Kryevepra të operistikës botërore dhe shqiptare, tenori Saimir Pirgu koncert në Shirokë

6 Shtator, 2025 - 2:40 pm

Tenori shqiptar me famë botërore Saimir Pirgu përcolli mbrëmjen e djeshme për artdashësit shkodranë një udhëtim të paharrueshëm përmes tingujve klasikë.

Në koncertin e organizuar në Shirokë, nën drejtimin e maestros Elda Laro, me Orkestrën Simfonike të Shkodrës dhe Korit të Qendrës Kulturore të Fëmijëve “Kujtim Alija”, tenori Saimir Pirgu solli një program të pasur artistik.

Qindra qytetarë, turistë e dashamirës përjetuan një mbrëmje magjike ndërsa Shiroka u kthye në një skenë gjigande për veprat botërore dhe ato të muzikës sonë.

Përveç kryeveprave botërore, Pirgu solli për artdashësit edhe perla të muzikës operistike shqiptare.

Tenori shqiptar me famë ndërkombëtare Saimir Pirgu ka një aktivitet të pasur artistik në skena të ndryshme. Pirgu me interpretimet e tij ka qenë pjesë e produksioneve të ndryshme operistike. Ndërsa vjet në muajin nëntor tenori u rikthye në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit (TKOB) pas 13 vitesh mungesë për operën “Tosca” vepër e kompozitorit Giacomo Puccini me rolin e Mario Cavaradossi-t.

I konsideruar si një nga tenorët më të mëdhenj të gjeneratës së tij, Saimir Pirgu ka ndriçuar skenat më prestigjioze të botës, nga Metropolitan Opera në Nju-Jork, tek La Scala në Milano, Royal Opera House në Londër dhe Staatsoper në Vjenë.

Ai u ka dhënë jetë roleve kryesore të repertorit klasik, si Rodolfo në “La Bohème”, Cavaradossi në “Tosca”, Alfredo në “La Traviata” dhe princi Kalaf në “Turandot”.

Pirgu ka bashkëpunuar me dirigjentë legjendarë, si Claudio Abbado, Riccardo Muti dhe James Levine, duke fituar duartrokitje e vlerësime nga publiku dhe kritika ndërkombëtare.

Me një aktivitet  të vlerësuar nga kritika dhe publiku, në çmimet që ka marrë tenori Saimir Pirgu përmendim edhe çmimin prestigjioz “Pavaroti D’Oro” (Pavaroti i Artë)./atsh/KultPlus.com

Të ngjajshme