Nata e dhjetë e Kamerfest me një harmoni të veçantë mes pianos e violençellos

31 Tetor, 2018 - 2:00 pm

Gili Hoxhaj

Festivali i Muzikës Kamertale – Kamerfest mbrëmë arriti të sjellë koncertin e dhjetë me radhë të titulluar “Udhëtim në Itali”, me bashkimin e një harmonie tingujsh mes instrumentit të pianos nga loja e italianit Maurizio Baglini dhe nga loja e violonçelisti nga Shqipëria Vlorent Xhafaj.

“Kleine Suite op. 23, për violonçello dhe piano” e kompozitorit italian Ferrucio Busonit hapi këtë mbrëmje, ku në lundrimin e tingujve që gjenin bashkimin në sallë, me koordinim në çdo hap të veprës, ata arritën ta mbajnë publikun në lojën e tyre deri në përfundim të kësaj vepre. Pas kësaj, të dy instrumentistët të ulur pranë njëri- tjetrit me një përjetim e prani artistike në secilin tingull e lëvizje sollën zbërthim të veçantë të veprave të kompozitorit Franz Liszt.

“A la capella Sistinia për piano solo” e Franz Liszt i dha mundësinë publikut të Prishtinës të shijojë për pak tërë lojën plot mjeshtëri e precizitet të artistit italian Maurizio Baglini. Qëndrimi i tij me pianon nuk është shumë i afërt, e shkëputja e gishtërinjve të tij nga pianoja nuk ishte e zakonshme. I zhytur tërësisht në lojën e tij, kapërcimi nga një tingull në tjetrin sillte një kontinuitet të një loje të bindshme e plot përqendrim. Mënyra se si shkëputej nga piano e bënte që publiku të ndjente tingujt që ai dhuronte, e mënyra se si e mbante lojën në të bënte që publikun ta marr me vete.

Pianisti i njohur italian Maurizio Baglini, thotë se kishte dëgjuar shumë për Kosovën dhe gjithnjë e ka mbajtur entuziazmi që të vij dhe ta eksplorojë këtë vend dhe këtë shoqëri që e quan multikulturore. Ai thotë se këtu gjen një motiv të veçantë për të luajtur.

“Kosova veçanërisht më jep shumë motivim që të luaj, sinqerisht nuk dua të ju jap komplimente por fuqishëm besoj se këto vende ballkanike do të jenë e ardhmja e Evropës, jo vetëm në kuptimin filozofik, sociologjik por edhe ekonomik. Audienca këtu dhe në Tiranë përben një numër të madh të të rinjve në krahasim me vendet e tjera dhe kjo është shumë inkurajuese”, u shpreh Baglini.

Ai tha se ka luajtur edhe më parë me çelistin Xhafaj dhe thotë se ndonjëherë kanë vizione të ndryshme dhe kjo e bën bashkëpunimin e tyre akoma më pozitiv.

“Ruralia hungarica op.32d, për violonçello dhe piano” e kompozitorit hungarez Erno von Dohnanyi erdhi para përmbylljes së veprës kulminante të kompozitorit të njohur Frederic Chopin. “Sonata për violonçello dhe piano, op. 65” përmes lojës së brendshme solli një gërshetim të magjishëm muzikor tek publiku. Çelisti nga Shqipëria Vlorent Xhafaj, tregoi për rëndësinë e veprave që i sollën mbrëmë publikut të Prishtinës. Ai tha se mbrëmë sollën një repertuar që nuk luhet shumë shpesh por që është shumë i rëndësishëm pasi që vet kompozitorët janë shumë të rëndësishëm, por që disa prej veprave të tyre nuk janë luajtur shumë në histori.

“Për veprat e Liszt për violonçel dhe piano ka një arsye sepse ato nuk kanë qenë të njohura dhe janë zbuluar para dhjetë vitesh dhe mandej janë kompozuar dhe riparë nga disa violonçelist të njohur dhe ka shtatë – tetë vite që luhen edhe në Evropë. Janë vepra të periudhës së vonshme të Liszt, janë vepra të brendshme dhe shumë celebrale pastaj vepra e Dohnanyi është një vepër me tema ballkanike mjaft të forta dhe gati duket si muzika jonë por mjaft e përpunuar mirë sepse kompozitorët e mëdhenj kështu e kanë, e marrin muzikën ashtu siç është bruto dhe e bëjnë një kryevepër më pak prekje të vogla dhe ajo mbetet gjeneratë pas gjenerate dhe bëhet muzikë e njohur edhe për vendet e tjera. Busoni është një kompozitor me ndikim të madh të Bachh dhe çdo vepër e tij është me tema të Johann Sebastian Bach” tregoi Xhafaj.

Ai tha se ndihet i lumtur që për herë të parë performon në Kosovë ndërsa që një kohë të gjatë dëshironte që të luante këtu.

“Sonte salla ishte shumë e ngrohtë dhe u ndjemë shumë mirë. Me instrumentin në të cilin luaj është një instrument i dedikuar muzikës së dhomës (kamertale) si në sonet, kuartet dhe trio dhe për muzikën e ansamblit të vogël dhe luajmë vazhdimisht në festivale të tilla kurse jam shumë i lumtur që festivalet e tilla ka edhe në Kosovë dhe bashkëpunimet mes artistëve nga jashtë, nga Kosova dhe Shqipëria janë më konkrete”, u shpreh tutje Xhafaj.

Veprat që erdhën mbrëmë dëshmuan edhe virtuozitetin e instrumentistit Xhafaj, i cili e nisi dhe e përfundoi mbrëmjen me një afërsi muzikore me publikun e veprat, ndërsa prishtinasit shijuan për herë të parë lojën e tij. Me sytë e mbyllur e në koordinim me pianistin erdhën deri tek vepra e Chopin, të cilën e quajtën kulminante. Kjo vepër është një nga kompozimet e fundit të Chopin.

“Kjo sonatë është vepra e fundit që e ka përfunduar kompozitori, ajo është kryevepër absolute dhe ishte shumë mirë ta përmbyllim koncertin me të”, tregoi Xhafaj për KultPlus.

Një lojë të tillë bindëse e kishte përjetuar edhe publiku i Shqipërisë ku kjo dyshe kishin përformuar dy netët e fundit. Xhafaj tregoi se tash e një kohë të gjatë njihen me pianistin Maurizio Baglini por vetëm vitin e fundit kanë krijuar një raport më të thellë në aspektin e bashkëpunimit muzikor.

“Me pianistin kemi luajtur këtë vit për herë të parë por njiheshim prej 15 vitesh kur unë isha student në Paris dhe ai jetonte në Paris. Tanimë kemi edhe njohje më të thellë muzikore dhe programojmë gjëra në skenë. Poashtu kemi edhe projekte të reja dhe ishte goxha e ndjeshme, pardje kemi luajtur në Tiranë, dje në Durrës dhe sonte jemi në Prishtinë, po e mbajmë atë adrenalinën e koncerteve dhe udhëtimit”, tregoi krejt në fund Xhafaj.

Kamerfest do të vazhdojë edhe sonte me mbrëmjen e 11-të koncertale. Koncerti i sotëm titullohet “Me dashuri nga Austria” ndërsa do të luajnë Erich Oskar Huetter në violoncello dhe pianisti nga Shqipëria Klevis Gjergji.

Koncerti fillon në ora 20:00 në Amfiteatrin e Ri të Bibliotekës Universitare./ KultPlus.com

Të ngjajshme