Pianisti Agron Shujaku solli një mbrëmje të veçantë për audiencën gjilanase, Jakupi: Ky koncert frymëzoi pianistët e rinj

18 Tetor, 2023 - 10:49 pm

Në një ditë të zakonshme të javës, Shkolla e Muzikës në Gjilan shkëlqeu me një koncert recital të veçantë të profesorit Agron Shujaku, shkruan KultPlus.

E mërkura e kësaj jave u shënua me interpretimin e veprave të mjeshtërve të muzikës, Ravel dhe Beethoven, në një performancë të shquar për të gjithë ata që e ndoqën.

Agron Shujaku, një pianist dhe muzikant i njohur kosovar, tregoi pasionin dhe mjeshtërinë e tij në këtë koncert të veçantë duke interpretuar veprat e kompozitorëve Ravel, duke përfshirë “Pavane pour une infante défunte” dhe “Le Tombeau de Couperin,”.

Ai poashtu interpretoi sonaten e fundit të Beethovenit, një kryevepër e cila impresionoi publikun dhe barti një emocion te thellë te audienca e përbërë nga kolegë, nxënës dhe dashamirët e muzikës, të cilët u kënaqën me këtë përvojë të mrekullueshme muzikore.

Interpretimi i pianistit krijoi një udhëtim muzikor të veçantë, një atmosferë të mbushur me tinguj emocionues që solli freski te audienca e Gjilanit.

Kushtrim Jakupi, drejtori i Shkollës së Muzikës  ne Gjilan, shprehi kënaqësinë për organizimin e koncertit recital që i frymëzoi të pranishmit dhe njëkohësisht i inkurajoi pianistët e rinj të ndjekin shembullin e tij në zhvillimin e artit pianistik./ KultPlus.com

Të ngjajshme