Agim Vinca: Kolegji AAB dhe përvoja ime

24 Maj, 2024 - 12:04 pm

(Një histori e parrëfyer)

Të nderuar miq dhe kolegë,

Zonja dhe zotërinj!

Ju përshëndes të gjithëve dhe ju falënderoj që keni gjetur kohë të vini të merrni pjesë në këtë takim!

Falënderoj në radhë të parë mikun tim Lulzim Tafa, Lulin e Madh, që është ideator i këtij eventi: shpalljen time “Professor Honoris Causa” i Kolegjit AAB, nder që nuk ma ka bërë as Fakulteti në të cilin kam punuar dyzet vjet, dyzet e më shumë, e ku kam dalë në pension dhe, ç’është më me rëndësi, ku kam investuar aq shumë!

Nuk thuhet më kot: I nderuari të nderon!

Falënderoj Rektorin për fjalën e tij dhe ish-studentin e mikun tim Bedri Zyberaj, prorektoren Venera për moderimin dhe aktorët për deklamimin e vargjeve të mia.

Lidhjet e mia me këtë institucion janë të hershme. Në njëfarë dore, madje, do të mund të thuhej se unë jam bashkëthemelues i tij. Mendoj se është rasti të thuhet diç për fillimet e këtij institucioni.

Ishte viti 2001-2002. Në Kosovën e posaçliruar kishte shumë entuziazëm e iniciativa. Dy djem të rinj, Ilir Tafa dhe Bekim Mula, kishin një zyrë në afërsi të Fakultetit Filologjik dhe një ide në kokë: të themelonin një institucion privat të arsimit të lartë, një kolegj, me një degë të vetme: Moderator-prezantues dhe zëdhënës. Realiteti i ri në Kosovë e shtronte si nevojë një profil të tillë kuadrosh dhe ata, Iliri dhe Bekimi, e kishin hetuar këtë me intuitë.

Kërkuan ndihmën time dhe unë, natyrisht, iu gjeta pranë. Sa më kujtohet, në këtë proces kanë qenë të përfshirë që në fillim edhe dy vetë dhe unë që s’dua t’i mbes borxh askujt, nuk mund të mos i përmend: Bashkim Ramadani dhe Mimoza Doko, por unë isha i vetmi me gradë shkencore e titull “Profesor” dhe me përvojë të gjatë pune në Universitet.

U shpall konkursi dhe u bë provimi pranues. Interesimi nuk mungoi. Filloi puna. E quajtën AAB, me këto tri germa që i ka edhe sot si emblemë. Nga kjo bërthamë lindi gjiganti që është sot.

Në fillim, një vit a dy kemi mbajtur mësim, në Qendrën e Studentëve, pastaj në një shtëpi private në rrugën që çon për në Matiçan, te shkolla “Iliria”, ku më vonë u vendos Kolegji “Pjetër Budi”.

Një nga ata që jepte mësim në AAB ishte edhe aktori i njohur Adem Mikullovci. Një ditë Ademi, me natyrën e tij të drejtpërdrejtë, më tha: “O Agim, mos po i mashtrojmë këta të rinj?”. “Jo, Adem, i thashë, nuk e besoj, sepse këta djem e kanë seriozisht, kurse ne e bëjmë punën tonë ndershmërisht”.

Ky është, pak a shumë, raporti im me institucionin që po më nderon sot me titullin: “Profesor Nderi”, Kolegjin AAB, që sot ka dhjetëra fakultete, qindra profesorë dhe mijëra studentë, ndërkohë që në institucionet shtetërore, arsimore, informative dhe kulturore të Kosovës (dhe jo vetëm) punojnë shumë ish-studentë që kanë studiuar në këtë institucion, disa nga të cilët janë personalitete në fusha të ndryshme.

Pa dashur të shkoj më thellë në histori, sepse koha për të cilën po flas tashmë mund të quhet lirisht histori, nuk mund të mos theksoj edhe diçka.

Për kolegjet private flitet gjithçka, mirë e keq (më shumë keq se mirë), por unë mund t’ju them një gjë: gjatë atyre gjashtë viteve që kam dhënë mësim në AAB (2002-2008), mua, që njihem si profesor “i rreptë”, askush nuk më ka thënë:

“Profesor, zbute kriteriumin ose kaloje këtë kandidat!”. Jo. Në asnjë afat dhe në asnjërën lëndë.

E kam ligjëruar dy lëndë: Kulturë gjuhësore, në vitin e parë të studimeve dhe Qytetërim shqiptar, në të tretin, sepse studentët e Komunikimit masiv, si u quajt më vonë dega fillestare e këtij Kolegji, kishin shumë nevojë për zotërimin solid të gjuhës shqipe, veçanërisht të gjuhës standarde dhe për njohjen e qytetërimit shqiptar nga lashtësia e deri më sot. Puna e parë ishte, sigurisht, hartimi i silabusit e literaturës, pastaj leksionet, puna me studentë, në formë debati e ushtrimesh dhe, në fund, provimi, me test. (Ende i ruaj të gjitha testet dhe leksionet në kompjuterin tim).

