“Shkodra Jazz Festival”, në edicionin e 13-të

16 Gusht, 2022 - 2:08 pm

Në qytetin e Shkodrës po zhvillohet festivali i përvitshëm “Shkodra Jazz Festival”. Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, e ka vlerësuar festivalin, duke e quajtur “një institucion të cilin Ministria e Kulturës e mbështet me kënaqësi, për të ndihmuar në çuarjen përpara të ëndrrës dhe vizionit të violinistit të talentuar Rrok Jakaj”.

Deri në 28 gusht, në Shkodër do të performojnë artistë shqiptarë e të huaj, si dhe do të ketë koncerte, kurse specializimi për artistët e rinj e leksione nga profesorë të huaj.

“Shkodra Jazz Festival i mirëpret të gjithë”, thuhet në postimin e ministres Margariti.

Shkodra Jazz Festival (SHJF), nisi në vitin 2005, në kujtim të muzikantit të njohur Rrok Jakaj, si një rrugëtim andrrash që zgjohet çdo ditë ndryshe.

Edicioni i 13-të i këtij eventi mbështetet nga bashkia Shkodër dhe shoqata “Rrok Jakaj”.

Nën drejtimin e Maestro Bardh Jakova, sonte do të performojnë në sheshin përpara bashkisë, të rinjtë e “Rrok Academy Accordion”. /atsh / KultPlus.com

Të ngjajshme