Pianistet Fatjona Maliqi dhe Anila Aliu në mesin e tetë artistëve që solli Chopin në natën e 16-të

28 Prill, 2019 - 11:00 am

Në Amfiteatrin e ri të Bibliotekës Qendrore Universitare, u krijua një natë magjepse me kombinimin e tri instrumenteve, pianos, violinës dhe violës. Pianistja Fatjona Maliqi u shoqërua me violinë nga Andreas Illgner dhe Olja Kataran ndërsa tingujt e violës erdhën përmes violinistes Rebekka Zachner dhe violinistit Marton Bereznai, shkruan KultPlus.

Mirëpo përpara se artistët e lartpërmendur të sjellin një program mjaft të pasur, publiku pati mundësin që të udhëtoj nëpër vepra të kompozitorëve të njohur si Chopin përmes lojës së pianistes Anila Aliu.

Aliu e cila e filloi këtë mbrëmje është fituese e vitit të kaluar. Ajo në edicionin e kaluar rrëmbeu çmimin special të festivalit Chopin Piano Fest. Ky çmim ju mundëson artistëve të ri që të perfomojnë në Gjermani dhe ka ardhur si iniciative e pianistes Ardita Statovci. Anila Aliu për KultPlus potencoi rëndësinë që ka për të një përfaqësim i denjë i vendlindjes së saj edhe në Evropë.

“Ishte një natë jashtëzakonisht e mirë, natyrisht mbas shumë performancave që i kam pasur edhe jashtë vendit  kryesisht në Evropë, ndihem më së miri kur performoj para publikut tim shqiptar. Është një ndjenjë e papërshkrueshme, synimi im kryesor është që ta përfaqësojë Kosovën, vendin tim në Evropë dhe më gjerë”, u shpreh Anila Aliu. 

Pas pianistes Aliu, në skenë erdhi pianisti Arda Mustafouglu i cili solli kompozitorin Prokofjev.  Mustafouglu edhe pse i ri në moshë (lindi në Shkup në vitin 2002) ka arritur që të rrëmbeje çmime të rëndësishme në Maqedoni, Turqi, Gjermani dhe Belgjikë. Pas tij pianisti nga Shqipëria, Enea Kapxhiu solli kompozitorin Rachmaninov.

Kapxhiu pas interpretimit të tij në piano tregoi për KultPlus së është i lumtur që u interpretoi në Prishtinë në kuadër të festivalit i cili me vite ka pritur emra të njohur të muzikës klasike, e veçanërisht pianistë që kanë lënë gjurmë.

“Publiku ishte shumë i ngrohtë dhe ajo ngrohtësi të jep më të mirën tënde që të vazhdosh më tutje. Unë u ndjeva jashtëzakonisht i emocionuar, veprën e kam punuar me pedagogen time Merita Rexha. Organizatorët e festivalit Chopin Piano Fest janë duke e bërë një punë të mirë dhe Prishtinës po i sjellin muzikantë të nivelit botërorë të cilën unë personalisht i çmojë shumë”, tha Kapxhiu.

Në anën tjetër ajka e kësaj mbrëmje, bashkëpunimi i pianistes kosovare me grupin SON d’AIX sollën kompozitorin Frédéric François Chopin, i cili është edhe epiqendra e festivalit. Pianistja e Kosovës Fatjona Maliqi,  e cila është duke studiuar në Gjermani, u shpreh se Chopin Piano Fest çdo herë i jep emocione të papërshkrueshme.

“Ndjehem mirë që në këtë mbrëmje do të shoqërohem nga artistë të mrekullueshëm. Falënderoj organizatorët e festivalit për thirrjen dhe për mundësinë që po ju japin studentëve”, theksoi ajo.

Këtë mbrëmje e cila solli tetë artistë dhe një program të pasur muzikorë e vlerësoi lartë, pianistja dhe profesoresha Valbona Pula Petrovci. Ajo u shpreh se është veçantia që sjellë festivali çdo natë që po e mbanë interesimin e publikut gjatë gjithë këtij muaji sa po zgjatë festivali.

“Si çdo mbrëmje tjetër organizimi ka qenë në nivel. Përkundër faktit që kjo është nata e gjashtëmbëdhjetë, interesimi ka qenë në nivel të duhur, publiku mendoj se ka qenë mjaft i kënaqur me të gjitha performancat edhe kjo sonte ishte një nga mbrëmjet më të mira, e cila i dhuroj publikut me të vërtet një kënaqësi të veçantë”, tha për KultPlus Petrovci.

Sonte mbrëma me fillim nga ora 20:00 në Sallën e Kuqe të Pallatit Rinisë së bashku me Filharmoninë e Kosovës do të shënohet mbyllja e edicionit të 10-të ku do të performojnë pianistët Stefan Vladar dhe Josif Gjipalo. / Frosina Byqmeti/ KultPlus.com

Të ngjajshme