Përkujohet në 37-vjetorin e vdekjes dirigjenti, kompozitori dhe pedagogu Mark Kaçinari

19 Nëntor, 2022 - 3:30 pm

Në 37 vjetorin e ndarjes nga Filharmonia e Kosovës përkujton dirigjentin, kompozitorin dhe pedagogun Mark Kaçinari, përcjell KultPlus.

Përmes një postimi në faqen zyrtare në Facebook, Filharmonia e Kosovës e vlerëson Kaçinarin si një prej personaliteteve më të çmuara të muzikës dhe figurave më të rëndësishme të kulturës shqiptare në Kosovë.

Në vijim gjeni postimin e Filharmonisë së Kosovës:

I lindur më 20 janar të vitit 1935 në Prizren, Kaçinari i përket brezit të parë të studentëve shqiptarë nga Kosova të cilën përfunduan shkollimin universitar në muzikë. Pas përfundimit të studimeve ka punuar si pedagog në Shkollën e Muzikës në Prizren dhe krahas punës pedagogjike u angazhua si dirigjent i korit të Shoqërisë Kulturore Artistike “Agimi”.

Ka punuar si profesor edhe në Shkollën e Lartë Pedagogjike në Prishtinë dhe pas themelimit të Degës së Muzikës në Fakultetin e Arteve, ka ligjëruar lëndën e solfezhit. Më 1984 u emërua edhe dekan i këtij institucioni të lartë arsimor.

Me korin “Collegium Cantorum”, të cilin e themeloi më 1969, ka realizuar një numër të madh koncertesh dhe më 1972 shënoi suksesin e madh duke u shpërblyer me çmimin e dytë në Festivalin Botëror të Koreve në Llangollen në Britani të Madhe.

Kaçinari veçohet si njohës i shkëlqyer i interpretimit koral dhe kjo dallohet edhe në krijimtarinë e tij duke numëruar një numër të konsiderueshëm të veprave korale ndonëse krijimtaria e tij shtrihet edhe në gjini të tjera muzikore.

Mark Kaçinari ishte një prej personaliteteve më të çmuara të muzikës dhe figurave më të rëndësishme të kulturës shqiptare në Kosovë. U nda nga jeta më 19 nëntor të viti 1985 në Prishtinë./ KultPlus.com

Të ngjajshme