Grupi ‘Gjurmët’ sjellë politikë e rrëfime muzikore në ribotimin e librit ‘GjurmëtLP’

21 Shtator, 2017 - 10:06 pm

Arbër Selmani

“Në tren për Perzeren”, “Njeriu dhe Kulla”, “Shikoji retë si shkojnë” janë vetëm disa prej këngëve që gjenerata e grupit “Gjurmët” i mban mend mirë. Janë kënduar në kohën e KASK-ut, Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës. Gjeneratat e reja vështirë ta kuptojnë akronimin, në të cilin ka vepruar mes tjerash edhe grupi muzikor “Gjurmët”.

Për këtë akronim, për politikën, për ambientin kur u formua e kur morri formë grupi “Gjurmët”, u fol sonte në kryeqytet në promovimin e ribotimit të librit “GjurmëtLP”, një libër që është botuar menjëherë pas luftës në Kosovë dhe po vjen prapë për lexuesin që dëshiron ta dijë tregimin e vërtetë të grupit në përbërje të Migjen Kelmendit, Tomorr Kurshumliut, Bekim Dylës, Armando Gjinit dhe Petrit Rizës.

Në një ambient të ngrohtë në Dit e Nat në kryeqytet, Migjen Kelmendi nga ‘Gjurmët’ nisi të tregonte pak a shumë për këtë botim dhe për vetë grupin.

“Kjo sonte është një rast i mirë me hapë një bisedë mes nesh por edhe një takim mes miqve sepse ka kohë që disa njerëz nuk i kam takuar. Në libër janë të shkruara disa prej momenteve që unë mendoj kanë luajt rol në grupin tonë” nisi kësisoj rrëfimin e tij Kelmendi, që sado duke provuar të ishte i shkurtër preku në ngjarje të ndryshme.
Për Kelmendin, ideja e Republikës së Kosovës ka ekzistuar që nga viti 1945 e tutje dhe nuk është një pronë apo ide e atyre që sot janë politikanët e Kosovës dhe të tjerët – bartësit e opinionit publik. Sipas tij, kjo gjithmonë ka qenë kërkesë e klasës intelektuale të kohës dhe se nuk është ide me tapi e dikujt sot, pa çka se perceptimi është ndryshe dhe ka të tillë që mund të pretendojnë se këtë ide e kanë dhënë të parët.
Duke folur për muzikën, Kelmendi ka sjellë në këtë promovim idenë e serbëve, dhe se sipas tij serbët luanin rol në këtë kulturë muzikore të viteve kur grupi ‘Gjurmët’ ishte në pikun e famës së tij. Fenomeni rock’n’roll ishte sidomos dicka e re në Kosovë, shkruan KultPlus.

“Dekada e viteve 1966-86 për mendimin tim ishte kohë kur shqiptarët e Kosovës patën mundësi të realizoheshin dhe të përjetonin rritje në disa sfera të jetës në Jugosllavi. Në atë kontest të rilindjes shqiptare ndodhi edhe rock’n’rolli, fillimisht në Kosovë me disa bende në Prizren në fillim të viteve 60-të e tutje deri te Gjurmët e deri te repi i sotëm” tregon mes tjerash Kelmendi në këtë promovim të librit që përmban edhe një CD bashkangjitur, botuar me ndihmën e Fondacionit “Unë e du Kosovën”.

Sipas Nexhat Maculës, i pranishëm në këtë promovim, grupi ‘Gjurmët’ i dha shumë skenës së muzikës kosovare në këto vite kur ishte më ndryshe funksionimi muzikor. Macula tregoi vetë se duke qenë pjesë e një grupi muzikor në Beograd dhe duke udhëtuar deri në Apati e deri në ish Bashkimin Sovjetik, ai është munduar që përvojën e tij ta bartë tek gjeneratat e ardhshme në Kosovë.

Macula madje është ndër rokerët e parë shqiptarë dhe thotë se edhe sot mban kurse që njohuria e tij të transmetohet tek gjeneratat e reja.

“Mua gjithmonë më ka pëlqyer Migjeni, qysh me daljen e tij në skenë si një kantautor, një djalë inteligjent por edhe një patriot. Te unë gjithmonë ka ekzistuar mendimi pozitiv për grupin ‘Gjurmët’ dhe për muzikën e tyre” tha mes tjerash Macula duke folur më shumë rreth karrierës së tij, grupit FAN e më pas edhe Shoqërisë Artistike Ramiz Sadiku, ku ai vetë ishte pjesë, deri në formimin e grupit TNT i cili në një mënyrë ishte ‘garë’ e fortë për grupin ‘Gjurmët’ në vitet kur dy grupet ishin aktive.

