3 Korrik, 2025 - 9:52 am
Festivali Ndërkombëtar i Muzikës, ‘NGOM Fest’, që është bërë një nga ngjarjet më të rëndësishme muzikore në Kosovë, sonte hap dyert për adhuruesit e muzikës në kalanë historike të Prizrenit.
Festivali do të mbahet nga data 3 deri më 6 korrik dhe do të zgjasë katër ditë, duke ofruar një program të pasur muzikor që premton momente të paharrueshme për pjesëmarrësit.
‘NGOM Fest’, i cili organizohet që nga viti 2011 dhe që çdo vit tërheq një interes të madh, këtë vit do të sjellë në skenë shumë artistë që interpretojnë në zhanret e muzikës Rock, Alternative dhe Elektronike. Ndër emrat që do të performojnë këtë vit janë: Acer, Mscream, Mak Zøgaj, Sıngı, Buta, Spin by Celina, Dhjetori, Zwada, Shpat Deda, Dren Abazi, Yuko, Uran B., Vera Grace, _C93, Petro Marko, Anıtë, Armen Miran, Secret 47 dhe George Adi.
Me atmosferën magjepsëse të Kalasë së Prizrenit, ky aktivitet do t’i bashkojë dashamirët e muzikës nga vendi dhe jashtë tij, duke vazhduar të kontribuojë ndjeshëm në jetën kulturore dhe artistike të Kosovës. Pritet që ‘NGOM Fest 2025’ të jetë i suksesshëm dhe me pjesëmarrje të lartë edhe këtë vit.