Me vargjet e ‘Lamtumirës’ së Shenjtores, Himni i Nënë Terezës në Tiranë! Artistët: Në mrekulli më vete

22 Tetor, 2023 - 10:26 am

Koncerti “Tre tenorët” iu dedikua këtë javë 20-vjetorit të Lumturimit të Shën Terezës. Pas Prishtinës e Vatikanit, u interpretua për publikun shqiptar Himni i Shën Terezës, me vargjet e saj të “Lamtumirës”

Është “Lamtumira” në vargje e shqiptares Shën Terezë, ndërsa largohej me anije drejt Kalkutës e shndërruar në himn.

Genc Tukiçi e kompozoi veprën me rastin e kanunizimit të misionares “Valsin hyjnor” me motiv të të afërmit të saj, kompozitorit Lorenc Antoni.

Në 20-vjetorin e lumturimit të Shenjtores sopranoja Catherine Wethington e këndon në shqip, në koncertin “Tre tenorët” që u mbajt në Qendrën Kulturore të Katedrales Ortodokse.

“Sa herë e dëgjoj emocionohem! Jo vetëm sepse është një vepër shumë e bukur, por edhe sepse bëhet fjalë për këtë figurë kaq të rëndësishme për ne, që na bën krenar kudo që shkojmë”, thotë dirigjenti Bujar Llapaj.

Për publikun shqiptar, që zgjodhi t’i bashkohej këtë javë  këtijrrugëtimi sa artistik e shpirtëror, himni i Shën Terezës interpretohet , pas Prishtinës në 2015-ën e Vatikanit në shenjtërimin e saj. Sopranoja Ramona Tullumani ka qenë pjesë e të tri koncerteve. Tregon nga përjetimet në Selinë e Shenjtë.

“Në Vatikan, të këndohej ky himn, nga bashkimi i shqiptarëve të talentuar ishte një mrekulli më vete. Sa mirë që kjo figurë universale që e njeh dhe do e gjithë bota është e jona!”, thotë sopranoja Ramona Tullumani.

Me muzikë vendase e të huaj, Armaldo Kllogjeri nga Shqipëria, Granit Musliun nga Kosova dhe Ismet Vejselin nga Maqedonia e Veriut,  si “Tre tenorët” e kësaj mbrëmje dedikuar shenjtores, bashkojnë përmes artit shqiptarinë.

Nga Verdi, Puçini, tek Zadeja e Harapi, “Tre tenorët” për Nënë Terezën me producent Edmond Tullumanin, sollën muzikë të përzgjedhur, që u luajt nga Orkestra Filarmonike e dirigjuar nga mjeshtri Bujar Llapaj.

“Kjo mbrëmje erdhi me ngjyra muzikore nga e gjithë bota, sepse Shën Tereza u përket të gjithëve. U përket më së pari, atyre që janë human ndaj tjetrit”, thotë dirigjenti Bujar Llapaj.

Emocionet mbrëmjes,   përmes zërit të Raimonës, ja shtoi “Himni i dashurisë” së Marguerite Monnot, i kënduar nga Edith Piaf.

Me mbi 2 dekada jetë, koncerti “Tre teonërt” përshëndeti në mbyllje të ftuarit me një “Brindisi” nga “La traviata”./shqiptarja.com/KultPlus.com

Të ngjajshme