Kështu gjashtë vjet, derisa ky institucion krijoi fizionominë e vet dhe u bë tërheqës edhe për të tjerë. Kur AAB-ja u afirmua, unë u tërhoqa për t’u bërë vend të tjerëve, duke vazhduar punën në Fakultetin tim në UP, që nuk e kisha ndërprerë, natyrisht, për asnjë çast.

As më vonë nuk i kam ndërprerë kontaktet me Kolegjin AAB dhe drejtuesit e tij, të cilët kanë ditur gjithmonë t’i nderojnë personalitetet e shquara të kulturës kombëtare si Ismail Kadare, Rexhep Qosja e Adem Demaçi, por edhe të atyre nga rajoni, si poeti e intelektuali i madh malazias Jevrem Bërkoviqi dhe poeti e skenaristi i mirënjohur boshnjak Abdullah Sidrani; kam mbajtur fjalë rasti për “Bacën” dhe Profesor Qosjen dhe kam kryesuar Jurinë e Çmimit “Ali Podrimja” për Bërkoviqin, kurse jo më larg se dy muaj më parë, më 21 mars të këtij viti, kam qenë i ftuar nderi për Ditën e Poezisë, me ç’rast kam folur për poezinë si art dhe kam deklamuar vargje nga krijimtaria ime.

Gjatë gjithë karrierës sime jam përpjekur t’u jap studentëve dije, kulturë dhe etos, i bindur se dija, kultura dhe karakteri janë tri komponente të domosdoshme për formimin e personalitetit të njeriut, veçanërisht të të rinjve, pa harruar kurrsesi as ndjenjën e dashurisë për Lirinë e Atdheun, për Të vërtetën dhe Të drejtën, vlera për të cilat, siç thoshte Volteri, e vlen të sakrifikohet edhe jeta.

Kam kërkuar nga studentët, por edhe u kam ofruar atyre, pa u kursyer, në çdo kohë, duke e konsideruar punën time më shumë se profesion. Nuk po them mision, sepse nuk i dua fjalët e mëdha e patetike, që në kohën tonë, mjerisht, shumë herë shpërdorohen.

Jemi në vitin 2024; Kolegji AAB është shndërruar, si thashë, në gjigant, kurse unë, profesori i dikurshëm jam tërhequr në kabinetin tim, duke u marrë me punën me të cilën jam marrë gjatë gjithë jetës, krijimtarinë letrare dhe duke endur tisin e kujtimeve, që janë pjesë e jetës së çdo njeriu dhe veçanërisht e krijuesve dhe poetëve.

Kam shumë kujtime, si t’i kisha një mijë vjet, thoshte poeti i madh frëng, gjeniu Artyr Rembo (Arthur Rimbaud).

Nuk di si ta mbylli ndryshe këtë fjalë timen, pos me një kujtim dhe disa vargje, që lidhen me punën time si profesor, me studentë, në auditor, por edhe me situatën nëpër të cilën kemi kaluar, të cilën, për hir të së ardhmes, nuk duhet harruar.

Ishte viti 1998, qershor. Mbaja provim me shkrim me studentët e mi të Letërsisë në shkollën fillore “Nazim Gafurri” në periferi të Prishtinës. (Ishte koha e “sistemit paralel” dhe e “shtëpive shkolla”). I radhita studentët, ua dhashë temat; ata filluan punën, kurse unë endesha mes bankave. Vërejta se kishte rënë numri i studentëve në atë afat. Lufta në Kosovë kishte marrë hov, kurse rrugët e Kosovës ishin shndërruar në arenë ku maltretoheshin njerëzit, veçanërisht të rinjtë, nga cerberët me uniformë.

Aty më lindi ideja për poezinë, të cilën e shkrova në klasë duke huazuar një fletë nga studentja që ishte në bankë të parë. Titullohet: PROVIMI. Salla gjysmë e zbrazët. Pak studentë./ Cerberë në postblloqe rrugës për Prishtinë./ Mungon Drenica e Dukagjini… / Tani atje jepet tjetër provim”. (Prishtinë, 21 qershor 1998).

Ky provim, i atdhedashurisë dhe i dashurisë për dijen, nuk merr fund kurrë, madje as pasi përfundon jeta jonë fizike mbi këtë tokë.

Edhe një herë: faleminderit AAB për nderimin dhe organizmin e kësaj ceremonie, kurse juve, të dashur miq dhe kolegë, për vëmendjen me të cilën më dëgjuat.

Mirupafshim në takime të tjera!

Prishtinë, 22 maj 2024

(Fjala e Profesor Agim Vincës në ceremoninë e dorëzimit të titullit “Profesor Nderi – Professor Honoris Causa” nga Kolegji Universitar AAB, mbajtur më 22 maj në mjediset e këtij Kolegji) / KultPlus.com

Të ngjajshme