The Weeknd fitues i 10-të çmimeve ‘Billboard Music Awards’

24 Maj, 2021 - 9:06 am

Ngjarja “Billboard Music Awards” u rikthye të dielën mbrëma me edicionin më të ri, vetëm shtatë muaj pas shtyrjes së ceremonisë së kaluar si pasojë e pandemisë së koronavirusit.

The Weeknd, i cili kryesonte me më së shumti nominime, 16 sosh, ishte fituesi i madh i ceremonisë së të dielës duke i fituar gjithsej 10 trofe, përfshirë këtu çmimin kryesor të mbrëmjes “Artisti më i mirë i vitit”. Ylli i njohur kanadez gjithashtu triumfoi në kategoritë “Top 100 Artist” dhe “Top Hot 100 Song”, për hitin e tij të padiskutueshëm “Blinding Lights”.

Këngëtarja me prejardhje kosovare dhe famë botërore, Dua Lipa, nuk arriti të triumfoi në këtë ngjarje, ani pse ishte nominuar në katër kategori të rëndësishme , “Top Female Artist”, “Hot 100 Artist”, “Radio Song” dhe “Radio Song Artist”.

Edhe grupi “BTS” ishte fitues i madh i ceremonisë “Billboard Music Awards”, duke triumfuar në secilën kategori ku ishin nominuar, përfshirë këtu “Top Duo/Group”, “Top Song Sales Artist”, “Top Social Artist” dhe “Top Selling Song”, çmim ky i fituar për hitin e tyre “Dynamite”. Bendi po ashtu e performoi këngën e tyre të fundit “Butter”, e cila u lansua në premten mbrëma.

Edhe artisti latin Bad Bunny arriti të shpërblehet në katër kategori, “Top Latin Artist”, “Top Latin Male Artist”, “Top Latin Album” dhe “Top Latin Song”, kurse reperi i ndjerë Pop Smoke, i fitoi 5 shpërblime post-mortem, përfshirë këtu çmimin “Top Billboard 200 Album” i cili shkoi për incizimin e tij mjaft të suksesshëm, “Shoot for the Stars, Aim for the Moon”. Nëna e tij, Audrey Jackson, i pranoi shpërblimet gjatë mbrëmjes me ç’rast iu drejtua publikut me fjalët: “Faleminderit që e keni nderuar luftëtarin tim të ri”.

Ylli amerikan i muzikës, Pink, e pranoi çmimin special të karrierës “Icon Award”, të cilin ia dhuroi simpatia e fëmijërisë, Jon Bon Jovi. Këngëtarja e njohur dhe shumë e dashur nga publiku gjithashtu e argëtoi publikun me interpretimin e disa prej hiateve të saja më të njohura, si “Just Like a Pill”, “Get the Party Started” dhe “So What”. Kurse momenti më interesant nga performance e Pinkut ishte kur ajo u shfaq në skenë për ta interpretuar këngën e re, “Cover Me in Sunshine”, e shoqëruar nga vajza e saj Willow.

Edhe reperi Drake kishte vendosur t’ia prezantojë publikut djalin e tij, Adonis, në këtë ngjarje, duke e sjellë atë në skenë për ta pranuar shpërblimin special “Artisti i dekadës”. Ai madje ia dedikoi këtë shpërblim të birit 3-vjeçar.

Për ta shënuar përvjetorin e 20-të të albumit të saj debutues, “Songs in A Minor”, i cili u lansua në qershor të vitit 2001, Alicia Keys e dha një performancë speciale ku përfshiheshin disa prej hiteve të saj më të suksesshme, përfshirë këtu këngën “Fallin”.

Ceremonia “Billboard Music Awards” e cila u prezantua nga aktori dhe këngëtari, Nick Jonas, u transmetua live nga teatri “Microsoft” në kanalin “NBC”. /koha/ KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme