombrellën e gazetës së parë shqiptare e cila prej fillimit nisi vetëm me shkrime për artin e kulturën – KultPlus.

Paradoksale, në një shoqëri ku lajmi nuk zgjat as tre ditë, dhe zakonisht është më pompoz kur ka në fokus një rrahje mes profesorit e nxënësit, rrahje në klube të natës, zhveshje të këngëtareve apo edhe diskursin pezhorativ që politikanët moralisht në zero të këtij vendi përdorin karshi grupeve të ndryshme të diskriminuara në Kosovë. Dhe KultPlus e nisi duke dashur që në mes të kësaj katrahure klikimesh e shfletime pamfletash e gazetash, të vinte me një poezi. Me një James Joyce, me një Rona Nishliu, me një rol të risjellë nga Bekim Fehmiu, me një varg nga Ali Podrimja, me një tregim nga Adriana Matoshi, me një shuplakë siç di ta thurë vetëm Mehmet Kraja. Ndoshta do të lexohej më pak edhe Inva Mula apo Ermonela Jaho apo Marigona Qerkezi, apo edhe rrëfimet për Armend Rexhepagiqin, Nexhmije Pagarushën, Tefta Tashkon, Vaçe Zelën.

Në mesin e mysafirëve të cilët morën fjalën për të ndarë me publikun rrugëtimin e tyre të përbashkët së bashku me KultPlus-in ishte edhe profesori Sali Bashota. Ai u shpreh se KultPlus është destinacioni i lexuesve për të kuptuar zhvillimet e fundit të kulturës në Kosovë.

“KultPlus çdo ditë po frymon vlerat e kulturës kombëtare dhe kulturës universal duke dhënë informacione në interes për zhvillimin e kulturës në përgjithësi. Uroj që KultPlus të jetë vërtetë kulturë që frymon vlerat e të rinjve dhe me punën që po bënë ky ekip besoj që jo vetëm që janë të parët dhe të vetmit por shpresoj që në të ardhmen do të jenë jo vetëm në gjuhën shqipe po edhe në gjuhën angleze e gjuhë të tjera”, u shpreh ai.

Don Lush Gjergji u shpreh se kultura është një kusht pa të cilin nuk jeton njeriu, familja por as shoqëria.
“5 vite nuk janë shumë por në kushte dhe rrethana që jemi, të mbijetojë diçka vetëm me kulturë besoj që është mjaft. Kultura është frymëmarrja e njeriut dhe kusht pa të cilin nuk jeton njeriu, familja dhe shoqëria. KultPlus e bënë një shërbim të jashtëzakonshëm dhe i mbush zbrazëtirat, humnerat, dhe vet emërtimi KultPlus do thotë Kultura plus ju dhe plus ne, njerëz që mundohemi jetës t’i japim shije dhe kuptim pasi që e bukura, e drejta, e vërteta, e mira dhe mbi të gjitha dashuria janë pjesë përbërës e jetës sonë”, theksoi ai.

Themeluesja e KultPlus-it Ardianë Pajaziti, falënderoi të gjithë të pranishmit të cilin kanë ardhur dhe e nderojnë punën që bënë ky ekip.
“Para pesë viteve idenë për ta themeluar KultPlus-in e kam pasur në një nga kafenetë e Prishtinës, vend ku jepen shumë ide e që Prishtina njihet për këtë. Por kjo ka qenë vetëm një ide të cilën e kam ndarë me bashkëshortin tim. 5 vite pas nga dy persona unë sot po shoh një sallë plot dhe afër 70 mijë persona të cilët na ndjekin nëpër mes rrjeteve social, diçka që nuk është pak e që ka ardhur falë punës së ekipi fantastik, me një fuqi shumë të madhe për të arritur këtu ku jemi”, u shpreh ajo.

Eliza Hoxha cilësoi gazetën online KultPlus si një platformë të diplomacisë publike dhe një vendtakim për të gjithë shqiptarët.
“Përtej krijimit të një platforme shkëmbimesh të eksperiencash, rezultatesh dhe të arriturave mendoj se KultPlus ka arritur me e mbërri një mision të cilin ndoshta as vet nuk e ka menduar fillimisht. Ka arritur të bëhet një platformë e diplomacisë publike duke bërë që njerëzit e Kosovës dhe shqiptarët kudo që janë, të jenë me të fortë me të afërt dhe ka hapur një mundësi për ta njohur më mirë njëri-tjetrin dhe me e dashtë me shumë vendin tonë”, theksoi ajo.

