Pagarusha për institucionet shtetërore: Le t’i mbetet gjithkujt në ndërgjegje se çfarë kanë bërë për artistët

7 Shkurt, 2021 - 10:28 pm

Është bërë një vit që nga vdekja e bilbili të muzikës shqipe, Nexhmije Pagarushës, por vitet do të mbeten të mangëta për të numëruar jetëgjatësinë e artit të saj, shkruan KultPlus

Veprimtaria e saj muzikore 40-vjeçare është aq e gjerë, sa që është vështirë të thuhet se cilit zhanër i takon. Është e njohur për interpretimet e saj të shkëlqyera në muzikën popullore dhe opera.

Përtej interpretimeve artistike si këngëtare dhe edhe aktore, Pagarusha ka lënë pas intervistat e saj të cilat mbeten të veçanta.

Në përvjetorin e parë të vdekjes së bilbilit kosovar, KultPlus ua sjell intervistën e saj të realizuar në vitin 2018:

Si është një ditë e zakonshme e ‘Bilbilit të Kosovës’, cilat janë aktivitetet e përditshme tuaja?

Nexhmije Pagarusha: Dita e ime…. Nuk kam shumë aktivitete , por jam e lumtur që kam miq dhe mikesha të cilat më vizitojnë. Kam vëllain Tarikun i cili çdo mëngjes vjen tek unë. Fillimisht pimë nga një kafe dhe bisedojmë për gjëra të zakonshme. Pak më vonë ai del dhe i blen të gjitha gjërat që më nevojiten. Kam edhe kunatën Lulen e cila për mua bën çdo gjë dhe është e veçantë për mua. Kur është koha e mirë edhe dal në shëtitje.

Ekzistojnë rreth 150 këngë tuaja të incizuara, a i dëgjoni shpesh ato? Nëse po, si ndiheni në ato raste?

Nexhmije Pagarusha: Po i dëgjoj shumë shpesh. I dëgjoj me shume vëmendje, disa nga ato më pëlqejnë se si i kam menduar por ka edhe nga ato qe nuk më pëlqejnë. Disa nga ato me ngjallin kujtime të bukura por m’i kujtojnë edhe vështirsitë dhe kushtet në të cilat kemi punuar për ta incizuar një këngë.

A ka ndonjë incizim të ndonjë kënge që ju e posedoni e nuk e keni bërë asnjëherë të njohur për publikun?

Nexhmije Pagarusha: Të gjitha këngët janë në fonotekën e Radio Kosovës.

Ju i keni kontribuar shumë kulturës dhe muzikës shqipe. Sa jeni e kënaqur me atë çfarë ka bërë shteti për ju? E nga populli, sa ndiheni e vlerësuar?

Nexhmije Pagarusha: Unë gjithë jetën time kam punuar për popullin tim, jam munduar që të popullarizoj këngën e bukur shqipe, ta lartësoj atë. Në kohërat shumë të vështira për një artiste shqiptare dhe për popullin tim, unë me shumë kompetencë e kam prezantuar këngën shqipe pothuajse në tërë botën. Sa i përket institucioneve tona nuk dua të flas . Le t’i mbetet gjithkujt në ndërgjegje se çfarë kanë bërë për artistët.

Gjeneratat e reja ju njohin vetëm përmes prindërve, ata nuk ju kanë parë duke interpretuar. A do të pranonit të shfaqeni sërish në skenë, të këndoni për ndonjë rast të paktën një këngë?

Nexhmije Pagarusha: Unë shumë herët jam larguar nga skena. Më mbetet peng që nuk kam pasur përkrahjen institucionale për ta bërë një koncert solistik në Kosovë. Tanimë nuk besoj që isha kthyer në skenë sepse artisti e ndjen momentin kur duhet të lë skenën.

A e vizitoni ndonjëherë vendlindjen, çfarë ndjesie ju jep qëndrimi atje?

Nexhmije Pagarusha: Po, e vizitoj dhe se atje kam familjarë, ndihem shumë rahat dhe me plot kujtime. /GazetaBlic/ KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme