Ka ndërruar jetë Dmitri Hvorostovsky, një gjigant i skenës së operës (VIDEO)

23 Nëntor, 2017 - 10:23 am

Dmitri Hvorostovsky njëri nga baritonët më të mirë që ka shkelur skenat e operës botërore ka ndërruar jetë dje në Londër në moshën 55 vjeçare, përcjellë KultPlus.

Ai ka ndërruar jetë si pasojë e kancerit në tru ndërsa kishte dal në pension në dhjetor të vitit 2016, një vit e gjysmë pasi kishte marr lajmin për diagnozën e tij.

Dmitri Hvorostovsky befasoi publikun me një shfaqje të papritur në muajin maj në mbrëmjen e 50-vjetorit të Metropolitan Operas në Nju Jork, duke interpretuar “Cortigiani! Vil Razza!” nga “Rigoletto” i Verdit. OperaWire e cilësoi këtë mbrëmje si një performancë e cila solli shumë emocione, duke raportuar se “publiku shpërtheu me duartrokitje të pasionuara”.

“Teatro alla Scala” i Milanit, ku ai u paraqit për herë të parë në vitin 1992, e quajti Hvorostovsky “një nga interpretuesit më karizmatik të dekadave të fundit në një repertor që varionte nga Verdi tek Çajkovski dhe Musorgski”.

“Me vdekjen e tij, bota e muzikës ka humbur një nga figurat e saj më të dashura dhe më të respektuara”, thuhet në deklaratën e Teatrit. /KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme