Muzikë dhe modë, duart e këtyre artistëve shqiptarë mahnisin me artin e pabesueshëm

5 Korrik, 2019 - 8:00 pm

Tre artistët të cilët njihen me njëri-tjetrin që nga koha e studimeve të larta, dhuruan një mbrëmje të quajtur “Puhiza e një nate vere”. Dy artistët mbështollën me muzikën e tyre ekspozitën e modës të paraqitur nga stilistja. “Caprise e variation” e interpretuar nga Bejleri, ishte si e prerë enkas për të shoqëruar stilisten ndërsa prezantonte punën e saj.

Po kaq të përshtatshme ishin edhe vepra të Mozart, Ervin Stafa apo Chopin të interpretuara mjeshtërisht nga pianistja e vlerësuar mëse një herë ndërkombëtarisht, Dhurata Lazo. Me interpretimin e magjishëm të Polonaise Heròic, të kushtuar bankierit çifut, Auguste Lèo, që është një nga kryeveprat e kompozuara prej tij, Lazo, një pianiste me nivel të lartë profesional dhe njohëse e mirë e Chopin, mahniti publikun. Me një teknikë perfekte dhe lirshmëri pa kufi ajo interpretoi “Grand Polonaise brillante” si një homazh për punën e shkëlqyer të mikes së saj.

Bejleri, një saksofonist me përvoja ndërkombëtare edhe si lider orkestrash frymore është i njohur edhe si një interpretues i shkëlqyer xhazi. Lazo dhe Bejleri e hapën mbrëmjen me Concertino te kompozitorit romantik italian, Gaetano Donizzeti duke vazhduar po me nota romantike të Freischütz nga Carl Maria Webber. Më pas Bejleri interpretoi “Capricce” e Variation te Jean Baptiste Arbans, një vepër që tingëlloi si e prerë enkas për të mbështjellë me magji Ekspozitën e Frrokut. Kjo bëri që spektatori të ndihej  i mbështjellë midis muzikës dhe modeleve sa të lehta aq dhe glamoroze, siç u quajtën dhe nga vetë stilistja. Frroku  sjell bashkë në modelet e saj si elegancën ashtu edhe ngjyrat me tone të lehta verore.

Për interpretimin e Chopin, pianistja, e cila qysh në fëmijëri dirigjonte me pasion miket e saj që këndonin në oborrin e shtëpisë, bëri të ngrihej e gjithë salla në këmbë.

Pianistja, e martuar me saksofonistin Bejleri, nuk u la nga publiku të dilte nga salla pa interpretuar me biz.

Nëse një interpretim i tillë do të dëgjohej me sy mbyllur, do të ishte e vështirë të besohej se po luhet vetëm me dy duar e do të dukej e pabesueshme që një zonjë kaq elegante dhe pothuajse e brishtë, të interpretonte me një forcë të tillë në instrumentin e pianos. /KultPlus.com

Të ngjajshme