Para publikut fjalën e mori edhe aktori Fatmir Spahiu i cili i dëshiroi gazetës KultPlus edhe shumë vite së bashku me sukseset kulturore të cilat do i shënojnë artistët e Kosovës.
“Ne si artistë që jetojmë prej artit edhe punën tonë e kemi të përditshme në Kosovë, kemi nevojë jo vetëm për KultPlus-in por edhe për portale e gazeta të tjera që na mbështetin. Po sado prej tyre që janë, e nuk janë asnjë e mirë dhe e fuqishme si KultPlus-si, ne që jemi çdo ditë në këtë skenë, të vogël, modeste, të bukur, disi KultPlus-in apo një shkrim të KultPlus-it e kemi si një lloj certifikate, një lloj vule se sa apo a ka qenë mjaftueshëm kulturore ngjarja që e kemi realizuar. Pra nëse nuk je në KultPlus, pas eventit të caktuar atëherë nuk paska qenë fort kulturore paska qenë me tepër komerciale ngjarja”, u shpreh ai.

KultPlusi, në shtatorin e vitit 2013-të, siç bëjnë shumë fillestarë për të mos u kthyer prapa, rrezikoi. Rrezikoi të bëhej e para pikë e referencës për të gjitha ngjarjet dhe zhvillimet kulturore ndër shqiptarë. E meqë shqiptarët kanë pasur, kanë e do të kenë një bazë të fortë për kulturë, jo pak herë me këtë kulturë si cakun kryesor të regjimit që na shtypi për shumë kohë, KultPlus hyri në tregun mediatik si një tentim modest për të krijuar lexuesit e saj, të cilët anash lajmeve të departamenteve tjera, do të ndanin kohën të lexonin retrospektivë e aktualitet kulturor. Duke mos pasur një tjetër shembull paraprak, KultPlus nisi me pak njerëz drejt idesë të sillte kulturë, art, analiza. Jo kulturë në përkthimin e mangët e të cekët, por kulturë e art që i rri larg klisheve, paragjykimeve, izolimeve që i ka krijuar shoqëria shqiptare dhe ajo ballkanase. Emrat që i përmenda më lart janë përqindje e vogël e asaj që KultPlus ka shpalosur në pesë vite jetë. Kemi dalë jashtë Kosovës, jashtë Shqipërisë, kemi udhëtuar në festivale e në biennale të ndryshme, herë me ndihmën e njërit e herë me kritikat destruktive të tjetrit, por kemi provuar të jetojmë mes lexuesit e duke provuar që diku gjatë ditës, dikë ta bëjmë të na lexojë e të ushqehet. Sepse kultura, krejt në fund, është ushqimi më i mirë.

Mbrëmja vazhdoi me ciklin e dytë të rrëfimeve “Ta zbardhi ftyrën” me mezzo-sopranon e njohur shqiptare Flaka Goranci.
Ajo fillimisht tregoi për të pranishmit fillimet e saj. Si fillimisht kishte filluar studimet për piano në Gjakovë, dhe talentin e saj në këtë instrument por edhe ndikimin që ka pasur Lufta e Fundit e Kosovës në të pasi që ajo si refugjatë në Shqipëria filloi të dashurohej pas këndimit. Më pas ajo tregoi për studimet e saj për kanto në Tiranë. Vite të mrekullueshme e që ishin një trampolinë për të vazhduar tutje me bursën në Tel Aviv dhe karrierën e saj nëpër Evropë.

“Si tip jam e tillë që punoj shumë edhe nëse nuk kam asnjë kontratë, asnjë ofertë, asnjë interesim prej dikujt. Unë ulem, lexoj, hulumtoj pra jam tip kërkues dhe pastaj me lind ndonjë ide, por gjërat e mëdha nuk ndodhin kur ti je duke pritur”, theksoi ajo duke treguar edhe për eksperiencat që ka pasur nëpër shtëpitë operistike të ndryshme ku i është dashur që në të shumtën e rasteve të tregoj se ku është Kosova dhe të tregoj më shumë për vendlindjen e saj. Pikërisht një mënyrë e mirë për të prezantuar këtë vend ajo ka menduar se do të jetë edhe publikimi i CD-së Albanian Flowers.

