Një dialog i përsosur muzikor në KamerFest, nëpërmjet pianistes Yesim Gokalp dhe Filharmonisë së Kosovës

1 Nëntor, 2017 - 11:30 am

Festivali i muzikës kamertale “KamerFest Kosova” mbrëmë arriti të sjellë koncertin e dhjetë në bashkëpunim me Filharmoninë e Kosovës nën dirigjimin e japonezit, Toshio Yanagisawa dhe në bashkëinterpretim me pianisten Yesim Gokalp nga Turqia, shkruan KultPlus.

Këtë mbrëmje, Salla e Kuqe në Pallatin e Rinisë nuk numëronte asnjë vend të zbrazët në ulëset e publikut. Ndërsa në skenë, Orkestra e Filharmonisë së Kosovës filloi të zë vendet brenda kësaj hapësire, kurse përballë tyre dirigjenti Toshio Yanagisawa bën lëvizjen e parë që nis një rrugëtim muzikor me veprat e Alexander Bordinit, e që do të pasohet me ato të Mozartit dhe të Tchaikovskit.
Lëvizjet e tij të shpeshta brenda një zonë të ngushtë e shpërfaqnin edhe më shumë anën e tij artistike. Duart e tij shtriheshin në çdo drejtim të orkestrës ndërsa dukej që merrnin me vetë gjithë publikun në një botë të tingujve të larmishëm. Herë zgjaste të dy duart, e me nxitim shtrinte trupin drejt orkestrës, e cila me një përcjellje korrekte i kthente ato në një interpretim të përsosur muzikor.

Ritmi i dirigjimit të tij filloi të përjetoj një ngadalësim kur kthehej në drejtim e të pianistes turke Yesim Gokalp, e cila dukej së po mbizotëronte tërë sallën me tinguj të lehtë e që vinin më me nxitim kur gishtërinjtë e saj bënin një ecje të shpejtë në tastet e pianos ku ishte e vendosur.
Duke qenë se ajo kishte qenë dhe herëve të tjera në këtë festival, në bashkëpunim me instrumentistë të ndryshëm, ajo tregoi për KultPlus që bashkëpunimi i kësaj nate i dhuroi një afërsi dhe ngrohtësi të veçantë me publikun.

“Duke qenë se isha në mes të sallës, e shijova shumë atmosferën e ngrohtë të publikut, duke më dhënë shumë ndjesi të afërsisë me publikun. Unë kam qenë edhe me herët pjesë e këtij festivali ku kam luajtur në veprat e Bah, por edhe në duete kamertale, sikurse edhe me koncert timin solistik. Në bisedë me drejtorin ramë dakord që të luajmë Mozartin, sepse kjo vepër ka më shumë dialog me orkestrën. Ky sonte ishte një koncert shumë i veçantë dhe i bukur për mua, duke e krahasuar me koncertet e tjera të Mozartit, ky për mua është një ndër koncertet më të mëdha”, tha Yesim Gokalp për KultPlus.
Profesoresha, Valbona Pula- Petrovci e cilësoi si shumë të suksesshëm këtë koncert dhe se nga ky koncert po largohet duke marrë përshtypjet më të mira të këtij bashkëpunimi.

“Ky është një ndër koncertet e suksesshme të Filharmonisë së Kosovës, ndërsa është shumë e rëndësishme të ceket që pjesa më e madhe e anëtarëve të saj janë studentë, ish- studentë të degës së muzikës, që kërkon kohë të krijohet, e që është një statisfaksion i madh. Ata sonte erdhën me një program shumë pretencioz dhe të realizuar shumë mirë që erdhi edhe përmes punës kualitative të dirigjentit Yanagisawa i cili është pjesë e shpeshtë e stafit të Filharmonisë, dhe e ka ndihmuar atë më shumë instrumente. Sa i përket interpretimt të pianistes ishte po ashtu i mrekullueshëm dhe me një muzikalitet të jashtëzakonshëm” u shpreh Pula-Petrovci për KultPlus.

Koncerti i dhjetë i KamerFest përfundoi mes duartrokitjeve që vështirë mbaronin duke bërë kështu që artistët të përulen për të disatën herë pranë publikut. Festivali “KamerFest Kosova” nesër do të përmbyllë edhe edicionin e 18-të të tij, i cili ka nisur që nga data 10 Tetor. Mbrëmja post-kamerfest do të mbahet në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare dhe do të sjellë artistët austriakë: Livia Selin në violinë, Philipp Comploi në violinçello dhe Chengcheng Zhaoi në piano, të cilët do të interpretojnë veprat e Haydenit, Mozartit dhe Smetanas. / KultPlus.com

Të ngjajshme