Ylli shqiptar, Erza Muqolli prezantohet në ‘Harvard’ nga Gezim Gashi

27 Shkurt, 2020 - 9:30 am

Jeta Zymberi

Gezim Gashi, i pari shqiptar në botë që ka hapur shkollë të artit në Amerikë dhe një emër i suksesshëm në industrinë e muzikës në Los Angeles, po vazhdon të punojë fort në rrugën që ka zgjedhur, shkruan KultPlus.

Përderisa të gjithë e ëndërrojnë shkollimin në Universitetin më prestigjioz në botë “Harvard”, Gashi është i ftuar për të ligjëruar para studentëve nga gjithë bota. Kjo padyshim që është një arritje e madhe për të duke pasur parasysh se si është rritur dhe sa shumë është ushqyer me ëndrra që sot po i bëhen realitet.

“Kjo është e pabesueshme për mua. Momente të tilla më kujtojnë mënyrën se si jam rritur. Kam qenë një refugjat gjatë luftës në Kosovë me ëndrra të mëdha. Bashkë me familjen time u shpërngulëm në Alvesta të Suedisë dhe tash më duhet të ndaj historinë time në universitetin më prestigjioz në botë, në “Harvard”, ishte shprehur Gëzim Gashi për KultPlus.

Por përveç ligjëratës, Gëzim Gashi ka vendosur që përpara studentëve nga e gjithë bota të prezantoj yllin shqiptar Erza Muqollin e cila po mahnit të gjithë me zërin e saj magjikë.

Erza Muqolli gjatë kësaj ligjërate do të lidhet me skype, ku përmes një ekrani gjigant ajo do të flas për suksesin e saj para të pranishmëve.

Gashi ka ndarë lajmin edhe në rrjetet e tij sociale duke u shprehur tejet i emocionuar për këtë prezantim të Erzës.

“Kaq i emocionuar të njoftoj se Erza Muqolli po bashkohet me mua në Universitetin e Harvardit në 9 Mars! Erza është vetëm 14 vjeç dhe është me origjinë nga Kosova, por ka lindur dhe jeton në Francë. Erza ka brenda vetës elementin që të bëhet një artiste e madhe dhe unë jam shumë i entuziazmuar që ajo do të jetë me mua në Harvard!”, ka njoftuar Gashi.

Përndryshe, Muqolli e cila ka arritur një sukses të madh sidomos në Francë, pritet të shndërrohet në një yll edhe përtej Francës.

Ligjërata nga Gëzim Gashi ku do të prezantohet edhe Erza Muqolli, do të mbahet më datë 9 mars 2020, në Universitetin e Harvardit.  /KultPlus.com

https://www.instagram.com/p/B9DxW1vhiAI/

Të ngjajshme