Flaka Goranci, pjesë e ‘Ballos Vjeneze’

7 Prill, 2019 - 1:57 pm

Pas suksesit të edicionit të parë, që solli eksperiencën mahnitëse të Valsit Vjenez, muzikës së mrekullueshme dhe performancat e shkëlqyera artistike, tashmë vjen edicioni i dytë i Ballos Vjeneze në Tiranë, shkruan KultPlus.

Ballo Vjeneze do të zhvillohet ditën e premte, më 12 prill, në Pallatin e Kongreseve, duke mbledhur bashkë miq Shqiptarë dhe Austriake, personalitete, njerëz të biznesit, artistë dhe çdo qytetar që ka pikë të dobët muzikën klasike dhe valsin vjenez. Nën kujdesin e Bashkisë së Vjenës dhe Bashkisë së Tiranës, ky edicion i Ballos Vjeneze në Tiranë do të konsolidojë këtë traditë të mrekullueshme, prezente në metropolet më të rëndësishme të botës.

Ndër të tjerë artistë të ftuar në këtë edicion, është edhe mezzo-sopranoja e njohur kosovare Flaka Goranci. Flaka ka performuar në shumë skena prestigjioze si: Theater an der Wien, Konzerthaus Vjenë, Gläserner Saal Musikverein, Stefaniensaal Graz, sallë MuTh, sallën e koncerteve Vatroslav Lisinski e shumë skena të tjera, ndërsa kësaj radhe ajo kthehet në Tiranë për një tjetër performancë.

“Jam shume e lumtur te kthehem ne atdheun tim te dyte, ne Tiranën e bukur e te interpretoj perkrah artisteve te medhenje ne Ballon Vjeneze te organizuar nga Iceberg Communication, Ambasada e Austrise, Bashkia e Tiranes etj…”, ka shkruar Goranci në Facebook.

Artistë të tjerë pjesëmarrës në këtë event janë: Uwe Theimer, Andreas Jankowitsch, Orkestra RTSH​, Enada Hoxha & Gerd Vaso, Debutantët e Shkollës së Baletit, Familja Qerimi, Laert Vasili.

Balloja Vjeneze daton si traditë që në shekullin e XIV-të dhe arriti majën e shkëlqimit gjatë Kongresit të Vjenës, kongresi në të cilën morën pjesë gjithë shtetet dhe fuqitë Evropiane në përpjekje për të arritur një marrëveshje për një rend të ri në kontinentin e vjetër. 

Sot më shumë se 400 ballo organizohen çdo vit në Vjenë me një numër vizitorësh më të madh se 500.000 vetash. Balloja Vjeneze është shndërruar në një eksport të suksesshëm kulturor dhe organizohet më shumë se 30 herë në vit në metropolet më të rëndësishme botërore: Athinë, Berlin, Bruksel, Londër, Madrid, Moskë, Nju Jork, Paris, Pekin, Pragë, Romë, Tokjo, Zyrih etj.

Përveç simbolikës kulturore, eventi është një manifestim i miqësisë Shqiptaro-Austriake dhe përbën një hap tjetër për të intensifikuar bashkëpunimin mes kombeve tona. / KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme