Grupi 403, BB Poqi e artistë ndërkombëtar performojnë në ‘Hardh Fest’

21 Gusht, 2017 - 2:12 pm

Me moton “Mbas Verës, Vjen vera” organizohet festivali i përvitshëm “Hardh Fest”. Edhe këtë vit në komunën e Rahovecit, ku mbahet festivali, do të ketë verë, muzikë dhe shumë aktivitete të tjera.

E veçanta e edicionit të 16-të është të këtij festivali është se do të performojë edhe Joe LyNN Turner, i cili ka performuar me Deep Purple dhe Rainbow. Grupi 403 dhe BB Poqi do të interpretojnë në “Hardh Fest” gjithashtu.

Gardalin Shtavica, drejtor i Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport në Komunën e Rahovecit, në konferencën e mbajtur sot ka thënë se në fokus të veçantë e kanë muzikën, duke sjellë edhe grupe të ndryshme ndërkombëtare.

“Hapjen e festivalit do ta bëjnë familja Sllavishta, që do të bëjnë një rikthim të madh pasi ka vite që ata nuk kanë bërë muzikë”, ka thënë Shtavica, duke shtuar se një tjetër grup që do të performojë, është grupi 403 si dhe BB Poqi.

“Befasia është se do të kemi njërin prej zërave më të mirë të rokut Joe LyNN Turner, i cili ka performuar për grupe të mëdha botërore siç është Deep Purple dhe Rainbow”, ka thënë Shtavica.
Organizatorët kanë thënë se vitin e kaluar këtë festival e kanë vizituar mbi 30 mijë turistë, ndërsa sivjet presin që ta vizitojnë mbi 50 mijë vizitorë, shkruan ekonomia online.

Agi Haxhimurati, përgjegjës për pjesën kreative të festivalit, ka thënë se sivjet numri i vizitorëve do të rritet për shkak se edhe kanë zgjatur ditët e mbajtjes së tij. Ai ka thënë se këtë vit pritet që “Hardh Festin” ta vizitojnë 50 mijë turistë.

“Slogani i këtij viti është ‘Mbas verës, Vjen vera’. Bashkangjitur me sloganin ne sot ekskluzivisht do të prezantojmë edhe vizualin e këtij viti që është pak më me stil, e cila ka ngjyrën e rrushit”, ka treguar Haxhimurati, derisa ka thënë se target i festivalit janë të gjithë ata që hyjnë dhe dalin në qytetin e Rahovecit.

“Ne jemi kujdesur edhe për detaje në ‘Hardh Fest’, përmes fletushkave që i kemi në formë të gotës së verës, që do të iu japim secilit nga një verë”, ka thënë Haxhimurati, duke shtuar se festivali është në vitin e 16-të që organizohet dhe në tri vitet e fundit ka pasur sukses të jashtëzakonshëm. Vitin e fundit ka pasur mbi 32 000 turistë në festival.

“Objektivi jonë është që, mbi 50 000 vizitorë do ta vizitojnë festivalin për shkak se ne kemi zgjatur ditët që do të mbahet festivali 4 ditë”, ka thënë Agi Haxhimurati.
“Hardh Fest” do të mbahet nga 7 deri me 10 shtator 2017. / KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme