“Paganini i trumbetës” vjen në Prishtinë për hapjen e sezonit të ri të Filharmonisë së Kosovës

15 Shtator, 2017 - 10:00 am

Trumbetisti më i dalluar i kohës Sergei Nakariakov do të vijë në Prishtinë për të hapur sezonin e ri të Filharmonisë së Kosovës, përcjellë KultPlus.

Institucioni më i lartë i muzikës në vend do të hapë sezonin e ri më 1 tetor me një koncert madhështor në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë. Izraeliti Sergei Nakariakov është një nga emrat më të dalluar të muzikës klasike në botë. Ardhja e tij në Prishtinë dhe interpretimi me Orkestrën e Filharmonisë së Kosovës tregon përkushtimin e këtij institucioni për ta bërë kryeqendrën kosovare “stacion” të paraqitjeve të emrave të kalibrit botëror përpara publikut kosovar.

Nakaraikov është instrumentist i cili ka thyer parashikimet e mundësive interpretuese në trumbetë dhe repertori i tij përfshinë gjithë spektrin e literaturës origjinale të shkruar për këtë instrument. Ai po ashtu në vazhdimësi luan adaptime mahnitëse duke qenë gjithmonë në kërkim të shprehjeve të reja muzikore. Me orkestrën e Filharmonisë së Kosovës Nakariakov do të interpretojë “Variacione mbi temën Rokoko” nga Tchaikovsky e krejt kjo nën urdhrat e dirigjentit Boian Videnoff. Bashkë me Nakariakov-in e Videnoff-in në hapjen e sezonit të ri në rolin e solistes do të paraqitet edhe pianistja belge Maria Meerovitch./KultPlus.com

Të ngjajshme