Apolloni: E kujt është “Erveheja”?

16 Prill, 2021 - 2:04 pm

Nga Ben Apolloni

E kujt është “Erveheja”?

Këto ditë kam parë në media e rrjete sociale një debat rreth autorësisë së dramës-shfaqjes “Erveheja”. Një debat që duket se ka marr fill nga mosnjohja e rregullave teatrore, por që mandej edhe i është fry zjarrit nga mediet që gjithashtu nuk kanë njohuritë minimale për artin teatror.

Ndjehem keq kur shoh debate, keqkuptime, deri edhe ofendime ndaj diçkaje apo dikujt që është vlerë për kulturën tonë. Prandaj edhe më duhet të shkruaj disa rreshta dhe të mundohem të sqaroj këtë dilemë.

Edhe në art e rrjedhimisht edhe në teatër, si një nga format e shprehjes artistike më të vjetra dhe të famshme në botë, ka disa rregulla. Një shfaqje teatrore realizohet duke u nisur nga një dramë, roman, tregim, kolumne, këngë, film, etj. dhe regjisori bashkë me ekipin e tij nga idetë që merr nga vepra të ndryshme të artit, krijon një vepër të re teatrore.

Por që të ndalemi te rasti për të cilin edhe po bëhet debati.

“Erveheja” është dramë e shkruar nga Ahmet Qirezi dhe e botuar. Nga drama e Ahmet Qirezit, regjisori Muharrem Qena ka krijuar shfaqjen “Erveheja”, të dhënë premierë në vitin 1966. Drama e shkruar është e Ahmet Qirezit, shfaqja e inskenuar në Teatrin Popullor Krahinor, është e Muharrem Qenës.

Çdo dramë bënë jetë të dyfisht: letrare dhe skenike. Si vepër letrare e gjinisë së dramës, ajo shkruhet, publikohet dhe lexohet nga lexuesit e ndryshëm, në kohëra dhe vende të ndryshme. Drama e Ahmet Qirezit, mund të lexohet edhe sot.

Por drama e shkruar është veç një nga elementet përbërëse të shfaqjes, siç janë edhe aktrimi, muzika, skenografia, kostumografia, grimi, rekuizitat, ndriçimi, koreografia. E, të gjitha këto arte të veçanta, është regjisori ai që i merr dhe i sintetizon dhe krijon një vepër të re, një vepër teatrore që ne e quajmë SHFAQJE. Prandaj shfaqja quhet e regjisorit sepse është ai që i “grumbullon” të gjithë. Është Ai kapiteni i anijes. Ky është ligj në teatër të cilin e dinë të gjithë ata që merren me teatër, që ndjekin teatrin, që e duan teatrin. Nëse të gjitha artet që përfshihen në një shfaqje, ndahen veç e veç, ato kanë autorët e tyre të veçantë, por kur janë të përfshira në një shfaqje, ato janë në shërbim të vizionit të regjisorit që krijon shfaqjen. Pra, nëse do ta “coptonim” shfaqjen “Erveheja” të vitit 1966, aty kanë autorësi edhe autori i dramës, edhe kompozitori, edhe skenografi, etj. Por nëse e duam atë shfaqje të plotë, ashtu siç prezentohet një shfaqje teatrore, ajo mbanë autorësinë e Muharrem Qenës.

Pra drama “Erveheja” e Ahmet Qirezit, është e botuar dhe lexohet edhe sot. Edhe unë e kam një kopje dhe e kam lexuar. Majde ajo edhe sot inskenohet e me siguri do të inskenohet nga regjisorë tjerë, në të ardhmen dhe mund të flitet për vlerat e asaj drame. Kurse shfaqja “Erveheja” e Muharrem Qenës, nuk është më. Sepse shfaqjet teatrore e kanë jetën relativisht të shkurtër. Sado që të jetë e sukesshme një shfaqje teatri, ajo dikur do të vdes. E kësaj ligjësie nuk i ka shpëtuar as shfaqja e Muharrem Qenës, për të cilën unë kam dëgjuar, kam lexuar recensione e përshtypje të ndryshme, por nuk kam pas fatit ta shoh e as që do ta shoh ndonjëherë. Fatkeqësisht edhe një shfaqje, për të cilën thuhet se vendosi themelet e profesionalizmit në artin tonë teatror, ne nuk mund ta shohim e shijojmë më. E as të flasim për vlerat e saj, por që ata që e kanë parë, kanë shkruar e folur si për një vepër me vlera të larta teatrore.

Prandaj, debati për autorësinë e “Ervehesë” është debat i orientuar gabimisht. Është mirë të bëhen debate, por për debate të mirëfillta e të dobishme, duhet një kulturë, duhet njohuri mbi temën, që ky për autorësinë e “Ervehesë” nuk i ka.

Shpresoj që me këto sqarime që u mundova me i dhënë këtu në këtë tekst, të pushoje debati i kotë dhe të vazhdoje respekti për të gjithë artistet e dikurshëm, që krijuan art në kohëra shumë të vështira edhe për të jetuar. / KultPlus.com

Të ngjajshme