Shqipëria garon sonte në Eurovision, Rama: Suksese me Beatriçen dhe Kolën nga Shkodra Elektronike

13 Maj, 2025 - 10:29 am

“Shkodra Elektronike” me këngën e tyre “Zjerm”, do të performojë sot e teta në gjysmëfinalen e parë të Eurovision 2025.

Kryeministri Edi Rama ndau në rrjetet sociale videoklipin e këngës “Zjerm”, të interpretuar nga artistët e grupit “Shkodra Elektronike”, Beatriçe Gjergji dhe Kolë Laca, të cilët fituan në dhjetor të 2024-s Festivalin e Këngës në Radio Televizion.

“Suksese Shqipërisë sonte në Eurovision, me Beatriçen dhe Kolën nga Shkodra Elektronike”, shkruan Rama.

Që pas fitores në Festivalin e 63-të të Këngës në RTSH, “Zjerm” është shndërruar në një sensacion, duke u renditur ndër këngët më të ndjekura në YouTube nga të gjitha pjesëmarrëset e Eurovision 2025. Me qindra-mijëra klikime dhe komente nga publiku ndërkombëtar, kënga po fiton përditë terren si një prej pretendentëve për fitues të këtij edicioni.

Performanca skenike e Shkodra Elektronike shquhet për simbolikë të fortë, interpretim të fuqishëm dhe një estetikë që nuk ngjason me asnjë tjetër në garë.

Gjysmëfinalja e dytë do të mbahet më 15 maj, ndërsa finalja e madhe do të mbahet më 17 maj 2025.

Këtë vit, spektakli më i madh evropian i këngës zhvillohet në Bazel (Zvicër)./atsh/KultPlus.com

Të ngjajshme