8 Korrik, 2025 - 9:31 am
Parku Natyror i Porto Palermos është një nga zonat më të bukura të bregdetit shqiptar, mes ujërave të kristalta të Jonit.
Plazhet e kristalta dhe natyra e paprekur plotësojnë një ofertë të përkryer për të gjithë vizitorët, qofshin vendas apo të huaj. Shumë shpejt ky vend special, i cili është kthyer në një skenë të përkryer për evente kulturore dhe artistike, do të mikpresë edicionin e pestë të Porto Palermo Festival, ideuar nga violinisti i mirënjohur Olen Cesari.
Festivali sjell çdo vit artistë virtuozë si dhe vizitorë nga e gjithë bota, për të ndjekur festivalin e njëkohësisht për të zbuluar këtë vend duke ndjerë frymën e historisë në çdo cep.
Festivali zhvillohet në kalanë e ndërtuar nga Ali Pashë Tepelena në fillim të shekullit të 19-të, si dhuratë për gruan e tij, Vasiliqinë.
Arkitektura e veçantë e kalasë tregon për mjeshtërinë e ndërtimit dhe inteligjencës strategjike. Nga kullat e larta dhe muret mbrojtëse syri sheh një horizont të pafund, ku deti dhe qielli bashkohen në një pamje mahnitëse.