The Park Festival së shpejti nis edicionin e tretë në Gostivar

9 Korrik, 2021 - 3:16 pm

Ashtu si në vitet paraprake, në veçanti edicioni i kaluar, një ndër pikëndalesat kryesore të pushimeve verore vazhdon të jetë festivali i muzikës The Park, i cili për herë të tretë, në datat 29-30-31 korrik dhe 1 gusht 2021 do të mbahet në parkun e qytetit të Gostivarit, përcjellë KultPlus.

Të përgatitur dhe të gatshëm gjithmonë për risi, The Park edhe këtë vit sjell emra shumë të njohur të botës së muzikës në vend dhe nga rajoni. Në katër net dhe në tre skena të ndryshme këtë vit do të performojnë emra si: Dafina Zeqiri, Elita 5, Offchestra, Astrit Stafai & All Star Band, Superhiks, Zani Band, Shkëlzen Baftjari, Besarta Murtezani, Duo Guitar, Nita Reçi&Band, Yon Idy, Dina Jashari, Stoned Hedge dhe shumë emra nga bota e muzikës elektronike, si dhe programe të përgatitura enkas për më të dashurit tonë, fëmijët.

Parada e Shqiponjave është një nga aktivitet mbresëlënëse që e karakterizon këtë edicion.

Bashkëpunimi i ndërsjellë në mes The Park dhe Klubit Shqiponjat, sjell për herë të parë paradën e motoristëve në Gostivar me mbi 200 motoristë nga e gjithë Evropa, të cilët do të keni mundësi t’i shihni më 1 gusht.

The Park Festival III, me një ndërthurje të artit, muzikës dhe natyrës do të jetë një kremtim për të gjitha mundësitë që jeta na i ofron.

Biletat mund të merren online në faqen mktickets.mk ose fizikisht në pika të ndryshme në: Gostivar, Tetovë, Shkup, Kumanovë dhe Kërçovë.

Për më tepër vizitoni faqen: www.theparkfestival.mk / KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme