Robert Bisha dhe Kori Iso-Polifonik ‘lëkundën’ mrekullueshëm Kalanë e Prizrenit

6 Gusht, 2017 - 6:31 pm

Sarandë Selimi

Shumë njerëz mbrëmjen e së shtunës, përkatësisht ditën e dytë të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit Dokumentar dhe të Shkurtër Dokufest, morrën rrugën goxha të mundimshme për tek Kalaja e Prizrenit. Të gjithë ata njerëz deri lart tek hyrja e kalasë i shoqëroi edhe perëndimi i diellit, që jepte një pamje mahnitëse aty lart tek muret e kalasë ku shkruan me plot drita ‘FUTURE MY LOVE’. Gjithçka dukej mahnitëse, edhe hyrja brenda kalasë e cila është në përfundim të një restaurimi i cili ia kishte dhënë pamjen e një ‘perandorie’. Ecja drejt Kino Kalasë. Arritja tek porta e kinemasë ku duhej pritur në rend për tu futur brenda.
Ulja e njerëzve në një formë gjysmë hëne, e gjithçka tjetër dukej bukur. Por jo aq sa pamja e një skene të madhe ku mbi të rrinte një piano, dhe një kitarë.
Tingujt e kitarës kishin jehuar edhe më herët në themelet e Kalasë së Prizrenit por jo edhe të pianos. E këtë për herë të parë e bëri një artist i madh shqiptar i cili jeton në Itali. Ai nuk kishte ardhur vetëm. Të gjithë kishin dëgjuar për të, e ndoshta edhe performancat ia kishin dëgjuar në rrjetet sociale, por pak nga ta e kishin dëgjuar live. Një performancë dhe këndim i magjishëm ndodhi mbrëmjen e së shtunës. E kush din ta bëjë atë më mirë se Robert Bisha dhe Iso Polyphonic Choir – Kori Iso-Polifonik

Tradicionalja me bashkëkohoren. Një interpretim me zemër. Siç thotë për KultPlus vetë artisti Bisha, flladi veror iu bashkëngjit duke e mrekulluar edhe më shumë.

Krejt si fillim skenën e pushtoi Kori Iso-polifonik, të cilët sollën barën emocionale ndërshekullore të manifestuar me fuqinë e zërit njerëzor. Dalëngadalë aty iu bashkua improvizimi gjenial i Robert Bishës, si njëri nga kompozitorët më të talentuar që ka parë publiku shqiptar ndonjëherë.
‘Delja Rude’, ‘Janinës çi panë sytë’, këngë me vargjet e Gjergj Fishtës, ‘Baresha’ e Nexhmije Pagarushës që erdhi mrekullisht vetëm përmes tingujve të telave brenda pianos nga Robert Bisha e shumë e shumë këngë të tjera hijeshuan Kalanë e së ardhmes së DokuFestit.

Krejt kjo u bë si lloj feste për kalanë e rinovuar të qytetit të Prizrenit ku DokuFest bashkoi forcat bashkë me ChWB Kosova për këtë koncert.
Ishte e bukur edhe ajo pjesa e fundit ku publiku nuk e lejon Robertin të dalë nga skena pa interpretuar edhe një këngë. Ai u kthye por bëri që publiku t’i bashkohet performancës së tij jo vetëm nëpërmjet këngës por edhe valles.
E kështu emocionet u rritën edhe më shumë për Robert Bishën, i cili pas përfundimit të koncertit dhe pas përshëndetjeve të shumta që bëri me publikun foli edhe me KultPlus, duke i treguar emocionet e kësaj mbrëmje.

“Unë u ndjeva shumë mirë, publiku kishte një muzikalitet interesant sepse të gjitha frazave të mia iu përgjigjën. Kisha ndjesi të shumta dhe flladi i verës u bë pjesë e koncertit dhe e përdorëm, ose më mirë të them e ftuam e mirëpritëm. Është një emocion i fortë dhe për mua është nderë të jem pjesë e këtij festivali. Të vij në Kosovë për mua është diçka e veçantë sepse më duket se edhe origjina ime është e kësaj ane, nuk e kam vërtetuar por kështu thoshin nga dajët”, tha në rrëfimin e shkurtër për KultPlus, Robert Bisha.

Bisha përveç në piano interpretoi edhe në kitarë. Ai vazhdoi tutje të tregonte se pse ka zgjedhur që vargjet e Gjergj Fishtës t’i kthejë në këngë e poashtu foli pak edhe për jetën e tij në Itali.

“Së pari fjalët e Gjergj Fishtës i kam zgjedhë sepse janë një deklaratë e dashurisë në përgjithësi e cila nuk ka një drejtim për një person ‘Në ty mendoj’, pra ky dimensioni i tekstit është një dimension që e kam kompozuar për kor. Në Itali jeta ka shkuar siç ka dashur të shkoj. Tashmë janë bërë 17 vite, kam shkuar që kur isha 14 vjeç. Kam studiuar muzikën, pastaj kam punuar që ta mbaj veten sepse isha krejt i vetëm atje, pastaj kam nisë karrierën atje”, përfundoi artisti Robert Bisha, i cili edhe njëherë ishte falënderues për këtë mikpritje.

Ky ishte koncerti që solli DokuFest mbrëmjen e dytë të edicionit të 16-të të tij. Ky festival po vazhdon edhe sot me natën e tretë ku përveç filmave, masterklaseve, e shumëçka tjetër do të sjellë në skenën Andrra vetë Andrrën. Pra Fatime Kosumi-Andrra, interpreton sonte në DokuNights, eventet e mbrëmjes të DokuFest./ KultPlus.com

Të ngjajshme