Kuarteti “Aureum” në përmbylljen solemne të festivalit “Skupi KamerFest”

30 Nëntor, 2022 - 12:59 pm

Mbrëmjen e së dielës, në sallën e muzeut të luftës maqedonase, u mbajt koncerti i tetë me radhë i festivalit të muzikës kamertale “Skupi KamerFest”, nën organizimin e shoqatës “Muza” – Shkup, dhe me mbështetjen e ambasadës austriake.

Ky koncert, i fundit për këtë edicion, si një përmbyllje solemne e tërë aktiviteteve e mbrëmjeve muzikore që pasuan në dy muajt e shkuar, të dielën solli para publikut shkupjan një koncert jo të përditshëm, një kuartet saksofonësh, nga Austria, të njohur si “Aureum Saxophon Quartett”, në përbërje të Martina Stückler (sopran saksofon), Johannes Weichinger (alt saksofon), Viola Jank (tenor saksofon) dhe Lukas Seifried (bariton saksofon). Ky kuartet ka performouar në festivale ndërkombëtare të mbajtura që nga Gmunden e deri në Stamboll. I përbërë nga një grup të rinjësh, ata kombinojnë dhe sjellin para publikut muzikën klasike, jazz, dhe muzikën popullore duke lidhur tradicionalen me modernitetin.

Pikërisht në këtë frymë, dhe duke i qëndruar besnik vet formacionit të tyre kamertal, po edhe karakterit të vet festivalit, ky kuartet saksofonësh, publikut të pranishëm i ofroi një mbërmje mbresëlënëse me paraqitjen e tyre skenike, që në çdo aspekt ishte diçka jo e zakonshme për vendin tonë, ndërthurja e programit të tyre por edhe komunikimin i tyre me publikun nëpërmjet bisedës, ndarjes së informacioneve, e vet vizualzimit fizik të programit nga ana e tyre.

Kuarteti i saksofonave “Aureum” solli pjesë nga krijimtaria e kompozitorëve të njohur botëror të epokave të ndryshme kohore, stileve dhe zhanreve, nga ajo e klasicizmit deri tek ajo në shekullin XX, në përshtatje apo origjinal për këtë formacion.

Pjesa e parë e koncertit përfshiu veprat: Bramboracy Marsch nga F. Bramböck, tri kohë nga suita Aus Holbergs Zeit (Praludium, Sarabande, Rigaudon) nga E. Grieg, në përshtatje për kuartet saksofonësh nga Maarten Jense), kohën e tretë Rondo, nga sonata për piano no. 8 në c-moll op.23 nga L. van Beethoven, në aranzhim të Leonhard Paul, Grid (Excerpts) nga G. Resch, Knödelpolka nga Ch. Dienz, në aranzhim nga Johannes Weichinger, Spain nga Ch. Corea, aranzhuar nga Philippe Marillia. Pjesa e dytë vazhdoi me interpretimin e një kënge tradicionale Weingalopp në aranzhim të R.Pietsch së bashku me Aureum, “Meraner Jodler, Steirer, Ischler Schleuniger” poashtu në aranzhim të R. Pietsch, Surivisation nga Ch. Maurer, Song for Japan nga S. Verhelst, aranzhim nga Tetsuya Watanabe, Libertango nga A. Piazzolla, përshtatur nga vet Aureum, si dhe Imaginary Dances nga P. Geiss.

Koncerti i kuarteti “Aureum” mund të përshkruhet i tillë me një energji pozitive dhe  frymëzues, ku finesa e stilit të tyre të interpretimit i pasqyronte karakteristikat individuale të të gjithë interpretuesve, e njëkohësisht e theksonte unitetin e tyre. Me frazime delikate, nuanca dinamike dhe temperament ata sollën interpretim me shumë shije, sugjestive dhe piktorale – nëpërmjet të gjitha mundësive që i ofronin instrumentet, ata nxorën në pah të gjitha karakteristikat, principet dhe vlerat estetike të stileve dhe epokave kohore nga programi i interpretuar.

Koncerti i kuartetit të saksofonave “Aureum”, ishte një përmbyllje më se e qëlluar e edicionit të pestë të festivalit të muzikës kamertale “Skupi KamerFest” – festival i cili me organizimin e tij ka shtuar një numër të madh të organizimeve në  pasurimin e jetës kulturore, artistike të qytetit të Shkupit. Publiku besnik i festivalit, i cili jo vetëm në këtë koncert, por në të gjitha të mëparshmet e këtij edicioni ishte i pranishëm në numër të madh, dëshmon për punën dhe shijen e rafinuar artistike të festivalit. Koncerte të tilla, por edhe të ngjashme kërkojnë gjithmonë mbështetje dhe jetëgjatësi – gjithmonë me parimin për frymëzim dhe përparim edukativ-kulturor të shoqërisë dhe jetës sociale. / KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme