4 Qershor, 2025 - 10:55 pm
Flonja Haxhaj
Nën ngrohtësinë e një mbrëmje pranvere, sheshi “Skënderbeu” në Prishtinë u shndërrua mbrëmë në një skenë të hapur nën yje, ku u dha koncerti madhështor “Kanga Jonë 2025”, një përjetim muzikor i mbushur me kujtim, emocion dhe respekt të thellë për trashëgiminë e njërit prej emrave më të shquar të muzikës së lehtë shqiptare, kompozitorit Musa Piperku, shkruan KultPlus
Nën patronatin e Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ky koncert erdhi si një rrugëtim nëpër tingujt që për dekada kanë shënuar ndjeshmërinë për vendin e dashurinë në të gjitha trevat shqiptare.
Koncerti, i cili solli përpara publikut këngët që i kanë shoqëruar nëpër etapa të ndryshme të jetës, u moderua me finesë nga prezantuesja Dojna Mema dhe aktori i njohur kosovar Alban Ukaj, të cilët udhëhoqën me delikatesë rrjedhën e natës, duke ndërlidhur artistët dhe repertorin në shenjë respekti për veprën e Piperkut.
Mbrëmja nisi me interpretimin e Genc Salihut, i cili solli këngët “Kaltrina” dhe “Të fala nga Prishtina”, duke vendosur menjëherë tonin e një nate të mbushur me dashuri për qytetin dhe muzikën. Më pas, këngëtarja Eneda Tarifa i dha skenës një elegancë të veçantë me interpretimin emocional të këngëve “Malli për ty lotin ndjell” dhe “Kosovarja e bukur”, duke përçuar ndjeshmërinë e melodisë së Piperkut.
Shpat Deda solli atmosferën intime të këngës “Pranvera në vendin tim”, e pas tij ansambli “Zanat” sollën një interpretim të fuqishëm të “Kënga shpirtin ma rrëmben”.
Më tej, këngëtarja Fifi solli energji nëpërmjet këngëve“O bilbil” dhe “Qeshu rini”, dy këngë që reflektojnë gjallërinë dhe frymën rinore që karakterizon veprat e Piperkut. Ndërkohë, Vlashent Sata solli një emocion e një frymë romantike teksa interpretoi këngën“Buzëqesh prapë Suzi”. Pas tij, këngëtarja Jehona Sopi solli gjallëri në publik me këngën “Ku mbet hareja”.Kënga ikonike për fëmijë ‘Fidani’ erdhi më pas nëpëmjet zërit të dashur të Korit të Fëmijëve ‘Okarina’.
Ndërkaq, kulmi i mbrëmjes u arrit me performancën e sopranos së famshme Inva Mula, e cila interpretoi magjishëm këngën “Pranvera në Prishtinë”.Pas saj, Armend Rexhepagiqi solli një tjetër perlë shqiptare, këngën e tij “Dashurinë o ku e kam”, po ashtu kompozim nga Piperku. Ndërsa mbrëmja u kurorëzua me duetin e tij dhe të Invës në këngën “Këngë Moj”, si një himn të dashurisë për artin dhe jetën.
Përgjatë këtij koncerti, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ndau familjes së Piperkut, Medaljen Presidenciale të Meritës ‘Post Mortem’, për kompozitorin Musa Piperku, si vlerësim për jetën, krijimtarinë dhe ndikimin e tij të jashtëzakonshëm në kulturën muzikore shqiptare.
Pas një interpretimi brilant që u mirëprit me duartrokitje të zjarrta nga publiku i Prishtinës, sopranoja me famë ndërkombëtare Inva Mula, e cila solli emocione të thella me zërin dhe interpretimin e saj në skenën e koncertit “Kanga Jonë”, tha për KultPlus se është prekur nga fuqia artistike dhe vlera historike e këngëve të Musa Piperkut, duke vlerësuar këtë koncert si një nismë me rëndësi të madhe për ruajtjen e identitetit muzikor shqiptar.
