RLIOF po vjen me mbrëmjen e tretë muzikore të titulluar ‘Opera Night’

27 Korrik, 2023 - 10:10 am

Rame Lahaj International Opera Festival po vjen me mbrëmjen e tretë muzikore të titulluar ‘Opera Night’.

Koncerti ‘Opera Night’ mbahet sonte, e enjte, 27 Korrik, nga ora 20:00 në Amfiteatrin e Ri të Bibliotekës Universitare (objekti në afërsi të Institutit Albanologjik).

‘Opera Night’ mbrëmja që i dedikohet tërësisht muzikës së mirëfilltë operistike, vjen në festivalin RLIOF për ta pasuruar programin e festivalit. Në këtë mbrëmje në skenë do të ngjiten solistë të skenave operistike, të cilët për publikun e gjerë sjellin një repertor premierë në pjesën më të madhe të tij.

Këtë herë do të prekim belcantizmin në të gjitha ngjyrimet e tij, përmes zërave të jashtëzakonshëm të sopranos Leonor Bonilla, tenorit Mert Sungu dhe baritonit Simon Mechlinski, shoqëruar në piano nga Ardita Bufaj.

RLIOF mban emrin e tenorit të mirënjohur kosovar, Rame Lahaj, i cili falë eksperiencës dhe namit të tij në komunitetin botëror të operas sjellë para publikut shqiptar emra të mirënjohur të muzikës operistike. Më shumë detaje për festivalin mund t’i gjeni në website-in e RLIOF. / KultPlus.com

Të ngjajshme