Në një debat të shkurtër replikuar me Kelmendin, ky tha se ka qenë meritë e shqiptarëve çdo arritje në këtë regjim të asaj kohe, derisa Kelmendi përmendi se sot askush nuk pyet ku janë serbët dhe se ata patën një rol dhe ndikim në zhvillimin muzikor por edhe zhvillimin në fushat tjera të viteve 80-të e 90-të.

Brenda librit, lexuesi do të mund të njoftohet më shumë me mënyrën qysh u dashurua atë kohë, me stilin e veshjes, me koncertet e grupit ‘Gjurmët’ dhe ndikimin e tyre në kulturën e nën-kulturat e asaj kohe. Lumi i Prishtinës, ku mbeti? Ku janë serbët dhe shqiptarët që kanë jetuar bashkë? Josip Broz Titoja, si u pa shembja e Jugosllavisë së krijuar nga ai në skenën e rock’n’rollit? Pyetje si këto dhe të tjera janë brenda shkrimeve në këtë libër.

Në këtë promovim të ribotimit të librit “Gjurmët Long Play” ishte i pranishëm edhe Bekim Dyla nga grupi ‘Gjurmët’ i cili tregoi se ka qenë rrugë revolucionare ajo e kësaj kohe dhe se grupi ‘Gjurmët’ jo çdoherë e ka pasur të lehtë këtë rrugëtim por ia arritur ndoshta edhe me insistimin për të mos luajtur në gjuhën serbe gjatë kohës kur ata ishin goxha aktiv në muzikë.

Parathëniet për ribotimin e librit i kanë shkruar Chris Keulemans – shkrimtar dhe ish drejtor i Qendrës Kulturore “De Balie” në Amsterdam, Shkelzen Maliqi dhe Ragip Luta. / KultPlus.com

Fragment nga libri GJURMËTLP

KÂNGËT. Kur mbas sa e sa vjetve tashmâ kisha ndrrue metodën, miqtë e gjindja m’thojshin: po si e le muzikën Migjen?! Përgjegja ishte e thjeshtë: nuk e kam lanë muzikën. Vetëm e kam ndrrue mediumin. Ate që atëhere po e thojsha me muzikë, tashti po t’njajtin kallxim e thom me letërsi. E kam ndrrue vetëm mediumin. Ishte shumë ma e lehtë e ma praktike me e formsue kallximin têm përmes letërsie. Forma e nji bendi me pesë anëtarë, me pesë vullnete, me pesë kaprice, e me shumë instrumente, ishte gjithnji e ma e komplikueme e ma trabante. Por mbetën nja 30 kângë!

Ç’janë këto 30 kângë? Le ta thomi ndryshe se si i përjetoj une. Le ta imagjinojmë së toku nji opcion katastrofik të zhvillimeve n’Kosovë. Le ta imagjinojmë sesi këto bandat e Miloševic’it jo vetëm kishin dëbue tanë popullatën shqiptare nga Kosova, po edhe kishin shkatërrue tanë kulturën materiale të krijueme deri atëhere. Le të vazhdojmë andrallën tonë me nji ftesë që i bâhet njanit nga pasardhësit e të dëbuemve nga Kosova, arkitekt i njoftun, me marr pjesë në simpoziumin e organizuem n’Prishtinë me titull “Hapiness, city, space & river”. Këtê ‘river’ le ta kuptojmë si nji aludim të largët n’lumin e varrosun t’Prishtinës. Ndërkaq, titulli âsht anglisht sepse âsht lehtë me supozue se tashmâ bota e kishte zgjidh njihere e përgjithmonë belbëzimin babilonik dhe po e flitte vetëm nji gjuhë – anglishten! Ta vazhdojmë mâ tej supozimin, tue llogarit se tashmâ gjithçka ishte harrue, edhe masakrat, edhe dëbimi i 1 milioni gjindsh, që si Kazarët nuk u shfaqën mâ n’analet e historís së popujve si emën i përveçëm. Pranej, âsht plotësisht e mundun ftesa për nji kafe n’shpi’ e nji arkitekti të njoftun serb që e kishin quejt sipas nji stërgjyshi Dragan (komandant i njisitit ‘Frenkijevci’ që kishte masakrue dhe veprue n’Gjakovë, ma vonë kryetar i partís ‘Veliki Povratak’), që i bân nji pinjolli t’kosovarëve të dëbuem me emnin Det, aludim i largët n’Bibël dhe hapjen e detit për me i bâ rrugë të dëbuemve biblikë. Do të flasin për temën e simpoziumit, tue u pajtue se ‘the quest for happiness is the quest for identity. Without the resource of history, personal and general, it doesn’t come out at all’[1]. Dhe, n’kohën që Dragani po sillte kafet, Deti ia lëshon nji sy bibliotekës ku rastësisht mes sa e sa relikteve zbulon nji CD, mënyrë e vjetër e regjistrimit të muzikës, në të cilën shkruente: Gjurmët.

Të fundit

Të ngjajshme