“Këto janë këngë të mrekullueshme. Edhe unë i duke dëgjuar dhe gjatë provave, nuk e dija të gjitha këto këngë kanë qenë të Musa Piperkut, sepse nganjëherë këngët kur bëhen kaq popullore sikur bëhen edhe anonime. Prandaj ky rikthim, me të gjithë krijimtarinë e kompozitorit është me shumë vlera, sepse na kthen në identitetin e një njeriu, i cili ka lënë një krijimtari, një thesar për artin shqiptar të të pa çmuar dhe mendoj që kjo iniciativë për të krijuar ‘Kanga Jonë’ si produksion është një iniciativë shumë e bukur, për arsye se ka kompozitorë të mrekullueshëm, dhe unë u ndjeva kaq bukur, u ndjeva kaq mirë, me ato dy interpretime që ishin nga këngët më të bukura të kompozitorit”, tha Mula duke shtuar më tutje se këngë si këto janë AND-ja e muzikës shqiptare, prandaj edhe duhet të rikthehen.
Ajo më tutje shprehet e lumtur edhe për interpretimin e saj të parë me këngëtarin Armend Rexhepagiqi, duke shprehur se do të mbetet një kujtim shumë i bukur për të.
“Unë u ndjeva shumë e lumtur, se e kam adhuruar gjithmonë Armendin, por nuk kemi pas mundësi ndonjëherë të këndonim bashkë, një herë nuk bashkohen artistët për shumë arsye, por kur më thanë që do ta bësh duet, u gëzova shumë. Ne u takuam këtu, u takuam me shumë mall, e përsëritëm këngën, bile e përsëritëm shumë herë, si ata fëmijët e vegjël, vetëm se kishim dëshirë, domethënë që ta bënim këto duet. Jam shumë e lumtur dhe është një kujtim shumë i bukur për mua”, tha Mula.
Ndërkaq, pas koncertit, këngëtari Vlashent Sata tha për KultPlus se ndjehet i lumtur lumtur që ishte pjesë i një organizimi të tillë, ku kujtohet trasigimia që ka lënë pas një kompozitor.
“Gjëja më e bukur ishte me këndu në gjuhën shqipe dhe të këndoj shqip në formën e muzikës. Musa Piperkun nuk e njihja si emër por si muzikë dhe ishte shumë e rëndësishme për mua të jem pjesë e këtij koncerti. Është shumë e rëndësishme që po vlerësohet një artist për punën që ka lënë mrapa.Ajo që është e bukur është që të kuptojmë se shqiptarët kanë ditur të jetojnë, të krijojnë, të gëzojnë jetën dhe të mbijetojnë edhe në kushte shumë të vështira. Kjo tregon se ata kanë qenë brenda jetës me muzikën dhe artin ashtu siç kanë dashur jeta e tyre të jetë”, tha Sata, duke shtuar mes tjerash se shpreson se me versionin e tij të ‘Buzëqesh prapë Suzi’ ka sjellë ndjeshmërinë që do t’i afrohej botës së Piperkut.
Me paraqitje për herë të parë në rolin e moderatorit, aktori Alban Ukaj tha se i është përgjigjur pozitivisht kësaj ftese si nderim dhe respekt të jetës dhe veprës së kompozitorit Piperku, vepra që më nuk krijohen në ditët e sotme.
“Është hera e parë që po e bëj moderatorin. E kam prauar për një arsye, për të madhin Musa Piperku. Jemi rritë me këto këngë. Ka qenë një nder dhe përgjegjësi të madhe, që të prezantoj koncertin që i kushtohet një njeriu aq të madh dhe një prej kompozitorëve tonë më të mirë. Kur i dëgjon atë melodi, atë ritëm, e sheh që diçka është ndryshe në krahasim me atë që po prodhohet sot. Unë shpresoj që dikush do të ketë veshë dhe do të ketë vetëdije, që merr kthy atë që e kanë sjellë Randobrava, Piperku e kompozitorë të ndryshëm”, tha Ukaj për KultPlus.
Ndërkaq, ju kujtojmë se koncerti ‘Kanga Jonë’ e cila më shumë se sa një mbrëmje artistike, ishte një akt përulje për një trashëgimi që vazhon të jetojë nëpërmjet notave, është organizuar nga Dardan Selimaj dhe Jehona Sopi./KultPlus.com