Mjeshtëria pianistike jetësohet në Prishtinë, Avery Gagliano përmbyll ‘Chopin Piano Fest’

10 Qershor, 2023 - 10:32 pm

Flonja Haxhaj

Mbrëmë, në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare, publiku pati mundësinë të shijojë magjinë e veprave të Mozartit, Chopinit dhe Schubertit nën interpretimin magjepsës të pianistes amerikane, Avery Gagliano, mbrëmje kjo që e përmbylli edicionin e 13-të të ‘Chopin Piano Fest’ në Prishtinë, shkruan KultPlus.

Gagliano, e cila është fituese e çmimit të parë të ‘Chopin Piano Fest’ në ShBA, transmetoi në çdo notë, ndjenjat e thella dhe emocionet e veprave që luante, duke i dhuruar publikut një atmosferë tërheqëse dhe një natë të paharrueshme.

Nën dritat shumëngjyrëshe, në një ambient të ngrohtë e melankolik, publiku i cili kishte mbushur plot ulëset e sallës, për më shumë se një orë u mahnitën nga talenti i rrallë i Gaglianos, e cila i dha jetë çdo melodie nëpërmjet interpretimit të saj plot pasion.

Se performanca e saj krijoi emocione të mëdha në publik u vërejt pas çdo ekzekutimi të veprave, nga duartrokitjet dhe brohoritjet inkurajuese të të pranishmëve, e të cilat në përfundim të koncertit zgjatën për disa minuta.

Pas performancës së saj emocionuese në Prishtinë, pianistja Avery Gagliano shprehu kënaqësinë dhe mirënjohjen sidomos për publikun që e mirëpriti shumë interpretimin e saj.

“Jam shumë e emocionuar, nuk kisha më shumë kohë për të eksploruar qytetin, por nga pothuajse 36 orët e mia këtu, më ka pëlqyer shumë, njerëzit janë kaq të dashur, kështu që është kënaqësia ime të jem këtu”, u shpreh Gagliano.

Ajo mes tjerash foli edhe për publikun në sallë, duke vlerësuar lidhjen që ajo e ndjeu me ta, duke u bërë pjesë e çdo vepre të cilën ajo luajti.

“Reagimi i audiencës ishte vërtet i mrekullueshëm. U ndjeva vërtet e lidhur me audiencën, është e mrekullueshme që mund të luash në piano dhe të ndjesh sikur të gjithë janë pjesë e saj”, përfundoi Gagliano për KultPlus.

Ndërkaq, pas edhe një ecdicioni të sukseshëm,  në mbrëmjen finalizuese të festivalit që i dhuroi publikut në Prishtinë emocione të paharruara foli Besa Luzha, një prej organizatoreve të këtij festivali, e cila u shpreh e lumtur për atë që ‘Chopin Piano Fest’ ka transmetuar përgjatë një muaji.

“Ka qenë një udhëtim i gjatë një-mujor, me shumë sfida, por edhe me shumë kënaqësi, me mbrëmje të bukura, me përshtypje nga më të ndryshmetnga artistë të shumtë që kanë ardhur nga vende të ndryshme”, theksoi Luzha.

Në këtë mbrëmje ishte i pranishëm edhe ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, i cili tha se artistët që kanë performuar në mbrëmjet e këtij festivali e kanë pasuruar edhe më shumë skenën muzikore në Prishtinë.

“Pamë një edicion tjetër shumë të sukseshëm, shumë të gjatë, me shumë koncerte e performanca të bukura nga emra të njohur nga shumë vende të botës. Natyrisht kjo edhe e ka pasqyruar skenën kulturore të Prishtinës dhe unë jam shumë i gëzuar që sonte kemi nderin bashkërisht që ta kurorëzojmë këtë sukses të edicionit të 13-të të festivalit ‘Chopin Piano Fest”.

Më pas fjalën e mori i pari i Prishtinës, i cili fillimisht përgëzoi organizatorët për punën në këtë edicion por edhe në edicionet e kaluara të këtij festivali.

“Edicioni i 13-të i ‘Chopin Piano Fest’ ka qenë një punë fenomenale për një muaj me talentë nga vende të ndryshme të botës e po ashtu edhe me talentë lokalë”, tha Rama, duke falënderuar në vijim të gjithë ata që e bënë të mundur realizimin e festivalit të mirënjohur të pianos.

E Lejla Pula, një prej organizatoreve të ‘Chopin Piano Fest’ pas koncertit u shpreh e lumtur që ky edicion u përmbyll pikërisht me performancen e pianistes së shquar, Avery Gagliano.

“U mrekulluam të gjithë sepse luajti një program shumë të afërt nga Mozarti, Chopini, dhe Schuberti. Audienca e dëgjoi me shumë vëmendje, për të cilën unë edhe jam shumë falënderuar, që për një muaj ishin së bashku me ne”, përfundoi profesoresha Pula për KultPlus.  

Ndërkaq, ju kujtojmë që edicioni i 13-të i festivalit të muzikës klasike, Chopin Piano Fest Prishtina, u mbajt nga data 9 maj deri më 9 qershor, ku adhuruesit e muzikës klasike patën mundësi të shijojnë vepra të autorëve më të njohur botërorë./ KultPlus.com

Të ngjajshme