“Shpesh herë kam menduar se njerëzit mund të thonë se jam duke gënjyer. Si mund të ndodh që për një vend që shumë njerëz nuk e njohin unë po flas kaq bukur, kaq me dëshirë, e me magjepsje për të dhe këtu ka lind ideja për CD-në me pjesë shqiptare”, tregoi ajo, punë kjo e cila i ka marrë tri vite përkrah angazhimeve të tjera të përditshme që i ka pasur.

“Është shumë mirë kur puna jote vlerësohet dhe jo vetëm nga komuniteti artistik por nga të gjithë, pasi që ne bëjmë muzikë për të gjithë njerëzit. Ne duhet që të jemi frymëzim për të gjithë njerëzit, apo për secilin individë këtu në sallë pasi që jemi shkolluar mjaftueshëm dhe njihemi mjaftueshëm te komuniteti artistik mirëpo ne duhet që të jemi edhe frymëzim për popullin tonë për gjeneratat e reja që vijnë”, theksoi ajo.

Tutje ajo u shpreh se çdo fillim është i vështirë dhe çdo gjë ka qenë e kushtueshme dhe sipas saj kur një artist nuk është i qetë nga ana materiale ai e ka shumë të vështirë që të arrijë diçka dhe të marrë hapat e parë. Mirëpo sipas saj ajo ka qenë shumë me fat që ka arritur të marrë bursë, diçka që e ka lehtësuar fillimin e karrierës së saj.

“Ka ditë kur pyet vetën se përse po e bëjë këtë mirëpo ka ditë kur ke vullnet dhe dëshirë apo ke marrë lajm pozitiv edhe thua podua ta bëjë këtë. Ka një javë ndoshta komplet në depresion ashtu, pse po ndodh kështu, pse nuk e kalova ketë audicion, pra janë shumë peripeci. Mirëpo në këto momente unë gjithmonë kam thënë mendo pozitiv edhe në një mënyrë bëhu e verbër dhe shiko vetëm qëllimin tënd. Kjo ka qenë edhe motoja që me ka shoqëruar gjatë gjithë rrugës dhe mendoj se kam pasur të drejtë pasi që jeta nuk është çdo herë perfekte. Kemi ditë kur asgjë nuk funksionon dhe ditë ku çdo gjë shkon mirë, çdo gjë është e bukur”, theksoi ajo.

Flaka Goranci tregoi se deri tani ka ndihmuar disa miq dhe të ri në rrugëtimin e tyre muzikor dhe se është e hapur që ta bëjë këtë kurdo herë që do i ofrohet një mundësi e tillë. Ndaj pyetjes se a vlen për Flakën thënia ‘Na e zbardhe fytyrën’, ajo u shpreh se është një shprehje që e ka shoqëruar shumë duke marrë këtu parasysh që jashtë vendlindjes së saj ajo nuk prezanton vetëm vetën por edhe Kosovën

“Në fillim shprehja ‘Ta zbardhi ftyrën’ më është dukur e çuditshme, pastaj jam kujtuar që ne jemi rritë me këtë shprehje ‘ma ki zbardh ftyrën’, kur prindi e thotë në momente krenarie më fëmijën, ose motra vëllait, ose burri gruas e kështu me radhë. Them se është një shprehje mjaftë e bukur dhe që me ka shoqëruar gjatë gjithë kohës”, u shpreh ajo.

KultPlus sot falënderon çdo njeri i cili apo e cila ka ndihmuar që faqja jonë të bëhet shumëngjyrëshe, e hapur, e ndritshme, e artësuar. Fjalët e mira dhe ato që godasin më shumë i kemi marrë gjithmonë si të mirëqena, për të punuar drejt tyre. Në këtë mision që nuk është i lehtë në një shoqëri si e jona, të gjithë bashkë mund të dalim më të lexuar, me më shumë kulturë e art në mbarëvajtjen e ditëve tona. Stafi i KultPlus falënderon të gjithë, me shpresën për të vazhduar bashkë rrugëtimin drejt dekadës së parë.

Mbrëmja në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare të Kosovës, vazhdoi me një solo- koncert nga Flaka Goranci nën përcjelljen e pianistes Pranvera Hoxha./ KultPlus.com

Të ngjajshme